Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pak famë nga juaja, JU LUTEM! (nga Kozeta Kurti)

Pak famë nga juaja, JU LUTEM! (nga Kozeta Kurti)
June 23
15:17 2018

I nderuar Shkëlqesia Juaj, Z. President i Republikës,
I nderuar Z. Kryeministër,
I nderuar Z. Kryetar i Parlamentit,
I nderuar Z.Kryetar i Opozitës,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri,
Të nderuar të gjithë,
Hiç, asgjë s’kam për t’ju thënë, vetëm se po mendoja si t’i rrisja pak kreditet vetes, se më ka humbur shenja fare e po vrisja mendjen si të gjeja mënyrën për të tërhequr vëmendjen dhe thashë po sikur të fitoj pak nga popullariteti i këtyre njerëzve…Po kryqëzoj gishtërinjtë e po lutem ta gjej emrin në rrjet: “Gazetarja, letër të hapur drejtuesve më të lartë”. Kaq, kaq pres! Se mos thellohet njeri me pa’ sa budallallëqe kam rreshtuar këtu brenda. Vetëm fjalia e parë mjafton!
As e para, as e fundit nuk do të isha.
Pse, çfarë bëjnë më shumë ata që përdorin dramën e tjetrit, vrasjen, vdekjen, dhimbjen, zinë, të futen nën mbathje, për të fituar famë, popullaritet, para? Hiç më të mirë se mua nuk janë.
Çfarë bëjnë më shumë ata që privatizojnë protesta, çështje që i përkasin të gjithëve, duke u vetë-trajtuar si qënie superiore, por që në fund të ditës grinden me rreckat e veta duke llogaritur se kush ishte i pari që ngriti flamurin? Hiç më të mirë se mua nuk janë.
Çfarë bëjnë më shumë ata që shanë me libër pragu shqiptarët e Zvicrës dhe pastaj shqyen kanotjeret nga entuziami, gëzimi e krenaria? Pak vëmendje deshën dhe ata: “Ja si u shpreh Filan Fisteku për futbollistët me origjinë shqiptare…”. Pse, më të mirë se mua janë ata? Hiç më të mirë se mua nuk janë.
Çfarë bëjnë më shumë ata që heqin dorë edhe nga mendimet e tyre dhe rreshtohen krah financuesve të projekteve të përmuajshëm, apo dhuruesve të posteve e ofiqeve? Asgjë s’bëjnë më shumë. Fresk ata, fresk unë!
Po vras mendjen si të shpreh ca mendime të paqëndrueshme! Mbase kjo është mënyra më e mirë për ta tërhequr vëmendjen.
Tani që po kujtohem, pse kënga shqiptare në Festivalin Europian të dalë nga Festivali i Këngës në RTSH?
Duhet të dalë nga numri i ndjekësve në instagram! Patjetër! Është faktor që ndikon në Dubai, ku ka ndjekës të këngës shqipe.
Jo! Duhet të dalë me votim popullor, që të mos ketë kundërshtime.
Jo, jo! Blihen këto dreq votash.
Po çfarë pastaj se blihen? Njerëzit prandaj hyjnë në lojë për të fituar. Ç’turp bën ai që blen? Ai që shet po! Prandaj e qep gojën ai që shet e s’ka kurajo të kërkojë llogari.
Ç’ja futa kot! RTSH-ja është pjesë e rrjetit të EBU-së dhe ndoshta është më mirë kështu siç është… ose s’është… ku di unë!
Meqë jemi tek këto ethet e Teatrit Kombëtar…
Ende s’e keni rrëzuar këtë banjë publike në mes të Tiranës? Po ç’prisni pra? Ka kërkuar privati të ketë akses tek prona publike? Po shumë mirë ka bërë… pse, për çfarë do i shpenzojë paratë e veta ai? Kot?
Ore, jeni në terezi? Si mund të rrëzoni teatrin? Po gjithë ajo histori aty brenda? Pse, pak vende ka Tirana për të ndërtuar një tjetër nga fillimi? E bëjmë muze! Ka aty plot, rekuizitë, materiale filmike… ups! Isha ironike. E kuptova edhe vetë! Po punë e madhe se s’ka! E bëjmë… si bunkeri! Aty afër teatrit.
Jam e paqartë… po unë për këtë po e bëj! Të flitet për mua dua! Sikur çfarë po kërkoj… Se mos do isha e para që dua të arrij qëllimet e mia, pa bërë as përpjekjen më të vogël për të ndjekur udhën e duhur që më shpie drejt tyre…
…dhe as e fundit që frymëzohet (për fat të keq) për të holluar gishtërinjtë mbi tastierë nga kanceri i kësaj shoqërie: paaftësia, parazitizmi, mediokriteti, ryshfeti, thashethemi, prapanicë-lëpirja, shtyllë-kurriz-mungesa, sipërfaqja dhe: ““…Njeriu është i madh kur llap për parimet e veta, por është i dobët kur vjen puna për t`i zbatuar…”, siç Remarku tek “Harku i triumfit”,- tha.

Komento
Shperndaje