Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

O “Super Eri”! Nuk mund të bëhesh hero duke u mënjanuar nga 2 kokrra vezë!

O “Super Eri”! Nuk mund të bëhesh hero duke u mënjanuar nga 2 kokrra vezë!
June 15
18:15 2018

Erion Veliaj që nga momenti që ka marrë postin e kryetarit të Bashkisë mund të themi se ka qenë në sfidë me veten për të treguar sa më shumë angazhimin e tij në punët si një kryebashkiak. Fillimisht i ra si hije krahasimi që atij i bënin me Edi Ramën në kohën kur ai ishte kryebashkiaku i Tiranës. Megjithatë ai vendosi që t’u ndryshojë të gjithëve mendim  duke iu treguar një për një se po konkretizonte ide të tijat, po punonte natë e ditë për Tiranën.

Fillimisht vishej sportiv, kombinohej me festat, tregohej i kujdesshëm me njerëzit, tolerant, mirëkuptues dhe gjithpërfshirës. Shumëkush filloi ta pyeste nëpër panele se a i kujtohej koha kur ai shiste fiq te “Pazari i ri” dhe ja ku Lali Eri ua mbylli gojën të gjithëve duke u shprehur se nuk ka bërë asgjë më pak e as më shumë veçse ka punuar për familjen e në kujtim të saj, rindërtoi në “Pazar Ttë ri” ku ta ka qejfi të shesësh e të rrish. Pranojeni se nofkën Lali Eri arriti ta kthejë në trendin e tij, edhe teorinë e shitësit të fiqëve e shndërroi nga ironi në krenari.

Deri këtu ia vlen të përgëzohet, sepse ka aftësinë ta kthejë medaljen nga ana tjetër në mënyrën më të mirë të mundshme. Ditën e djeshme Lali Eri u përballë me një situatë aspak të këndshme. Pak para takimit të Erion Veliajt me artistët që kundërshtojnë prishjen e Teatrit Kombëtar ka ndodhur një incident jo i këndshëm. Ai është qëlluar me vezë nga të rinjtë e FRPD-së. Veliaj i është shmangur me shpejtësi sulmit të parë, ndërkohë që disa persona kanë ndërhyrë për ta ndaluar protestuesin. E pikërisht kjo shmangie e Veliajt ndaj vezëve që i drejtoheshin atij është kthyer në virale në rrjete sociale dhe ka qenë pikërisht Z. Kryebashkiak që e ka nisur.
Në një foto ku i kishte veshur vetvetes një pelerinë si të “Batman”-it e duke e krahasuar veten me një superhero që u shmanget vezëve e jo plumbave, karikatura ironizuese e Veliajt u komentua  gjatë gjithë ditës.
“T’kishte Lulzim Basha nishan do kish bo noj punë në Tiranë a do kish fitu noi palë zgjedhje”,- ka shkruar “Super Eri” në postimin e tij.
Nuk bëj pjesë në asnjë grup partiak, s’ja them hiç nga politika, partive u di vetëm ngjyrat që ti dalloj kur vijnë dhe trokasin në shtëpi për të kërkuar votat ama 1 gjë nuk më pëlqen në këtë rast tek Veliaj.
Je lavdëruar e kritikuar shumë, askush nuk dëshiron të merret me të shkuarën ama mendoj, si një njeri i thjeshtë se revoltës së personave nuk duhet t’ja u kthesh me ironi duke dashur të ngresh veten tënde.
Debati për prishjen e Teatrit Kombëtar ka muaj që ka bërë Tiranën të ziejë. Emra të mëdhenj të artit po të kundërvihen, mos e konsidero partinë kundërshtare, opozitën në këtë rast,  ama në vend që të vetkthehesh në një super hero, (e në fakt asnjë person që merret me politikë në Shqipëri nuk mund ta pretendojë) shqetësohu për ata “plumba” të cilëve “Super Eri” po u shmanget.

Përse këta njerëz janë mërzitur aq shumë aq sa të bëjnë pis ( në mënyrën e parë të fjalës) këmishën e një kryebashkiaku? Përse këta njerëz e kundërshtojnë fort projektin që ti dëshiron që parlamenti ta aprovojë? Përse ky njeri është i mbushur me mllef aq sa po pretendon të cënojë edhe ty? Nëse njerëzit janë ende të paqartë për projektin atëherë sqaroji e sqaroji, mos u vetkthe në superhero. Nëse ky njeri është i udhëzuar nga kundërshtarët e tu atëherë tregoju popullit se ata që nuk të duan në postin që votat të kanë vënë po luajnë pisët. Ama ky nuk ishte rasti i shitësit të fiqve që mbante shtëpinë, nuk ishte rasti as i asaj nofkës miqësore që tu ngjit e me të cilën të flasin sot të gjithë. Këtë herë bëhet fjalë për mërinë e popullit dhe mllefi i të cilëve të kundërvihet me “plumbat vezë”. Sigurisht ti ju shmange mirë po thjesht mbrojte veten, nuk mund të bëhesh “Super Eri” thjesht duke mënjanuar dy kokrra vezë!/Blitz.al/

Komento
Shperndaje