Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Njerëzit janë më shumë të dashuruar me idenë e dashurisë, sa me personin që kanë në krah

Njerëzit janë më shumë të dashuruar me idenë e dashurisë, sa me personin që kanë në krah
May 03
18:37 2019

Nga Kejvin Kalo

Idenë për të bërë këtë shkrim e mora nga shfaqja e një komediani shumë të talentuar skocez, Daniel Sloss. Për ju që jeni fansa të stand up komedisë, shfaqjet e tij që janë në Netflix “Dark” dhe “Jigsaw” duhet ti shihni patjetër. Madje në fakt edhe ju të tjerët duhet ti shihni nëse e keni mundësine, pasi jo vetëm që janë një copëz brilante komedie por edhe japin mesazhe të rëndësishme. Ai nuk ka frikë të bëj shaka me shumë tema, duke filluar që nga obezitetit, privilegjet e meshkujve në botën ku jetojmë, vdekjen, invaliditietin dhe në fund, marrëdhëniet e dashurisë.

Në fakt titulli i këtij artikulli është një nga përfundimet në të cilat komediani arrin në fund të shfaqjes së tij, por që unë do doja ta analizojë më në detaj. Siç Sloss tregon, në moshën 7 vjeçare ai ka pyetur të atin se çfarë është jeta, më saktë cili është kuptimi i jetës dhe ai i ka dhënë një nga përgjigjet më të plota që kam dëgjuar ndonjëherë. Ai bëri një analogji të jetës me “Jigsaw”-n, pra të jetës me një puzzle(lojë me formuese).

Të gjithë ne duhet të bashkojmë të gjithë pjesëzat e puzzle-it tonë, me çdo mësim që nxjerrim dhe me eksperiencën që fitojmë. Problemi është që ne e kemi humbur kutinë e puzzle-it dhe nuk e dimë se çfarë imazhi duhet të formojë, këtë duhet ta zbulojmë rrugës. Dhe për ta bërë më të thjeshtë punën, e fillojmë plotësimin e puzzle-it nga katër anët, që janë dhe pjesët kryesore. Në një anë është familja, në një anë shoqëria, në një anë hobit dhe preferencat, e në në një anë puna. Por çfarë duhet të vendosim në qendër të “formueses”? Duhet të jetë pjesa e partnerit. E atij personit perfekt që ende nuk e ke takuar, që vjen papritur në jetën tënde dhe përshtatet në mënyrë perfekte, të plotëson ty dhe ju e plotësoni bashkë puzzle-in.

E në fakt analogjia e babit të tij, sado e bukur që është e bëri Sloss të besojë  se asnjëherë nuk do të ishte i plotë dhe i lumtur, nëse nuk do të kishte një person pranë tij. E nëse e shohim në një këndvështrim më të gjërë, këtë nuk e ka bërë vetëm babi i tij, por dhe shoqëria apo steriotipet dhe ende vazhdojnë ta bëjnë. Të gjithë përshkruajnë dhe idealizojnë romancën perfekte, çdo princeshë ka nevojë për një princ dhe e kundërta. E gjitha kjo na shtyn që në qendër të puzzle-it shpesh të fusim njeriun e gabuar, madje dhe kur ai nuk ka “formën” e duhur. Kjo çon që ne të lëvizim dhe pjesëzat e tjera, në mënyrë që të bëjmë vend për partnerin. Lëvizim pak preferencat dhe hobit, i marrim vend familjes e kështu e me rradhë, derisa gjithçka ktheht në rrëmujë.

Njerëzit janë më shumë të dashuruar me idenë e dashurisë, se sa me personin që kanë në krah”. Prandaj e vendosa dhe në titull sepse është e vërtetë. Ka shumë njerëz që janë në lidhje vetëm sepse nuk mund të jenë vetëm, sepse duan të fusin me patjetër dikë në qendër të puzzle-it, sepse janë të fiksuar me idenë për të gjetur dashurinë, sepse duan të ndryshojnë statusin e lidhjes në Faacebook. Po sikur të zgjoheni një ditë dhe të kuptoni, që ju dhe partneri juaj jeni duke punuar që të formoni një puzzle të ndryshëm, që figura për të cilën po “lodheni” për të nxjerrë në fund nuk është e njejta. Do përballeni me dy pyetje. Ta pranoj që kohët e fundit me këtë person në krah kanë qenë një humbje kohe dhe a dua që të vazhdoj të humbas kohë dhe në të ardhmen me këtë person? Ka shumë njerëz që për hir të idesë së dashurisë, mendojnë se është shumë vonë për ta dhe nuk ndryshojnë asgjë, vazhdojnë të deformojnë jetën për ti bërë vend kësaj marrëdhënie toksike.

Problemi është dhe që njerëzit nuk dinë ende si të duan veten e tyre. Pa ditur të duash veten, pa mësuar që vërtetë ta duash veten në 100%, nuk mund të gjesh dikë që të jetë krah teje dhe të dojë kaq shumë. E nëse personi afër teje nuk të do ashtu siç je, ashtu siç ti e do veten, nuk është i duhuri. Nëse përpiqet të të ndryshojë, nëse do që ti ndryshojë 4 anët e puzzle-it tënd, nuk është ai që ke kërkuar. Nuk është dashuri nëse shoku yt i jetës nuk të do aq sa ti do veten, madje dhe më shumë. Dhe nëse e gjeni, qendra e “formueses” nuk duhet domosdoshmërisht të jetë partneri. Në mes mund të jetë çfarë të duash ti, gjithçka që i jep kuptim jetës tënde, gjithçka që të plotëson. Nëse është një person që të bën të lumtur atëherë shumë mirë, nëse nuk është, nuk ka problem.

Mos u përqëndroni në atë që ju pret, në një jetë të lumtur me bashkëshortin/en dhe të harroni të jetoni të tashmen. Kur të mbushni 20 vjeç, nuk duhet të mendoni: “Mezi pres që të martohem që të jem i lumtur” dhe kur të jesh 35 vjeç të thuash: “Shpresoj të vijë shpejt koha kur do dal në pension”. Jetoni! Dhe nëse pas gjithë kësaj që lexuat kuptuat që ai ose ajo që keni në krah nuk është i duhuri, që ke harxhuar kohën me të deri tani, që puzzle-in tuaj e ka shëndrruar në një rrëmujë të vërtetë, pash zotin ka 7.5 miliardë njerëz në Tokë. Dashurinë tuaj ndoshta nuk ishte e shkruar që ta njihnit në punë!

P.s Nëse mendoni se kjo është e pamundur, shfaqja e Daniel Sloss ka ndarë më shumë se 4 mijë lidhje që kur u publikua 1 vit më parë, ka prishur 34 fejesa dhe ka çuar 42 çifte të divorcohen dhe ai është shumë krenar për këtë! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje