Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një socialiste, një komunist dhe një mysliman ishin në një autobus…

Një socialiste, një komunist dhe një mysliman ishin në një autobus…
November 16
15:25 2018

Nga Kejvin Kalo

Më pëlqen shumë të lëviz me autobus nëpër Tiranë…tha askush asnjëherë. E sado jo praktike dhe ndonjëherë e mundimshme është të marrësh autobusin për të shkuar nga një destinacion në tjetrin në kryeqytet, ndonjëherë bëhesh dëshmitar situatash që vetëm këtu tek ne mund të ndodhin. Ndonjëherë të kap veshi njerëz që flasin për projekte shkencore, po po në autobus. Ndonjëherë tjetër dy burra flasin për sport, dy goca flasin për fustanet që do veshin në mbrëmje ose dy adoleshentë diskutojnë për ndonjë zhvillim të ri teknologjik. E çfarë do të thotë e gjithë kjo? Që unë duhet të ndaloj së dëgjuari çfarë thonë të tjerët se nuk është e sjellshme por mbi të gjitha, që njerëzit e shohin këtë mjet transporti si vend për të bërë muhabetet e ditës apo për të diskutuar ndonjë çështje madhore që i mundon.

Kjo ndodhi dhe sot teksa lëvizja me autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio. Për ju “patricët’ që keni vite pa i hipur urbanit është ai në ngjyrë portokalli që kur ecën duket sikur do të përplaset me çdo gjë që e rrethon sepse me siguri kanë ndonjë kusht si firmë që shoferët duhet të jenë fansa të “Fast and Furious”. Gjithsesi për të dalë në temë, teksa kalonim nga qendra, aty në atë rrugën e ngushtë përbri bashkisë, u dëgjuan thirrje dhe parulla që i drejtoheshin kryetarit të bashkisë nga një grupim njerëzish që herë pas here plasnin dhe ndonjë kapsollë. Pamja u bë më e qartë kur u duken banorët e Astirit që vazhdonin protestën kundër shembjes së shtëpive të tyre për të disatën ditë rradhazi. Ky moment sigurisht nuk mund të kalonte pa u komentuar nga njerëzit e autobusit dhe e para që foli ishte një zonjë e moshuar e cila fillimisht murmuriti dicka nëpër dhëmbë dhe pastaj tha: “Çkeni mor që protestoni, shifni sa bukur jua kanë bërë qytetin, ja shikoni sa bukur”- dhe drejtoi gishtin për nga rruga para 9-katsheve. Siç mund ta merrni me mend, kjo ishte socialistja në autobus, pasi  një person që arsye për mos të protestuar quan një copë rruge  që është rregulluar gjatë mandatit socialist, epo është i tillë. Kjo dhe se me siguri sa herë sheh kryeministrin që del në televizor i thotë: “Të keqen nëna sa i mirë je.’’

Menjëherë të moshuarës ju përgjigj një burrë në sediljen ngjitur që tha me zë të lartë: “Të protestojnë si jo, ta kundërshtojnë këtë qeveri se na mbyti”. Ky gjithsesi nuk mund të jetë protagonist në këtë që po shkruaj se përfaqëson shqiptarin mesatar që vetëm flet kot sa për inerci dhe s’ bën asnjë gjë kështu që po e përmend vetëm sepse fjalët e tij shkaktuan reagimin e myslimanit(pa paragjykuar por kishte mjekrën dhe veshjen karakteristike të një besimtari mysliman). “Këta ndëshkohen vetëm me votë. Qeveritë hidhen vetëm me votë. E nëse të tjerët nuk bëjnë për ju, mos votoni fare, braktisini!”. Sapo mendova se sa fjalë të zgjuara tha ky besimtar menjëherë u kujtova që para 5 minutash po fliste në telefon me zë të lartë dhe po i thoshte dikujt: “Mediat dhe gazetarët janë gënjeshtarë. Arabia Saudite mirë ja bëri atij gazetarit. Jo ta vriste mor jo, por gazetarit ama duhet me i pre gjuhën edhe duart”. Kështu që ajo që më erdhi në mendje ishte se i vetmi që e kupton në këtë autobus si përdoret vota nuk duhet të ketë të drejtë të votojë nisur nga mendimet që ka.

I fundit, ai që nuk mungon asnjëherë në një bisedë dhe thotë gjithmonë po të njejtën gjë ishte komunisti. “Ishte mirë kohën e Enverit, pronat në rregull secili merrte atë që meritonte, jo si sot, futja kot”-tha ky burri me bindje të theksuara majtiste që në 2018 ka lirinë e të shprehurit për një protestë në  një autobus. Erdhi dhe një moment kur të gjithë po thonin nga një gjë, flisnin po nuk e dëgjonin njëri tjetrin. Dikush si gjithmonë shau edhe Sali Berishën për katrahurën që ka bërë, dikush shau veriorët e një grua që më qëndronte përballë për disa minuta rrjesht më shpjegoi sa të varfër ishin në komunizëm dhe atë burrin që përmendi Enverin me siguri e ka ndjekur për në shtëpi pasi zbriti në stacion. Gjithsesi ata që u dalluan nga të tjerët ishin pikërisht e moshuara socialiste, burri adhurues i shtypjes dhe tollonave dhe muslimani që me siguri nuk ishte pronar i ndonjë dyqani elektronik, se nuk dukej dhe aq i lumtur.

E nëse do ta kthej në një nga ato barcaletat e njohura do shkonte kështu: E dini çfarë të përbashkëte kanë një socialiste, një komunist dhe një musliman në një autobus? Që asnjëri nga ata nuk ka të drejtë në ato që thotë. Ama një gjë e kanë të përbashkët me shqiptarët e tjerë. Pavarësisht ideve nuk i shkon në mëndje të flasin për Lulzim Bashën dhe kur arrijnë në stacion nuk dine të zbresin si njerëz por zihen si kafshë./Blitz.al/

Komento

Shperndaje