Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një perlë shqiptare që po kuron plagët

Një perlë shqiptare që po kuron plagët
November 01
16:43 2016

Nga Marin Mema

Nëse kërkon të kuptosh barbarinë e njeriut mbi natyrën në këto 26 vite, padyshim Parku Kombëtar i Lurës është shembulli më i dhimbshëm. Nga më se 1.049 hektarë që dikur llogaritej si sipërfaqe pyjore, 40 për qind është prerë, dëmtuar apo djegur. Ky është vetëm bilanci zyrtar, pasi gjendja mendohet të jetë në shifra edhe më alarmante.

Shkatërrimi i ekosistemit është ndier edhe te liqenet akullnajore, që përbëjnë ndoshta pjesën më të veçantë të këtij parku. Ato zënë rreth 26.6 hektarë të hapësirës së përgjithshme të tij. Duket një histori e largët koha kur këtu lëvizte gjitari më i madh në vend, ariu i murrmë, ashtu sikurse rrëqebulli, zardafi, kaprojtë apo sorkadhet e po ashtu gjeli i egër. Të gjitha kanë qenë specie që jetonin në numër të konsiderueshëm në Lurë dhe që sot janë zhdukur.

Dikur në këtë vend ishte e vështirë të orientoheshe për shkak të pyjeve të dendur e bimësisë së azdisur, ndërsa sot është fat të shikosh qoftë edhe një grup prej pak pemësh që të mos kenë trungje të gjymtuar mes tyre. Sigurisht, nuk ka kaluar asnjë uragan, asnjë fatkeqësi natyrore, nuk ka ardhur asnjë qenie e mbinatyrshme. Kjo gjendje është rezultat i një sulmi të pashpirt ndaj natyrës tërësisht nga dora e njeriut…

Por tashmë jo gjithçka është gri. Mes trungjeve të prerë ka jetë ose më mirë ajo po përpiqet të rilindë mes shkatërrimit. Janë ende gjurmë të vogla, por që tregojnë dëshirën e natyrës për të rimarrë frymë, për të shëruar e mbyllur plagët, duke i dhënë këtij vendi shpresë për rikthimin e fytyrës së dikurshme. Shpërndarja e natyrshme e farave ka dhënë rezultate që, sado të vogla, janë mjaftueshëm pozitive nëse i krahason me periudhën kur zhurmat e vetme ishin ato të sharrave.

Filiza të reja kanë hedhur shtat kudo. Duken ende të ndrojtura, a thua se kanë frikë të zgjaten e të ngrenë krye në një vend që për kaq shumë kohë ka qenë nën kasaphanën e abuzuesve. Të kishin gojë do të flisnin, do të tregonin, do të klithnin për atë që është bërë mbi trupin e tyre.

Në ato pjesë ku situata është më e vështirë, ripyllëzimi është ndihmuar edhe me fidanë të rinj. Procesi, në mbështetje të atij tërësisht natyror, parashikon mbjelljen e dy milionë të tillëve në zona të ndryshme të Parkut Kombëtar. E në këtë proces po ndihmon jo thjesht shteti, por edhe shumë e shumë organizata të ndryshme e grupime të rinjsh, të cilët kërkojnë rikthimin e një perle të natyrës shqiptare, siç është Lura.

Sigurisht që është herët të flasësh për rikthimin e saj  në gjendjen fillestare, sepse për 25 vite janë prerë pemë me moshë qindravjeçare. Megjithatë, specialistët mendojnë se në stadin aktual, duke e ndihmuar parkun në forma të ndryshme, gjërat mund të ndryshojnë, edhe pse ndryshimi do të ndihet pas shumë kohësh. Realisht do të duhen të paktën 20 – 30 vite për të pasur rezultate reale e të dukshme. Gjithmonë nëse papritur nuk nisin punën sërish IFAT e vdekjes, që në shumë zona të tjera ende nuk janë ndalur.

Lura është një mundësi jo thjesht për rreth 1.500 banorët që jetojnë gjatë gjithë vitit në këtë fshat të vjetër, por edhe për ekonominë e zonës përreth, por edhe më gjerë. Ka mjaftueshëm vende historike e arkeologjike, kulturore e tradicionale, sa të konsiderohet si një nga perlat e Ballkanit, siç e cilësonte Edith Durham, por dhe rilindësit tanë.

“Kush dëshiron të shikojë Shqipërinë, duhet të vijë të shikojë Lurën”, – thoshte dikur At Gjergj Fishta, duke vlerësuar bukuritë që kishte ky vend…

Sot kjo parajsë duhet ruajtur me çdo kusht, askush nuk duhet lejuar të cënojë sado pak këtë park kombëtar, për më tepër do të ishte domosdoshmëri që natyra të ndihmohej edhe më shumë në të gjitha mënyrat.

Të ecësh sot në këtë vend të krijohen dy ndjesi: ajo e një organizmi të sëmurë që kërkon të marrë frymë sërish dhe ajo e plagëve të shkaktuara nga një grup barbarësh, duke filluar nga të gjithë përgjegjësit, deri te ministrat që sot nuk janë më në këtë post, por që kanë mbushur llogaritë me gjymtimin e Lurës./Blitz.al/

ma

maa

 

 

Komento
Shperndaje