Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një përgjigje për Artur Zhejin dhe të tjerët si ai… nga unë, “emigrantja majmune”

Një përgjigje për Artur Zhejin dhe të tjerët si ai… nga unë, “emigrantja majmune”
August 10
20:30 2016

Përshëndetje Blitz!
Rastësisht lexova “artikullin” e zotit Artur Zheji mbi emigrantët majmunë dhe do të dëshiroja të shprehja mendimin tim, duke u munduar të jem sa më objektive.

Në radhë të parë më habiti fakti që zoti Artur Zheji, pavarësisht dashurisë së madhe për gjuhën e mëmës dhe nivelit të tij arsimor e profesional, bën gabime ortografike e gramatikore të cilat arrita t’i evidentoj edhe unë, emigrantja majmune…

Thënë kjo, sapo u ktheva nga pushimet në Shqipëri, ku shkoj çdo vit, pasi prindërit e mi kanë blerë një shtëpi modeste në jug.

Arsyet për të cilat shkoj aty janë dy: së pari për të takuar familjarët e mi dhe, së dyti, për t’u dhënë mundësi fëmijëve të mi të njohin vendlindjen time dhe, në njëfarë mënyre, origjinën e tyre.

Nuk do të ndalem këtu të tregoj se sa e vështirë është shumë herë të tregohem krenare për origjinën time kur duhet t’u shpjegoj fëmijëve se pse ka kudo plehra të hedhura, pse njerëzit ulërijnë, pse i keqtrajtojnë kafshët etj.

Babai i fëmijëve të mi nuk është shqiptar dhe ne jetojmë në një vend ku fliten 3 gjuhë zyrtare. Njëkohësisht fëmijët e mi shkojnë në një shkollë anglofone e frekuentuar nga fëmijë të cilët vijnë nga 60 kombësi të ndryshme, ç’ka bën që ata të rriten në një ambient multikulturor, në të cilin nacionaliteti dhe origjina janë karakteristika të personalitetit, por nuk e përkufizojnë atë.

Çdo vit kur shkoj në Shqipëri, madje që në momentin që ulem në avion, stresohem për mënyrën se si do të komunikoj me fëmijët e mi. Të dy ata e kuptojnë mirë gjuhën shqipe, por nuk e flasin shumë mirë. Për rrjedhojë ne alternojmë gjuhët e komunikimit, por më së shumti flasim në gjermanisht (sidomos për tema më komplekse). Në ato momente mua më kap paniku pasi e di që një patriot ose patriote do të më gjykojë, do të më kërkojë llogari, do të më japë këshilla ose më saktë urdhra pasi ne nuk komunikojmë ekskluzivisht vetëm në shqip.

Atëherë unë filloj dhe sqaroj, pothuajse kërkoj falje dhe justifikohem duke shpjeguar që në fillim unë flisja vetëm shqip me fëmijët, por në momentin që fillova t’u lexoja libra situata u komplikua disi.

Kjo për arsyen e thjeshtë që asokohe ishte thuajse e pamundur të gjeja libra të përshtatshëm për fëmijë. Librat që gjeta (pasi kërkova) ishin përkthime të një niveli të dobët (e me shumë gabime) të përrallave klasike të përshtatshme për fëmijë 5 vjeç e më lart, por asgjë për moshën 1-3 vjeç. Mjaftoi të shkoja në një librari në vendin ku jetoj dhe gjeta dhjetëra, qindra libra tepër tërheqës për fëmijët. Në fillim i lexoja duke i përkthyer në shqip, pasi kishte më shumë figura sesa tekst, por me kalimin e kohës historitë u bënë më komplekse e më të artikuluara ç’ka e komplikoi shumë leximin, i cili bëhej në mënyrë mekanike dhe jo natyrale e tërheqëse. (Bëhet fjalë për vite më parë, pasi ndërkohë kam parë që situata është përmirësuar ndjeshëm në Shqipëri. Megjithatë, për mendimin tim, vazhdojnë të përkthehen më së shumti libra klasikë dhe shumë pak bashkëkohore.)

E pranoj që duhej të isha treguar më këmbëngulëse, por në momentin që fëmijët shkuan në çerdhe, kopsht e shkollë, ruajtja e komunikimit në shqip u bë edhe më e vështirë, pasi ata flasin dhe mbi të gjitha studiojnë në dy gjuhë të tjera.

Familja jonë është një familje méli-mélo. Im shoq është franko-gjerman dhe flet disa gjuhë, sikundër edhe unë, ndërkohë që fëmijët tanë kanë lindur në një vend i cili nuk është vendlindja e asnjërit nga ne, por është vendlindja e tyre. Është e vështirë që fëmijët e mi të përkufizohen nga një nacionalitet, ata janë një miks interesant origjinash e kulturash të ndryshme. Kur shkojnë në Shqipëri janë të lumtur dhe krenarë që flasin shqip, por u ka ndodhur edhe të përballen me situata në të cilat fëmijët e tjerë u kanë folur vrazhdë, duke u kërkuar llogari pasi në një moment kanë folur në gjermanisht, anglisht apo frëngjisht…

Ndihem keq kur lexoj që një njeri, që presupozohet të ketë një nivel kulturor dhe një mendje më të hapur sesa mesatarja e popullsisë, të shprehet kaq përçmueshëm mbi emigrantët pasi ata nuk flasin shqip. Është një gjykim tepër i përciptë dhe paragjykues.

Njëkohësisht, nuk e kuptoj faktin se pse shqiptarët që jetojnë aty kanë të drejtë të kritikojnë çdo aspekt të Shqipërisë dhe jetës në Shqipëri, por kurrsesi emigrantët nuk kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre pa marrë përgjigje të tipit: “Si bën ky/kjo, sikur nuk ka lindur këtu! Ja kjo katunarja, po shet p****ë sikur ku jeton kjo, sikur çfarë pune bën kjo!”

Nuk e kuptoj raportin e profesionit të dikujt diku në Europë me faktin që personi në fjalë, shumë natyrshëm, bën një krahasim ndërmjet Shqipërisë dhe një vendi tjetër, duke dhënë mendimin e tij.

Edhe nëse dikush është pastrues, shitës apo murator, e ka të thjeshtë të konstatojë gjendjen në Shqipëri e të bëjë krahasime.

Unë do të isha jashtëzakonisht e lumtur nëse unë dhe fëmijët e mi do të kishim sa më shumë arsye për të qenë krenarë, sepse jemi shqiptarë, por realiteti është që kur dal nga Shqipëria dhe shkoj në Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci (vende këto fqinje) më duket sikur kam kaluar nga një kontinent te tjetri, pasi kontrasti është shumë i madh dhe kjo është për të ardhur keq.

Unë jam shumë e lumtur kur bëj një ekskursion me fëmijët në Butrint apo Karaburun, por stepem kur shoh që aty afër ka male me plehra dhe higjiena lë për të dëshiruar, për të mos folur për harbutërinë e njerëzve.
Unë nuk di se çfarë t’u përgjigjem fëmijëve kur pasdite ata dëshirojnë të shkojnë në park, pasi në jug të Shqipërisë parqet për fëmijë (e kam fjalën për parqe të mirëfilltë, jo për kafene me dy lodra) nuk ekzistojnë.

Ashtu siç nuk e di çfarë t’u përgjigjem kur shkojmë në pastiçeri/kafene dhe përballem me një ekran televizori që transmeton videoklipe vulgare e aspak të hijshme as për të rriturit, jo më për fëmijët.

Kur dëgjoj se si komunikojnë njerëzit, fjalorin e tyre, jam thuajse “e lumtur” që fëmijët e mi kanë një njohuri të kufizuar të gjuhës shqipe.

Përfundimisht, dua të them që në asnjë moment nuk e ndiej veten superiore kur shkoj në Shqipëri, nuk ka arsye, por fatkeqësisht përballem me një “armiqësi” dhe përçmim të pakuptimtë.

Atëherë, kur dikush më përkufizon si emigrante majmune pa marrë mundimin të shohë më larg se hunda e tij, mua më vjen pothuajse për të qeshur… me hidhërim! /Blitz.al/

M.K.

 

 

Shperndaje