Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një pasuri e panjohur

Një pasuri e panjohur
October 15
19:00 2017

Nga Marin Mema

Të shkoje dikur në lixhat e Sarandaporit jo larg qytetit të Leskovikut ishte një mision i vështirë, sepse kërkesat ishin aq të shumta sa nuk mund të pranoheshin të gjitha. Frekuentimi i tyre ka nisur që në kohën e Perandorisë Osmane , është investuar më pas në komunizëm dhe ka marrë fund tërsisht në vitin 1997. Sot kanë mbetur pas vetëm karabinatë e lodhura të ndërtesave të dikurshme që duket sikur kanë fshirë gjithçka nga jeta e mëparshme e këtij vëndi.  Në llixhat e Sarandaporit që funksiononin në dimër e verë kishte 80 shtretër që në periudha të ndryshme shkonin deri në 120 të tillë me pacientë që vinin nga e gjithë Shqipëria..  Per t’ju përshtatur këtij fluksi sigurisht këtu qëndronte një staf i specializuar prej dhjetra personash që nga mjekët, infermierët, e deri tek mirëmbajtësit e thjeshtë të vaskave me ujë termalë.

Këto llixha ashtu si ato me avull të Postenanit  ishin dhe janë një nga pasuritë më të mëdha të Leskovikut, ç’ka shtetarët e kishin kuptuar që në kohën e Perandorisë Osmane. E kjo nuk është një legjende urbane, mjafton të shkosh më tej në vendin ku ngriheshin godinat më të hershme .

Është interesante të shikosh sesa kujdesshëm është ndertuar edhe ky kamp i mëparshëm buzë Vjosës, ku ende dallohen ndarjet ku qëndronin pacientët , hanet, e deri vaskat ku buronte uji. Këto të fundit sigurisht kanë pësuar ndërhyrje edhe gjatë kohës së komunizmit, por baza e tyre, është bërë shumë më parë . Për të kuptuar sesa e hershme është lidhja e banorëve të këtyre zonave me këto llixha mjafton të kujtosh se edhe vetë ndërtuesit e Portës së lartë, diku u bazuan që erdhën deri këtu, në këtë pikë të thellë e me kaq shumë burime…

Dikur këtejmi iknin e vinin masa te mëdha pacientësh, që aktivizonin e gjeneronin në të njëjtën kohë një zinxhir të tërë punësimi. A nuk është kjo për të cilën ka nevojë Shqipëria ? Llixhat e Sarandaporit vërtetë nuk do të zgjidhnin çdo problem, por do të mjaftonin për të punësuar të paktën 100 banorë të Leskovikut, duke i dhënë frymarrje e mundësi të reja këtij qyteti.  E këtë herë pacientët nuk do të ishin vetëm shqiptarë, sa kohë llixhat e Sarandaporit janë me nam edhe në krahun tjetër në Greqi prej nga ku u bë një luftë e madhe që gjatë periudhës së përcaktimit të kufijëve ato të mbeteshin në krahun e tyre.  Megjithatë, derisa dikush nga shtetarët e sotëm të kuptojë sesi rritet punësimi këto vënde do të mbeten të tilla, ta braktisura e të harruara, apo thënë më thjeshtë një kujtim i së shkuarës./Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje