Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një parlament ndryshe…

Një parlament ndryshe…
June 22
13:00 2017

Nga Marin Mema

Nëse kërkon që bregdetit të jashtëzakonshëm të Borshit t’i bashkëngjisësh edhe natyrën e virgjër të fshatrave që shtrihen pas shpinës së tij, nuk do ta kesh aspak të lehtë.  Vështirë se turistët e shumtë që vijnë në këto anë kanë menduar se përtejmi, atje në horizont, ka vende që ia vlejnë të vizitohen, për atë që kanë e atë që ofrojnë. Mes tyre është Fterra që shtrihet rreth 10 km nga Borshi…

Në fakt, ky fshat ka mbetur si një ishull i izoluar për shkak të rrugës që ende pret vëmendje qoftë në krahun që e lidh me Kuçin, qoftë në atë me Borshin. Fterra gjendet mes tyre, mes mrekullisë së bregdetit dhe hijeshisë së maleve, por pa mundur të shfrytëzojë as njërën dhe as tjetrën. E kjo ka ndikuar jo pak edhe te largimi i banorëve.

Deri para viteve ’90 fshati ka pasur rreth 460 banorë, ndërsa sot numri është jo më shumë se 100. Shkolla hesht e me të duket sikur hesht edhe një pjesë e shpirtit të këtij fshati. Për shumicën kanë mbetur kujtimet e një kohe kur shtëpitë ishin të gjitha të banuara, ndryshe nga sot ku duket sikur ka më shumë dryna se njerëz.

Sigurisht, të njëjtin fat kanë pasur shumë qendra të tjera të banuara, të cilat janë tkurrur në maksimum thuajse në kufijtë e mbijetesës e megjithatë është absurde të mendosh se një fshat që shfaqet për herë të parë zyrtarisht që në regjistrat osmanë të 1431-shit, të humbë sot, në shekullin e 21-të. Fterriotët kanë qenë pjesë e të gjitha momenteve të rëndësishme historike, si një zinxhir i pashkëputur e i lidhur me identitetin e gjithë kësaj krahine.

Komuniteti i njohur i këtij fshati e ka mbajtur gjithmonë kokën pas, nga një amanet që duket sikur e pasojnë brez pas brezi. Ata duan që Fterra të njihet ashtu siç i takon historisë së këtij fshati e jo vetëm nga banorët e sotëm apo të larguarit, por edhe nga turistët e shumtë. Kjo qendër ka qenë gjithmonë e lidhur me dijen e arsimin, ndaj edhe shumë figura kanë dalë nga këtu. Mjafton të shikosh qendrën e kulturës, bibliotekën, muzeun, quajeni si të doni, sepse i veçantë është fakti që banorët e kanë ngritur dhe ruajtur vetë një vend të tillë. Fterra ka marrë pjesë 7 herë në festivalin e Gjirokastrës, një fshat kaq i vogël, por me një traditë të jashtëzakonshme.

Banorët kanë bërë edhe investime të tjera, sigurisht sa u lejon mundësia, pjesa tjetër u takon strukturave përkatëse. I rëndësishëm është fakti se ata  kanë një lidhje shumë të veçantë me fshatin e tyre, ndaj edhe janë mjaft të organizuar.  Banorët kanë një parlament të përbërë nga dhoma e lartë me banorë që jetojnë në Tiranë dhe struktura të tjera parlamentare që shtrihen në qytetet ku jeton komuniteti fterriot. Në këto takime nuk diskutohet për politikë, por vetëm për qendrën e tyre, për vendin që i mban kaq shumë lidhur pas njëri tjetrit e për të cilin kërkojnë më të mirën./Blitz.al/

Komento
Shperndaje