Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një parajsë në malet shqiptare

Një parajsë në malet shqiptare
November 06
23:06 2016

Nga Marin Mema

Kelmendi është një nga ato zona ku tradita e historia shkojnë bashkë. Një vend kuvendesh, legjendash dhe burrash të moçëm, që duket sikur jehojnë ende në këto shkrepa. Studiues, historianë e shkrimtarë kanë folur dhe shkruar të mahnitur nga ato që kanë parë e prekur në Kelmend. Nga Koronelli te Nopça, Durham e kështu me radhë, kanë shkuar e ardhur në këto anë.

 

thumbnail_dsc_0673

Punimet në rrugë sigurisht kanë lëvizur diçka. Më në fund kjo zonë po sheh infrastrukturën e munguar. Të rrugëtosh tashmë në Kelmend nuk është më utopi, por kënaqësi. E megjithatë, domosdoshmëri mbetet shpluhurosja e këtij vendi, që ofron hap pas hapi një natyrë të mrekullueshme, të egër, të panjohur, e gjitha për t’u zbuluar…

Lëpusha shfaqet që në fillim me hiret e saj. Fshatit, natyra i ka dhënë gjithçka, aq shumë sa hera-herës të bën të dyshosh nëse është i vërtetë apo ndonjë iluzion optik i krijuar mes maleve. Deri në vitin 1990, fshati ka pasur rreth 320 banorë, sot ka diku 150. Por pse duhej të largoheshin njerëzit nga një vend i tillë?

Masa dërrmuese kanë shkuar për shkak të papunësisë, mungesës së infrastrukturës, projekteve, mbështetjes serioze, që deri sot ka qenë inekzistente.
Ata kanë bërë jo pak investime nga ana e tyre, mjafton të përmendësh faktin se në fshat ka mbi 6 shtëpi pritjeje. Mundësitë janë të jashtëzakonshme, por realiteti përtej tyre nuk është kaq rozë, kjo sepse këto zona duan një reklamim të denjë që deri sot është bërë vetëm nga të huajt, që kur vijnë këtu mahniten. Lëpusha vërtet të mahnit!

A duhej të kishte papunësi një vend që veç turizmit ka edhe shumë mundësi të tjera? Zona ka bimë medicinale dhe është e pasur në kërpudha, boronica, luleshtrydhe të egra, mjedra, salep etj. Ka mundësi të mëdha për bujqësi dhe blegtori, por kjo mesa duket ka qenë dhe është e pamjaftueshme për banorët.

Ata kanë dëshirë t’i shprehin problemet e tyre, të flasin për to, e dikush t’i dëgjojë. Jo thjesht për të kaluar radhën, siç ndodh rëndom fushatave elektorale, por realisht shpresojnë që diçka të zgjidhet, jo me fjalë.

Në Lëpushë dimri është shumë i ashpër, aq sa shpesh bora mund të shkojë deri në 2 metra. Atëherë është edhe momenti më i vështirë. Ndihmat duken rrallë e më rrallë, maksimumi ndonjë mjet që të hapen rrugët. Në masë dërrmuese, më shumë sesa shteti shqiptar, në ndihmë u kanë ardhur shqiptarët e përtej kufirit në Mal të Zi, në zonën e Plavës dhe Gucisë. Nëse s’do të ishin ata, Lëpusha do të qëndronte edhe 6 muaj pa komunikim mes borës.

Çatitë e shtëpive shkrihen përmes luginës. Vjeshta me ngjyrat e saj ka rrethuar kudo Lëpushën. Do të duhej të iknin e të vinin pafund turistë në këtë vend, që ne e gjejmë jo pak të heshtur.

Në Lëpushë do të mund të rrije gjatë, duke larguar zhurmën e bezdisjen e qyteteve të mëdha, duke hedhur tej ndotjen dhe kaosin e kudondodhur. Sa shumë mundësi ka ky vend dhe sa pak i shfrytëzojmë ne këto mundësi!

A mos duhej vallë që Lëpusha të ishte në një shtet tjetër për të qenë e reklamuar sa duhet? Çfarë kanë më shumë destinacionet që shqiptarët preferojnë në Mal të Zi, Bullgari a diku tjetër? Lëpusha ka gjithçka, përveç projekteve e mbi të gjitha reklamimit, të cilat fatkeqësisht nuk bëhen me fjalë.

Komento
Shperndaje