Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një iniciativë artistike, nga lart apo nga poshtë dhe “Drama e dy karaktereve” – nga Kozeta Kurti

Një iniciativë artistike, nga lart apo nga poshtë dhe “Drama e dy karaktereve” – nga Kozeta Kurti
April 18
13:27 2018

Nga: Kozeta Kurti

E di, e di! Lart-poshtë apo poshtë-lart, mund të jetë pak konfuzuese si shprehje se shqipja të ngatërron shpesh, por edhe unë me sa duket nuk i rezistoj dot tundimit për tituj manipulues, të paktën derisa të të ftoj të lexosh midis rreshtash.

Një iniciativë, pavarësisht fushës, në biznes, në art, në komunitet, mbetet një iniciativë që po s’e nise vetë nga poshtë, e ke të vështirë shumë ta gjykosh nga lart, edhe pse kjo është gjëja më e thjeshtë dhe e shpejtë që secili prej nesh bën.

Çdo ditë dëgjoj njerëz që ankohen se në këtë vend nuk jetohet, ky është një vend i mallkuar, këtu s’të jepet asnjë mundësi, këtu të shkelin me këmbë, këtu nuk ka meritokraci, këtu gomari firmos letrën për të ngarkuar drutë tek një gomar tjetër, etj etj. Dhe plotësisht të drejtë kanë! Kështu është këtu, por nëse mban duart në prapanicë a gjëkundi tjetër, dhe s’bën asnjë përpjekje për të ndryshuar së paku realitetin tënd, askush nuk do vijë poshtë dritares tënde për të të lutur e për të të kujtuar që ti je i mirë shumë, i bukur shumë, i zoti shumë.

Ndaj provo të zgjohesh nga gjumi i gjatë i dimrit dhe kërko të gjesh disa njerëz si ty, bashko nevojat, dëshirat e ëndrrat me dikë tjetër, përplase kokën mur më mur, rrëzohu, gjakos gjunjtë e ngrihu sërish, dështo dhe humb, për të kuptuar më vonë rëndësinë e suksesit e të fitores. Bëji të gjitha që të mos pendohesh se nuk bëre. Brenga e mos veprimit është shumë më e madhe dhe e pashërueshme krahasuar me veprimin e gabuar.

Nuk jam zysha që po jep leksione nga lart-poshtë; jam njëra që i bashkon ëndrrat e veta me të tjerët e që mirëpret të tjerët ta bëjnë pjesë të ëndrrës së tyre….vetëm se ëndrrat duhet të ngjajnë!

Është kaq bukur të bëhesh pjesë e ëndrrës së dikujt dhe të udhëtosh në magjinë e saj, duke prekur procesin në çdo hallkë të tij.

Provojeni dhe do keni ndjesi të ngjashme me timen për ëndrrën e Igli Zarkës e Krist Lleshit dhe etjen e tyre për të shpërthyer në skenë e për t’i çuar grimcat e ëndërrimeve të tyre në stomakun e publikut që ndoqi “Dramën e dy karaktereve” në Teatrin Eksperimental. Gjërat e rralla e të pazakonta për realitetin tonë, si nudoja e Zarkës, në rolin e Alan Strang, në veprën “Equus” vitin e kaluar, rritën pritshmëritë e publikut për të parë çudinë e rradhës prej tij dhe u dyndën në poltronët e sallës, sikur edhe vetëm për të parë prej së afërmi portretin e bukur të 27 vjeçarit të dëshiruar, por fiks aty, herë përbri tij e herë përballë tij, “të merr me shpulla” e ta lë frymën në ajër Krist Lleshi, së cilës një herë që ju dha mundësia për të bërë një rol të plotë në skenë, na çoi në shtëpi me dhjetëra pyetje duke filluar që prej: “si ja doli?”, “a është mirë me shëndet tani”, “a u vra”, “ai i dhemb trupi, këmbët, duart’? deri tek pyetjet, “po unë kam sekrete, dramë, errësirë”, “po unë a jam i kufizuar, i mbyllur, i izoluar”, “po unë a kam frikë nga ajo që prodhon truri im në një moment të caktuar të jetës”.

Lërmëni të përkthej sërish e t’ju mbush mendjen me fjalë të bukura se kjo është një dramë e paparë, por nuk dua ta bëj, sepse nuk mundem ta bëj! Asnjë fjalë, në asnjë gjuhë të botës, nuk e përshkruan atë vrimën e krijuar në stomak; asnjë fjalë, në asnjë gjuhë të botës, nuk jep përgjigjen e pyetjeve të mësipërme. Veç njëra mundet: gjuha e emocionit, të cilin e perceptojmë ndryshe.

Emocioni flet vetëm me gjuhën e dashurisë, përkushtimit, kujdesit. Merreni iniciativën, udhëhequr nga dashuria që ta prodhoni edhe emocionin…shikojini gjërat nga poshtë-lart dhe do i shijoni shumë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje