Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ngjyrosja e kauzës së teatrit…-Nga Marin Mema

Ngjyrosja e kauzës së teatrit…-Nga Marin Mema
July 24
19:13 2019

Pse duhet të jetë kaq e lehtë të shkatërrosh, të humbësh, të politizosh një debat që nuk duhet të ketë lidhje me politikën?!

Që Shqipëria ka nevojë për një teatër të ri kombëtar këtë nuk e kundërshton askush, por pse i vjetri duhet prishur dhe jo restauruar apo kthyer në një muze? Ç’nuk u tha për konstruksionin e kësaj ndërtese! Se ishte prej tallashi, me material kancerogjen, një “dopolavoro”, kapanon, e plot të tjera, duke anashkaluar tërësisht vlerën historike, identitare, arkitektonike apo gjurmët që ruan kjo godinë. Në të mirë a në të keqe gjithësecili mund ta konsiderojë si të dojë, por ajo mbetet një godinë që përfaqëson një pjesë të kujtesës kulturore, qytetare e natyrisht të një Tirane të vjetër që sa vjen e po shuhet, një Tirane që gjithmonë e më pak ka fytyrën e historisë së saj. Kjo është e vërteta e dhimbshme që nuk mund të mohohet nga askush.

Një teatër i ri kombëtar është i mirëpritur nga të gjithë artistët, një vlerë e shtuar për kryeqytetin dhe për çdo qytetar. Tirana për fat ka ende hapësira ku mundet të ndërtohet një i tillë modern pa patur nevojë të zhdukë të vjetrin, e po kështu pa “falur” tek privati kulla marramëndëse në territorin e sotëm të tij.

Si mundet të zhvillohet një qytet kur fshin gjurmët, të shkuarën, e gjithçka lidhet me të? A mos ndoshta historia nis me kullat, me ngjyrën gri të tyre apo me çfarë?

Në fakt që në krye të herës ky ishte një debat që duhet të realizohej mes artistëve, mes atyre që kanë kaluar jetën në skenë, por kështu nuk ndodhi. Askush nuk i la të debatonin të lirë e të pa ndikuar me njëri tjetrin, e më pas ata vetë të vendosnin për atë që u takon. Jo, politika i ndau sepse futi duart e saj të pista për t’i bërë shpesh edhe kundërshtarë. Nxiti klanet, presionet, debatet, shtyu njerëz të villnin vrerë kundër tyre.

E sot asnjë prej aktorëve, idhujve tanë nuk ka shpëtuar nga gjykimi, nga fjalët e tepruara që kanë shkruar i madh e i vogël, e mjaft prej tyre që janë gati të ndajnë edhe artin, kulturën, trashëgiminë, madje edhe Shqipërinë, për interesat e tyre. Kauzën e ngjyrosën, e sot shumë e shohin si një debat politik, kur në fakt nuk duhet të ishte i tillë. E kjo u bë vetëm për faktin për të mos lejuar profesionistët e vërtetë, aktorët tanë, profesorët e nderuar, akademikët, ata të pangjyerit të diskutonim projektet e të vendosnin atë që është më e mirë për ta e jo për politikën që nuk u fry dhe nuk u ngop kurrë.

/Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje