Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nga Kozeta Kurti- “Presori” i Letërsisë dhe “zbythja” e Gjuhës

Nga Kozeta Kurti- “Presori” i Letërsisë dhe “zbythja” e Gjuhës
September 11
16:56 2018

“Presori” i Letërsisë çdo herë m’i lexonte hartimet përpara klasës. Më vendoste nota të mira, dhjeta kryesisht, sepse i pëlqente fantazia ime, stili im, qasja herë letrare e herë filozofike, por pavarësisht kësaj, fletorja ime kishte shënimet e stilolapsit të tij të kuq, kur vendoste apostrofët e munguar apo hiqte dy kaçurrelat e tepërt tek “e”-të e shndërruara gabimisht në “ë”. E fiksova një herë e përgjithmonë se flokët janë të zinj dhe jo të zeza,  që muret janë të lartë e ndërtesat janë të larta. M’i falte këto!

Pyes veten, a do më kishte fal’ “presori” nëse unë do zhdukja trajta, rasa, numra, veta?

A do më kishte fal’, nëse unë, dikur nxënësja e tij, sot mësimdhënëse, do isha shprehur me TË SHKRUAR për dikë: “Ai të mesoJ të sillet”.

A do më kishte fal’ nëse do “startoja” me të një bisedë midis kolegësh tashmë…

si MËSIMDHËNËSE me përgjegjësi direkte në edukimin e brezit të ri.

Jam e bindur që nuk do të ma falte, sepse ai as nuk mundet ta imagjinojë që në listën e mësimdhënësve në Shqipërisë, ka prej tyre,(shumë prej tyre) që jo vetëm flasin, por edhe shkruajnë shqip kaq keq.

Ai s’ka nga ta dijë që këta mësimdhënës janë emëruar në pozicionet e tyre nga shefa që lëshojnë urdhra-porosi me përmbajtje: “Filan Fisteku të filloJ që nesër”.

…sepse “presori” s’ka facebook dhe nuk ja lejon vetes të ndeshet çdo ditë me këta injorantë me diploma masteri e doktoratash, të paaftë për të kuptuar sa të mangët janë në këtë drejtim e sa të guximshëm për të shprehur direkt ose indirekt se “si ata, s’ka”;

sepse “presori” nuk i ndjek televizionet tona me personazhe që sillen dhe flasin publikisht “cool” se janë “kullera”; sepse “presori”, larg sistemit arsimor prej vitesh tashmë, gdhihet e ngryset me libër në dorë, mban shënime dhe rrëfen bukur atë që lexon.

Unë e di që ti “presor” nuk e fal kurajon e tjetrit për të kërkuar më shumë se  ç’është e ç’meriton, por ti e mbarove misionin tënd…

Ti i mësove ca njerëz të jenë korrektë, kurse unë “presor”, nuk e fal dot sistemin që lejoi mësimdhënësit që “hëngrën” trajta, numra, rasa, gjini, veta….të dalin përpara fëmijëve tanë, të cilët nesër me siguri, pasi të kthehen nga loja me shokët, do të thonë: “u bërëm pis me baltë”. Dhe ne nuk do të kemi ç’t’u bëjmë më…

Prandaj më ka marrë malli shumë për ty “presor”! Shumë….

/Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje