Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në sytë e një fëmije pashë…

Në sytë e një fëmije pashë…
November 04
12:53 2016

Nga Marin Mema

(Këto radhë nuk i kushtohen një fëmije të vetëm, por shumë të tillëve që kam njohur gjatë këtyre 10 viteve në Shqipëri)

Varfëria shpesh këlthet, shkelmon, shfryn, ndoshta sepse është e pabesë e peshën më të rëndë e lëshon te fëmijët. Ka shumë të tillë në Shqipëri që nuk e njohin buzëqeshjen, nuk njohin lodrat, nuk njohin kompjuterin, madje as këpucët. Janë fëmijë të rritur, që duket sikur edhe botën e shohin me më pak ngjyra. Kanë doçka të vogla si gjithë të tjerët, por të rreshkura nga mundimi dhe i ftohti. Sytë i kanë të pafajshëm, por flasin aq shumë sa brenda tyre do të mbytej një botë e tërë.

Nuk dinë të kërkojnë, sepse nuk kanë parë asgjë tjetër veç varfërisë që i rrethon si një shoqërues i kobshëm. Gjithçka që ata kanë janë muret e nxirë nga tymi i sobës e tenxheret e zbrazura që s’kanë asgjë për të dhënë. Së jashtmi askush nuk i njeh. A mos ndoshta janë të padukshëm? A mos ndoshta ata nuk i shohin? Nuk i ndiejnë, nuk i dëgjojnë hapat që sigurisht nuk “kërcasin” nga këpucët!

Kjo është bota e tyre, një realitet me të cilin jetojnë çdo ditë…

Frymëmarrjet e tyre ndihen anë mindereve të pista e të mbytura nga pluhuri, ku trupi i vogël u struket ngadalë nën batanijet e arnuara dhe piskamat që lëshon një motër e vogël në krevatin përbri.

Kjo është jeta e vogël e një burri-fëmijë që hallet duhet t’i mbajë si një gunë mbi shpinën e njomë. Ai nuk di se si quhet skamja, edhe pse me të fle e ngrihet çdo ditë; nuk e di që ajo nuk është shoqja e tij, as mikja, nuk do t’i japë përkëdhelje e as do ta përkundë… E pra, skamja ecën me të, e ngre nga gjumi kur barku i vogël uturin për pak thërrime dhe e vë sërish kur uria nuk shkon dhe zgjidhja e vetme mbeten ëndrrat.

A thua ëndrrat të jenë të vërteta, apo edhe aty gjithçka është njësoj? Shpeshmi edhe ato janë të kursyera me varfërinë, kanë ndot e i largohen për të mos e ndierë. Fëmijët e varfër edhe ëndrrat i kanë njësoj, si pjesë të së njëjtës botë të ftohtë, të përhumbur, të braktisur.

Ajo është bota e tyre, një botë që shumë nuk e njohin, e shpërfillin e shpesh edhe e përçmojnë.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje