Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në shtrat me armikun

Në shtrat me armikun
January 10
14:32 2017

Nuk është një fakt i ri që sa herë ndodh diçka e lidhur me elementin kombëtar, me ndjesitë që përbashkojnë e ndezin masat, vijnë rregullt edhe reagimet e atyre që çështje të tilla i kanë shitur e blerë si rroba tregu për hir të interesave personale. Kështu ka ndodhur në rastin më të fundit kur është arrestuar Ramush Haradinaj, kah të cilit u renditen shumë nga ata që në të vërtetë as nuk duan t’ia dinë për fatin e tij, aq më pak të Kosovës. Ata janë thjesht përfitues të momentit, reagues të detyruar e prodhim i një shoqërie që harron shumë shpejt të shkuarën, aq sa edhe agresorin ta kthejë në viktimë.

Teksa lebetitemi e drejtojmë gishtin tjetërkund e kërkojmë fajtorë edhe atje ku dihet se fajtorët kanë qenë gjithmonë përgjatë historisë, lëmë mënjanë pjesën tonë, të vërtetat që janë veç pak më tej. Janë të vërteta më të rënda, sepse na përkasin ne e askujt tjetër.

Sot një sërë vendesh europiane po rikonsiderojnë urdhër-arrestet ndaj luftëtarëve krah të cilëve luftuan për një kauzë të drejtë, një kauzë të përbashkët që pati në thelb lirinë. E ky vendim vjen në kushtet kur ata i janë përgjigjur çdo thirrjeje të tribunalit të Hagës, si për të treguar sërish se e drejta nuk mund të mbulohet… Arrestimi i Ramush Haradinajt nuk është  thjesht një akt i padrejtë, por edhe antieuropian dhe kundër të gjitha strukturave ndërkombëtare, madje një akt i rrezikshëm, që synon të minojë ato vlera që vetë Europa duhet të  ketë apo ruajë me egoizëm (edhe në periudha të tilla delikate për ekzistencën e saj) në  themel. Si mund të  kërkohen procese normalizimi, negociatash e nga krahu tjetër të ndërmerren apo tolerohen akte të tilla, që  ndikojnë pashmangshmërisht jo thjesht në raportet mes Kosovës e Serbisë, por mes të gjitha vendeve të Ballkanit, të cilat, duan apo s’duan disa, janë të banuara në masë nga shqiptarët autoktonë? E këtë duhet ta pranojnë edhe serbët që, pasi zaptuan, masakruan, dhunuan, përdhunuan, vranë e prenë, tani bëjnë viktimën e drejtojnë gishtin nga ushtarakë që u ngritën për të mbrojtur popullin e tyre, njerëzit e pafajshëm, shumë nga të cilët ende nuk kanë një varr. Europa nuk mund e nuk duhet të bjerë në këtë lojë të shëmtuar, që ka prapavijë të rikthejë kohë të vdekura… Stabiliteti i rajonit kalon përmes stabilitetit të Kosovës e integrimi i plotë është hapi i vetëm që u jep fund këtyre mendësive ekstremiste. Shqiptarët kanë qenë, janë e do të mbeten europianë, ndoshta dikush të njëjtën pyetje duhet t’ua bëjë shtetarëve serbë.

Por nëse rryma të caktuara po vënë NATO-n kundër NATO-s, Europën kundër Europës e botën e vlerave kundër vetvetes, natyrshëm lind një pyetje: Po ne përtej tyre a jemi kaq të vërtetë? Çfarë fshihet pas ngërdheshjes së disa prej atyre që sot ngrenë zërin për arrestimin e Haradinajt, por dje nuk bënë asgjë më shumë sesa të arrestonin Adem Jasharin?

E pra, në vitin 1993, Adem Jashari u arrestua në Tiranë duke u shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 të policisë. Edhe pse çdo dokumentacion i këtij ndalimi është zhdukur me kujdes nga arkivat përkatëse janë të shumtë ish-luftëtarët e UÇK-së që e dëshmojnë. E jo vetëm kaq, por janë ende të gjallë edhe njerëzit që ndërhynë për ta liruar. Ai nuk ishte i vetmi, sepse veç tij, në vitin 1995, qeveria e kohës pati arrestuar edhe komandantin tjetër karizmatik, më pas të vrarë në pritë nga serbët, Zahir Pajazitin. Janë të shumtë krerët e UÇK-së të arrestuar në atë periudhë kohore e për të cilët askush nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar e aq më pak të kërkojë një hetim për arsyet, lidhjet dhe çfarë qëndronte pas këtyre ndalimeve. A mos vallë krerët e shtetit shqiptar, shumë  nga ata që sot predikojnë  për arrestimin e gjeneral Haradinajt, ishin lidhur nën rrogoz me klanet më ekstreme serbe në periudhën e Millosheviçit? Faktet tregojnë  pikërisht këtë. Le të dalë  dikush e ta mohojë, me fakte sigurisht e jo me ngërdheshje politike, arrestimin e këtyre figurave qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si eliminimin fizik të disa të tjerëve.

Para se të kërkojmë përgjegjësinë tek ata që historinë tonë nuk e kanë dashur kurrë, tek ata ekstremistë që synojnë të sfidojnë stabilitetin, ngritjen e urave të bashkëpunimit e bashkëjetesës, duhet të shohim nga vetja e të tregohemi të vërtetë me të vërtetën e të themi sy të gjithëve se kush u fut e qëndroi në shtrat me armikun, duke shitur interesat kombëtare. Pa i shkuar të vërtetës deri në fund asnjëherë s’do të kemi një të ardhme të sigurt. Ndaj, pas lirimit të gjeneral Haradinajt, edhe ne duhet të lirohemi nga pengjet e të shkuarës, duke çrrënjosur ata që kombin e kanë një veshje të momentit për të fituar vota, pushtet, para, interesa e asgjë më shumë./Blitz.al/

Shperndaje