Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në Shqipërinë ku përplasen dy botë

Në Shqipërinë ku përplasen dy botë
November 25
18:44 2016

Nga Marin Mema

Në këtë vend uji vjen nga historia, nga mitet, legjendat e gjithçka tjetër që rrethon krahinën e jashtëzakonshme të Mirditës. Gurra e Domgjonit është një vlerë e jashtëzakonshme, një monument i rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe shumë më tej.

Për fat të keq, ajo pak njihet, edhe pse vizitorët duhej të dyndeshin për faktin e thjeshtë që këtu do të mund të zbulonin një ujësjellës antik që edhe sot, shekuj e shekuj pas ndërtimit, është ende funksional.

Gurra e Domgjonit në fshatin me të njëjtin emër mendohet se është ndërtuar në shekullin VI, në periudhën e Perandorisë Bizantine, ndoshta gjatë mbretërimit të Justinianit I.

Pusi i kontrollit ka një hyrje të vogël, e ndërtuar qëllimisht e tillë, ndoshta për ta mbajtur të maskuar, duke qenë se edhe në kohët e hershme ujësjellësit konsideroheshin vepra të rëndësisë së veçantë. Shkallët e gurta të zbresin në fund të tij, ku veç pjesës kryesore të pusit, në nëntokë ndodhet edhe një tunel i gjatë rreth 100 metra i veshur me gurë.

Nëse zbret ato shkallë të ngushta, të vogla dhe të pjerrëta mund të njihesh me cilësinë e ndërtimit që, edhe pse nuk ka marrë kurrë ndërhyrje serioze, është ende i ruajtur mjaft mirë.

Përtej elementeve historike, Gurra e Domgjonit lidhet edhe me jetën e përditshme të banorëve. Ujësjellësi i ngritur në vitin 1967 për të furnizuar me ujë të pijshëm dhe vaditës fshatin nuk ofron zgjidhje e po kështu ka ndodhur me ngritjen e ujësjellësit të ri, të nisur plot tri herë dhe po aq herë të humbur rrugës pas viteve 2000.

Mjafton të përmendet fakti se për të kanë ardhur plot tri herë fonde në vitet 2001, 2003 dhe 2005 e të tria herët nuk dihet fati i tyre…

Sigurisht, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi penale për këtë fakt, pra, e thënë ndryshe, në Domgjon financimi i periudhës komuniste është ezauruar, financimet e viteve të fundit “u rrufitën” të gjitha, ndërsa investimi antik i ngritur në kohë të kahershme, ndoshta 15 shekuj më parë, është ende funksional. Kaq mjafton për të bërë diferencën mes një investimi korrekt e pa hile përkundrejt investimeve që ngrohin xhepat e shtetarëve.

Gurra antike funksiononte për të furnizuar me ujë qytezën që ngrihej aty pranë e ku askush nuk është kujdesur për ta rinxjerrë në dritë. Gjithçka ose është mbytur nga erozioni ose është shkatërruar nga koha. Sot mezi dallohen disa rrënoja të vogla, pjesë qeramike, mure që ngrenë krye me vështirësi e të tjera që mezi dallohen mes gjelbërimit. Në fakt, rikthimi i gurrës sot në një monument të vizitueshëm do të vlente jo thjesht për arsyen parësore historike për të cilën vizitohet çdo monument, por edhe për të bërë diferencën mes dy mentaliteteve, atij ku punohej e investohej për komunitetin e tjetrit ku punohet e investohet për xhepat…

thumbnail_002

thumbnail_009

/Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje