Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Në Selanik tek patriotët e rilindjes“ – nga Marin Mema

“Në Selanik tek patriotët e rilindjes“ – nga Marin Mema
June 03
12:32 2018

Nga: Marin Mema

Një ndër shtëpitë më të bukura e hijerënda të Selanikut ka qenë dikur, por mbetet ende edhe sot, ajo e Hasan Prishtinës. Sipas të dhënave patrioti i njohur e bleu ndërtesën gjigande diku në vitin 1908 dhe ka jetuar në të deri në 1933 kur u vra në pabesi nga një tjetër shqiptar i shtyrë sipas shumicës së historianëve, nga rivali politik Ahmet Zogu. Sot kjo shtëpi ruan kujtimet e dikurshme derisa familjes se Hasan Prishtinës ju konfiskua nga shteti grek.
Sipas të dhënave në këtë vend ka vdekur edhe babai i Hasan Prishtinës, por ka jetuar edhe vëllai i tij derisa pas viteve 1940 u shpërngul në Tiranë, ndërsa shtëpia ju nënshtrua fatit të imponuar nga autorietet greke. Hasan Prishtina një ndër figurat më të ndritura të rilindjes kombëtare, kryeministër i Shqipërisë edhe pse për pak ditë mendonte se Selaniku duhet të ruante rëndësinë e tij si një qendër thelbësore ku u vendos një pjesë e mirë e lëvizjes së kohës.

Nuk duhet harruar se në këtë qytet veç numrit të madh të shqiptarëve spikasin figura si Ismail Qemali që këtu kreu shkollimin e tij fillor i detyruar edhe nga internimi i familjes. Po kështu në Selanik të njëjtat hapa ndoqën edhe Dervish Hima, Themistokli Gërmenji, Pandeli Cale e Mithat Frashëri. Firmëtari i pavarësisë Sali Gjuka ishte pjesë thelbësore e themelimit të klubit Bashkimi në vitin 1912. Bajo e Cerciz Topulli apo Qiriazët kanë qëndruar në periudha të ndryshme në Selanik. Por në këtë qytet u shënuan edhe ngjarje tronditëse për lëvizjen kombëtare siç ishte vrasja e Spiro Kosturit në vitin 1906 apo pushkatimi i Themistokli Gërmenjit në 1917. Sigurisht ky komunitet kaq i madh shqiptarësh kishte edhe pronat e tij, jo vetëm ato familjare, por edhe selitë ku funksionin shkollat, klubet, shtypshkronjat, e mjaft godina të tjera që i shërbenin lëvizjes së kohës.


Në vitin 1908 shqiptarët e Selanikut formojnë një shoqëri e cila emërtohej si shoqëria mirëbërëse apo bamirëse e shqiptarëve për të ndihmuar njëri tjetrin dhe njëkohësisht për të mësuar gjuhën shqipe. Në ambjentet që ka pasur kjo shoqëri në Selanik kishte një dhomë të posaçme e cila konsiderohej si shkolla shqipe dhe ku nxënësit e vegjël shqiptarë që gjëndeshin atje ose edhe antarët e tjerë që nuk dinin të shkruanin gjuhën e tyre ju jepej mundësia ta mësonin. Pra shqiptarët kishin shoqata e shkolla të tyret në Selanik, por jo vetëm. Gazeta “Liria” e botuar nga Mithat Frashëri në vitin 1908, apo revista “Dituria” një vit më pas, janë tregues i lëvizjes patriotike dhe rilindjes kombëtare që ziente në këtë qytet.


Jo më kot në dekadën e parë të shekullit të XX vetë Kristo Luarasi i cili kishte themeluar bashkë me Kosta Jani Trebickën dhe Mithat Frashërin një shtypshkronjë të quajtur “Mbrothësia” në Sofie, që e tërheq dhe e sjell atë në Selanik. Veç veprave me karakter kombëtar kjo shtypshkronjë ka publikuar edhe kartolina, të cilat renditen ndër të parat e këtij lloji të shkruara në alfabetin e vjetër të gjuhës shqipe, apo atë që njihej ndryshe si alfabeti i Stambollit. Fakti që Kristo Luarasi e tërhoqi shtypshkronjën në Selanik për të shfrytëzuar afërsinë me Korçën tregon për terrenin, klimën e favorshme, por edhe komunitetin e madh shqiptar që jetonte në këtë qytet.
Në Selanik ka ekzistuar edhe një varrezë e vjetër e shqiptarëve, e cila për fat të keq është shkatërruar në vitin 1983. Aty preheshin mjaft figura të respektuara të komunitetit në këtë qytet, nga të cilat shpëtuan vetëm eshtrat e Hasan Prishtinës. Ato u tërhoqën gjatë periudhës së komunizmit, për t’u vendosur në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Kukësit, ku prehen ende edhe sot.
Me kohën shumëçka ka ndryshuar, gjurmët janë përpjekur t’i fshehin, t’i harrojnë, t’i mbyllin e deformojnë sidomos pas bllokimi të atyre pronave nga shteti grek… E megjithatë ato ende flasin me gjurmët e tyre, historinë, të dhënat e dokumentat që nuk mund të bëhen apo zhbëhen nga askush. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje