Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në radhë për vajguri, në radhë per dekodera, në radhë për libra, në radhë…

Në radhë për vajguri, në radhë per dekodera, në radhë për libra, në radhë…
September 13
19:47 2018

Kur shikoj dokumentarë për vitet e komunizmit, sidomos periudhës kur ishte drejt rënies, gjëja që më bën më shumë përshtypje janë radhët. Radhët e famshme për vajguri, për qumësht, bukë, nuk po përfshij atë për mish se ajo nuk ishte rradhë, ishtë si Kakavija në ditën më të zënë të vitit. Edhe gjyshërit, edhe babai, të gjithë që e kanë përjetuar atë periudhë e tregojnë zënien e radhës dhe pritjen aty si një nga gjërat më të vështira që kanë përjetuar, për më tepër sepse nga ajo varej nëse do kishin për të ngrënë në shtëpi ditën tjetër. Por duke mos patur zgjidhje tjetër ato duronin, prisnin dhe në fund, nëse ishin me fat mund të çonin në shtëpi atë racionin për të cilin kishin dalë që në 5 të mëngjesit. Kur shoh protestat e studentëve të 90ës dhe ngjarjet që pasuan me rënien e komunizmit më duket ndonjëherë se arsyeja kryesore pse njerëzit ngritën krye ishte sepse i kishte ardhur në majë të hundës duke mbajtur radhë. Madje në imagjinatën time, ideja për të protestuar dhe për tu ngritur kundër sistemi ishte dhënë pikërisht në një radhë para ndonëj dyqani bulmeti ku një burrë i ka thënë ndonjë tjetri aty afër “Shtetëzimin e durova, që jemi të varfër vari lesht, për censurën nuk thashë gjë po këtu në rradhë nuk rri më, i erdhi fundi durimit”.

E kështu gjërat ndryshuan, demokracia erdhi, Shqipëria u bë një vend me një kapitalizën më të egër se Amerika dhe banorët e saj më në fund mund të blinin çfarë të donin, ku të donin. Askush nuk i thoshte më se duhet të mbanin radhë para një dyqani paisjesh elektronike për të parë televizionet që e paguajnë me taksat e veta. Madje tani librat shkollorë që deri dje kushtonin, mund ti merrnin falas, nuk kishin nevojë të rrinin në rresht gjysëm dite para një librarie. Në spitale gjithkush mund të merrte shërbim falas (po pra) kurdo që kishte nevojë. Pra gjërat u rregulluan dhe shqiptarët jetuan të lumtur e të gëzuar. Nëse menduat çfarë po thotë ky kur po i lexonit këto të fundit, mos u shqetësoni. Ishte e gjitha më fallso se diploma e Lindita Nikollës, sepse shqiptarët e morën demokracinën që donin, u bënë dhe me lekë, madje kanë dhe Netflix në shtëpi po në radhë akoma rrijnë. Protestat e studentëve hodhën bustin e Enverit, rrëzuan Ramiz Alinë, përcollën Nexhmije Hoxhën 3 herë dhe ajo vazhdon të jetë gjallë, por radhët janë akoma aty.

Një burrë, një grua, një polic. Jo ashtu do ishte mirë, dy burra që çajnë me brryla, një çun që shan ndër dhëmb sa herë që dikush mbaron punë, një gocë që vetëm ankohet pse nuk e ka adoptuar akoma Zamir Mane, një plakë që është më e shëndetshme se një kalë garash por që prap do t’ja lirosh vendin, një tip që ka ardhur të bëjë xhep e shumë të tjerë. Kjo është radha tipike e shqiptarëve të demokracisë që vazhdojnë ende sot të qëndrojnë në forma të ndryshme grumbullimesh para dyqanesh, pika shpërndarjesh apo ku di unë se ça. AMA e ndërpreu sinjalin e stacioneve analoge dhe një pjesë e mirë prej nesh mbeten pa parë lajmet në shtëpi. Para se të perëndonte dielli një radhë u formua në çdo pikë shitje dekoderash në çdo qytet të Shqipërisë, ku njerëz të frustruar mezor prisnin të shtinin në dorë kutinë magjike që do i nxirrte sërish Erion Veliajn në ekran. Sa u njoftua nga qeveria që librat do shpërndaheshin falas për fëmijët këtë vit, një radhë prindërish mori jetë në çdo librari shpërndarëse, a thua se librat nuk do shpërndaheshin në shkolla sepse insitiucionet arsimore e kanë për detyrin ta bëjnë këtë. Po këto s’janë asgjë, rradhët në spitale zgjasin me ditë, nëse të ardhurit një ditor nga fshatrat do kishin mundësi do flinin një javë në spital vetëm që të mbanin rradhën aty kur ti vinte numri për të bërë analizat. Para ca kohësh në Durrës qarkulloi një video me njerëzit që dilnin në vendet ku shpërndahej aboneja e autobuzëve që në 3 të mëngjesit dhe mbanin radhë gjithë ditën a thua se po ndaheshin Green Cards falas. Për më tepër ato abone po i blinin me lekë, por jo duhet të mbanin rradhë e të ziheshin me njëri tjetrin kush e merrte i pari. Meqë trend-et ndërkombëtare janë ato të kthimit pas në kohë, pse nuk bëjmë për qef një “challenge”. Të dalim, të mbajmë rradhë për vajguri e ta postojmë në Instagram, do ishte interesante.

Tani jam i sigurtë, imagjinata ime më ka zhgënjyer dhe njëherë, shqiptarët protestën më të madhe që kanë bërë ndonjëherë e që rezultoi me rrëzimin e diktaturës e bën për shumë arsye por jo për të hequr radhët. Ne i dashurojmë radhët, kemi një fetish ose ndonjë gjë të çuditshme që unë s’ja di emrin për nënshtrimin dhe pritjen në radhë që nuk e shpjegon dot njeri. Atëherë në kohën e xhaxhit, sistemi të detyronte të dilje e të torturoheshe për bukën e gojës, sot është akoma më keq. Njerëzit dalin pa i thënë njeri fare, e kanë gjënë e parë që mendojnë, zgjidhjen e menjëhershme. Nga kjo përfiton dhe qeveria se e di që kështu na mban në kontroll, prandaj për çdo skemë të dyshimtë që do të fshehë, e lidh me ndonjë gjë për të cilën duhet të rrimë para ndonjë dyqani dhe ne aty shkojmë, se na pëlqen, pa bërë asnjë pyetje se pse. Këta tipat që shesin sigurisht që s’e kanë problem të na shohin duke u kapur prej flokësh për produktet e tyre, Kështu që të gjithë dalim të fituar. Mezor po pres që të rritem dhe pak dhe të dal dhe unë në radhë si babai im, apo si babi i babait tim. Nejse ika tani, se duhet të blej dekoderin./Blitz.al/

Komento
Shperndaje