Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në memorie të Arkeologut Hasan Ceka (nga Marin Mema)

Në memorie të Arkeologut Hasan Ceka (nga Marin Mema)
November 05
21:10 2018

 

Pak ditë më parë u mbushën plot 20 vite që nga dita kur arkeologjia shqiptare humbi njeriun i cili hodhi themelet e studimit të saj. E kam fjalën për Prof. Hasan Cekën, babain e arkeologjisë shqiptare, studiuesin që i kushtoi jetën kërkimeve në këtë fushë.

Unë natyrisht, kam patur fatin ta njoh veprën e tij dhe padyshim nuk ka se si të mos e shpreh mirënjohjen për faktin se puna e tij kërkimore, studimet, etj më kanë pasuruar si njeri, por mbi të gjitha më kanë orientuar objektivisht në punën time si gazetar.

Prof. Hasan Ceka u lind në 1900 në një familje më tradita patriotike, që sikurse bën me dije Prof. Dr. Muzafer Korkuti, i ati kishte studiuar në Stamboll dhe i përkiste rrethit të Naim Frashërit. Po ashtu edhe Hasani shkëlqeu në studimet që kreu jashtë vendit, në Vjenë, së bashku me Eqrem Çabejn, Aleks Budën, Frederik Shirokën, etj.

Që pas kthimit të tij në Shqipëri në 1930, filloi karriera e gjatë, më shumë se gjysmë shekullore e Prof. Hasan Cekës, fillimisht me krijimin e një koleksion arkeologjik në Bibliotekën Kombëtare.

Më tej, në vitin 1947 Prof. Hasan Ceka, kryesoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Ndërkohë, vitet pas 1956 kulmojnë me veprimtarinë e tij kërkimore e studimore tërësisht dedikuar Apolonisë. Për këtë shkak ai e ndërtoi jetën e tij gjatë kësaj periudhe në funksion të karrierës së tij dhe gjatë muajve të verës u shpërngul në Apoloni së bashkë më familjen, nga e cila doli edhe një tjetër emër i shquar i arkeologjisë, i biri Neritan Ceka.

Ruajtja e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare ka qenë një tjetër kontribut i dhënë nga Prof. Hasan Ceka, krahas gërmimeve në Apoloni. Ai arriti të krijojë kabinetin numizmatik me një fond shumë të pasur e cilësor, ndërsa duke qënë një specialist në veçanti i botës së numizmatikës ilire ai është edhe autori i veprës së njohur “Probleme të numizmatikës ilire”.

Prof. Hasan Ceka, është padyshim një pikë e fortë referimi për të gjithë brezat e arkeologëve, por edhe për cilindo që do të hulumtojë thellë në historinë e gjurmëve të vendit të tij.

Faleminderit Profesor Ceka!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje