Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në kujtimin e një heroi të dijes (nga Marin Mema)

Në kujtimin e një heroi të dijes (nga Marin Mema)
September 30
17:18 2018

Veprat janë ato që lemë pas gjatë jetës e për të cilat ndodh të marrim ose jo meritat.

Varet nga shumë faktorë se për çfarë do të mbahemi mend në këtë jetë, por e sigurtë është se prindi për fëmijët do të jetë gjithnjë heroi i preferuar edhe kur fëmija një ditë të jetë vetë prind apo edhe gjysh.E tillë është historia në vazhdim, e rrëfyer nga e bija e një atdhetari të devotshëm. Në damarë i rrjedh gjaku i një njeriu të sakrificës që quhet Xhafer Xërxa, ndër të tjera i dekoruar për meritat dhe kontributet në arsim.

Ai lindi në Gjakovë në 1912 por kushtet familjare e sjellin që ai të jetojë një pjesë kohe në Tropojë, ku ndër të tjera rrethohet nga patriotë, mes tyre edhe Bajram Curri.Nën ndikimin e fortë familjar për të vënë në qendër të jetës pasionin për dijen dhe vlerat njerëzore, Xhafer Xërxa nis rrugëtimin e tij duke hedhur hapat e parë të shkollës fillore në Gjakovë e për të vijuar kështu deri në vitet 1930 ku pasi ndoqi Medresen e Shkupit, kalon ilegalisht kufirin maqedonas për të ardhur në Shqipëri. Këtu ai regjistrohet në Normalen e Elbasanit, ku fati e donte të ishte student i Prof. Aleksandër Xhuvanit.

Pas mbarimit të studimeve dhe disa eksperiencave në mësimdhënie në Shkodër dhe Peshkopi, për Xhafer Xërxën vjen momenti i vendimeve të rëndësishme, për të bërë realitet ato që njeriu beson dhe që i ka burim frymëzimi. Rrethanat familjare e vendosin në vitin 1941 në Prizren, kohë në të cilën arsimi në Kosovë “lëngonte”. Pikërisht në këtë kohë, Ernest Koliqi në rolin e Ministrit të Arsimit vendos të dërgojë 200 mësues në Kosovë, Mal të Zi dhe Sanxhak, për të arsimuar popullin dhe për ta ndërgjegjësuar për vlerat kombëtare, mes tyre edhe gjuhën shqipe.

Kështu në vitin 1941, Xhafer Xërxa pas caktimit në zonën e Pazarit të Ri në Sanxhak çel shkollën e parë shqipe. E pra, 77 vite më parë, sikur kujton e bija, Xhafer Xërxa një njeri me zemrën plot dashuri për vlerat e kombit të tij gjen guximin ta përshkojë mes përmes trojet shqiptare asokohe të vëna nën presionin serb me një kamion plot me libra shqip. Një sfidë që sot as nuk mund të imagjinohet dot.

Sot emri Xhafer Xërxa zë një vend modest në librin “Emra që nuk harrohen – Veteranët e arsimit dhe arsimit shqip në Kosovë”. Shpesh jeta e njerëzve të devotshëm, simbol të urtësisë dhe mirësisë kalon në heshtje, pa shumë merita e prestigje. Por ndonëse për figura si ajo e mësuesit Xhafer Xërxa asnjë dekorim nuk do të ishte mjaftueshëm, unë jam i bindur se atij i kanë mjaftuar qindra intelektualë dhe profesionistë të cilët e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje!

Këta janë heronjtë e heshtur!

Komento
Shperndaje