Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në gjurmët e Lekës – nga Marin Mema

Në gjurmët e Lekës – nga Marin Mema
May 10
13:51 2018

Nga: Marin Mema

 

Një nga kalatë më interesante e më pak të hulumtuara të Lek Dukagjinit është ajo që ngrihet në shkëmbin e Rajës siç e njohin banorët, pranë fshatit me të njëjtin emër në Tropojë. Vendi ku është ngritur është pak ta quash të vështirë. Ajo ka jo vetëm mbrojtje natyrore, por edhe mure të lidhura fort dhe thellë. Sigurisht e vetmja mundësi për ta arritur është duke ecur për jo pak kohë në këmbë mes një terreni të vështirë që kërkon kujdes të veçantë për të mos u rrokullisur s’dihet se ku në humnerat e thella.

Interesant është fakti se duke nisur nga Shoshi ndodhet ai që njihet si guri i Lekës, po kështu në pjesën e Pukës, shpella e Lekës, sofra e Lejës, Lisi, e shumë kala të tjera që sipas banorëve shkojnë deri në Prizren. Pra i gjithë territori që kontrollonte dikur kjo familje ruan këto toponime identifikuese.Dukagjinasit sigurisht kishin qendrat e tyre të mëdha siç ishin në periudha të ndryshme Lezha, Ulpiana, Sarda e deri Prizreni e me radhë. Megjithatë këto ishin qytete ku shpesh balancat e pushtetit ndryshonin, ç’ka do të thotë se familjet arbërore i jepnin një rëndësi të veçantë kalave më të vogla, por më të mbrojtura, siç është edhe kjo ku ndodhemi.
Pozicioni strategjik, por edhe ndodhja mes Dukagjinit, Tropojës, Pukës, Hasit e më tej tregon më mirë se gjithçka sesa me kujdes zgjidheshin vende të tilla. Nga të gjitha anët, përveç pjesës shkëmbore nga ne u ngjitëm, dominojnë rrëpirat e forta, vendi i kësaj kalaje është sa madhështor e mahnitës, në të njëjtën kohë edhe i frikshëm.

Koha ka bërë pjesën e saj dhe muret në masë dërrmuese janë shkërmoqur siç dallohet edhe tek gurët e shumtë të shpërndarë gjithkund. Ajo që mund të dallohet nga rrënojat është se kjo kala i ka fillesat që në antikitetin e vonë, por është përdorur edhe në mesjetë, pra në periudhën e Lekë Dukagjinit.Sipas legjendave ky është një ndër vendet nga ku Lek Dukagjini drejtonte rezistencën antiosmane pas vdekjes së Skënderbeut dhe më tej pushtimit të Arbërisë. Disa dhjetra metra më tej ndodhet edhe një shpellë ku në ato kohëra të turbullta strehohej popullësia e pambrojtur. Sigurisht të gjitha këto janë gojëdhëna të cilat bëhen edhe më tërheqëse në një vend të tillë…

Sa e bukur e sa histori ka në çdo cep të sajin Shqipëria, e sa pak për fat të keq ne e njohim dhe promovojmë. Një ndër to është kjo kala e mrekullueshme, për natyrën, historinë, frymën mistike e gjithçka tjetër që e rrethon. Pa harruar se e gjithë kjo zonë ka gjurmë të pafundme që vijnë nga kohët më të largëta. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje