Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Në gjurmë të një vendi të jashtëzakonshëm

Në gjurmë të një vendi të jashtëzakonshëm
February 20
20:37 2017

Nga Marin Mema

Rreth 7 kilometra nga zona e njohur si ura e Kardhiqit, rruga copëzohet në një luginë të gjerë e të rrethuar nga maja kodrash e malesh. Kohë më parë në këtë pjesë u pompua ndërtimi i rrugës që do ta lidhte me Delvinën, por ajo mbeti në vendnumëro ende pa filluar. Rreth katër kilometra më tej duken shtëpitë e Zhulatit, ku sot jetojnë 90 familje nga më se 200 të tilla që jetonin këtu deri në fillim vitet ‘90.

Këdo të takosh në fshat menjëherë do të artikulojë problemin e rrugës. Nëse hallet e tjera mund t’i kenë edhe individuale, këtë të fundit e kanë të gjithë të përbashkët. Nuk është e vështirë ta dallosh pozitën e dikurshme të fshatit, sepse mes shtëpive të reja ka edhe shumë të tjera që kanë ruajtur strukturën e dikurshme.

Në krye dallohen ende gjurmët e kalasë hijerëndë, e cila, sipas arkeologut dhe studiuesit Vladimir Qirjaqi, i ka fillesat e saj që në shekullin e tretë e të dytë para Krishtit, ndërkohë që përforcime të tjera i janë bërë edhe në periudhën e mesjetës. Edhe pse shumë e dëmtuar, ajo mbetet një tjetër vlerë e shtuar e Zhulatit historik.

Në vitin 1081, siç thotë edhe historia, Papa Zhuli nga Zhulati hartoi kanunin e parë, që rreth 700 vite më vonë u reformua nga Idriz Sulli.  Busti impresionues i këtij të fundit qëndron në qendër të fshatit, si vepër e një artisti të jashtëzakonshëm nga fshati të quajtur Murat Keraj.  Kanuni i Sullit, që shërbente deri në Çamëri, ndalonte gjakmarrjen, lejonte divorcin dhe shumë elemente të tjera që sollën zhvillim të madh për kohën.

Por pasuritë e Zhulatit nuk përfundojnë këtu…

Zona e Piriut, siç njihet nga të gjithë banorët e zonës, fsheh pas gjelbërimit të hazdisur edhe një tjetër vendbanim të lashtë, që ashtu si pjesa më e hershme e mureve të kalasë së Zhulatit daton që në shekujt 3 dhe 2 para Krishtit. Ende asnjë punim nuk është bërë në këtë zonë, për të mos thënë se ajo vështirë njihet edhe nga ekspertët e fushës e organet përkatëse. Sot për sot ky vendbanim fle i varrosur nga balta dhe pyjet kur mund të kthehej në një tjetër pikë të vizitueshme turistike.

Zhulatit mjafton t’i thuash emrin për ta lidhur me shekujt, është një vend që duhej të rridhte jo thjesht zhvillim, por edhe grupe turistësh që do të mund të shihnin e të gjenin këtu shumëçka nga historia identitare shqiptare./Blitz.al/

 

 

 

Share