Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Muçi i politikës apo Muçi i showbizit? Kur “Analcica” shitet për analizë…

Muçi i politikës apo Muçi i showbizit? Kur “Analcica” shitet për analizë…
March 19
23:04 2018

“Mos shko, o Trim!”

Dua ta nis me këtë thirrje marrë nga një prej skeçeve më të njohur shqiptarë të viteve ’90, ku aktorët Vasillaq Vangjeli dhe Skënder Sallaku i bënin thirrje Koço Devoles, Trimit në këtë rast, të mos merrte përsipër të hynte i vetëm në shpellë, se sado trim ishte, “do ta hante”.

Jam kurioz të di nëse gazetari dhe analisti i mirënjohur Mustafa Nano e ka menduar dy herë apo është konsultuar me ndonjë “plak të mençur” para se në emisionin e tij “Provokacija” në ABC News t’i hynte valles së Showbizit, duke analizuar fenomene shalësh e cicash në emisionet sportive shqiptare.

Bora Zemani dhe Ilda Bejleri ishin shënjestra e një analize, që në fakt e trajtuar nga një figurë si Muçi, me të cilin jemi mësuar të vëmë në diskutim të tjera çështje me rëndësi, të duket komplet në pozicion jashtë loje.

Është e kuptueshme nevoja për t’u bërë lajm kur drejton një emision, aq më tepër kur ditët e sotme, të urryeshmit portale nuk janë vetëm ato që shpërndajnë në masë të ashtuquajturit “Fake News”, por edhe ato që të bëjnë të shijosh statusin e më të klikuarit, të paktën për një javë rresht.

Ama këtë nuk na e priste mendja, Muç.

Sigurisht që justifikimi se në qendër të të gjithë këtij debati është fenomeni i veshjes dhe i zhveshjes, qëndron, ama këto të dyja as nuk lindën e as nuk do të vdesin me Ildën.

Kudo në botë, Muç, nëpër televizione, në vendet më të zhvilluara se Shqipëria jonë apo edhe në ato më pak të zhvilluara, shpesh vajzat marrin rolin e “imazhit” duke luajtur kryesisht me veshjen për të tërhequr audiencën. Ndoshta do të ishte më e saktë të flitej për strumentalizimin e figurës së gruas si objekt seksual, duke theksuar edhe një herë faktin se kjo nuk ka lindur e nuk do të vdesë me Ildën e Borën, por ky do të hapte një tjetër debat tepër të gjerë.

Ajo që dua të them është se veshja apo zhveshja e këtyre vajzave në vendin e tyre të punës, mund të jetë shqetësuese për syrin, për mendjen apo për efektet fizike që shkakton po aq sa kombinimi i këmishës jeshile me pantallonat e kuqe dhe çorapet e verdha që ti vesh në daljet e tua, Muç.

Sigurisht që edhe kjo mund të ketë një shpjegim; ti përpiqesh t’i japësh pak ngjyra politikës sonë të errët, të zezë pisk… përse nuk e lë dhe Ildën të lirë t’i japë pak hijeshi futbollit?

Nuk po mbaj anën e askujt, se kam rezervat e mia për Ildën si gazetare, ama kot i hyre valles së Showbizit, Muç.

Na e lër neve t’i hedhim këto hapa, jo se dimë ta bëjmë më mirë se ti, se karriera ime është një hiç krahasuar me tënden, ama Muçi na duhet për t’u marrë me Bejlerët e politikës që po sundojnë gjithçka u del përpara, e jo me Ilda Bejlerin që nuk i bën dëm askujt.

Na i lër neve shalët shpërthyese të Bora Zemanit, e më mirë merru për të sjellë në kujtesë shpërthime si ai i Gërdecit.

Në këtë situatë të mjerë që ndodhet Shqipëria, Muçi i guximshëm dhe trim na duhet më shumë për të thënë ca të vërteta për të cilat shumë nga kolegët e tu të studiove televizive heshtin se kanë mbushur xhepat me para.

Në këtë vend, ku shpesh politika i jep ngjarjeve nuanca Showbizi vetëm për të shkëputur vëmendjen nga problemet reale e për ta mbajtur popullin të verbër, na duhet Muçi i politikës, e jo Muçi i Showbizit.

Prandaj, “Mos shko, o Trim!” /Blitz.al/

Nga Elind Selenica

Komento
Shperndaje