Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mua s’më duhet rroga e Pezës, si t’ia bëj me kacidhet e mia…

Mua s’më duhet rroga e Pezës, si t’ia bëj me kacidhet e mia…
January 20
19:27 2017

Nga Suada Daci

Thonë se ne shqiptarët jemi populli numër një për t’u marrë me punët e të tjerëve dhe të mos shohim brenda metra katrorëve të shtëpisë sonë. Të them të vërtetën nuk jam aspak xheloze për rrogat e ish-shefave apo ish-profesorëve të mi (Alfred Peza  ka qenë njëri prej tyre. Më ka dhënë lëndën e revistës në Degën e Gazetarisë), por ia qaj hallin vetes se si të kursej ca lekë dhe t’i plotësoj disa dëshira minimaliste (ndonjë udhëtim, për shembull, në fund të muajit), edhe pse është shumë e vështirë.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, Peza nuk është “miliarderi” i parë i gazetarisë dhe me siguri nuk do të jetë i fundit. I frikshëm është hendeku i parave që merr një drejtues në media me një gazetar të thjeshtë.

U bënë më shumë se 9 vite që jam pjesë e medias e prej 5 vitesh e dy (apo me raste) edhe trepunësuar dhe mund të them me plot gojën se në Shqipëri me rroga normale mujore vetëm mund të mbijetosh, jo të jetosh.

Në këtë farë derexheje janë edhe shumë nga kolegët e mi, të cilët me ose pa të drejtë kanë zgjedhur të punojnë me paga minimaliste, sepse në fund të ditës ato lekë u duhen.

Po ka një por… nuk e dimë nëse Peza mendon se i ka merituar ato para dhe a e kanë bërë ato më të mirë gazetarinë në Shqipëri!

A e kanë ndihmuar ato para si drejtues medie për të rritur standardin e gazetarisë? Se në këto 25 vitet e fundit askush nuk mund ta thotë një gjë të tillë.

Pra logjikisht rroga e majme e Pezës thjesht sa ka majmur llogaritë e tij bankare, jo gazetarinë që sot është në ditën e saj më të vështirë…

Do të thoni ju, ç’ju duhen problemet dhe vështirësitë e mia apo të të gjithë gazetarëve kudo që ndodhen? Dhe me të drejtë, por desha të theksoja që nuk është aq kollaj të ndërtosh një të ardhme të sigurt në Shqipëri, vetëm me rroga mujore (që disa media t’i japin edhe njëherë në tre muaj), nëse nuk je vegël ose sahanlëpirës i ndonjë partie apo nëse s’e ke mirë me ndonjë financues të fuqishëm.

E derisa të vijë dita që brezi im dhe i kolegëve të mi të jenë në poste drejtuese (keq na vjen për 40-vjeçarët aktualë drejtues të mediave, që na shohin sikur do t’u marrim vendet e punës), mua dhe shumë të tjerëve si unë do të na duhet të numërojmë edhe kacidhet e fundit që na mbeten nga ditët e fundit të rrogës mujore ose t’i marrim borxh edhe ndonjë miku  (se kush duron mamin… kur thotë se ku i harxhuam lekët) në fund të muajit…

 

Shperndaje