Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mrekullia e Danjës – nga Marin Mema

Mrekullia e Danjës – nga Marin Mema
May 21
18:18 2018
Nga: Marin Mema
I kredhur mes majave të thepisura të Vaut të Dejës, qëndron ende edhe sot qyteti i dikurshëm i Danjës. Sigurisht nga madhështia e dikurshme pak ka mbetur, megjithatë rrënojat tregojnë jo pak për zhvillimin mesjetar. Sipas të dhënave  ky qytet pati një jetë intensive sidomos nga shekulli i XI deri në atë të XV kur edhe u shkatërrua nga trupat osmane. Aq thelbësore ka qenë kjo qendër sa për të u mpleksën furishëm jo vetëm interesat e princërve të Arbërit, por edhe Venedikut.
Në dasmën e Mamicës, motrës së Skënderbeut, Lek Zaharia zot i Danjës dhe Lek Dukagjini një ndër fisnikët më të fuqishëm të kohës, u përplasën ashpër me njëri tjetrin. Konflikti nisi për dashurinë e Jerinës, vajzës së prijësit të Zadrimës. Ajo nuk ishte dama e lashtë, por autorët e tregojnë aq të bukur sa marrosi të dy princërit arbërore. Në dasëm u zhvillua një betejë e vërtetë nga e cila u shkaktuan mëse 100 të vrarë e rreth 200 të plagosur. Siç shkruajnë Marin Barleti e Fan Noli, festa u përgjak sepse vajza e re, zgjodhi Zaharinë. Megjithatë pas çështjeve të zemrës fshihej edhe rivaliteti normal për kohën, e mbi të gjitha për të zotëruar Danjën.Historia vijon me vrasjen e Lek Zaharisë, me marrjen e Danjës nga Venediku që thërriti në mbështetje edhe osmanët, me betejat e ashpra të Gjergj Kastriotit e shumë elementë të tjerë që ngërthehen në këtë vend kaq pak të shpluhurosur. Goditjen përfundimtare qyteti e mori nga Sulejman Pasha diku në vitin 1474. Nga ai moment qendra u kthye në objekt kujtimesh të kalimtarëve të ndryshëm siç janë konsulli francez Hekard apo Degrandi. Sigurisht mjaft arkeologë në periudhën e komunizmit e kanë hulumtuar këtë vend, të cilit për fat të keq sot nuk i njihet thuajse fare ekzistenca.

Gjatë gërmimeve janë saktësuar edhe rrënojat e rezidencës së dikurshme të Zahariajve që mbrohen nga një mur i dytë rrethues. Sipas arkeologut Gjergj Saraçi i cili ka sjellë në vitin 1993 një ekspoze të detajuar të Danjës, hapësira e rezidencës së tyre prej 0,2 hektarësh ka një sipërfaqe më të madhe se ajo e familjeve të tjera arbërore, përfshirë edhe atë të Kastriotëve në Krujë.

Sot pamja që ofron ky vend me luginat e arta të Zadrimës, liqenin e Vaut te Dejës, monumente, natyra, janë një mrekulli. Ato në tërësi përbëjnë një trashëgimi e gjitha e mbështjellë në një hapësirë të vetme, që dikur njihej si qyteti i Danjës.

Komento
Shperndaje