Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mozzik-Getinjo vs. On Records: Kush do ta hapë “kutinë e Pandorës”?

Mozzik-Getinjo vs. On Records: Kush do ta hapë “kutinë e Pandorës”?
January 13
14:30 2018

Kohët e fundit, po dëgjojmë gjithnjë dhe më shumë për marrëdhënien e artistëve me kompani apo studio diskografike, që parapëlqehen të quhen label-a muzikorë.

Mozzik dhe Getinjo, dy nga reperët më të njohur në vend, prej vitesh ishin pjesë e label-it kosovar, “On Records” të drejtuar nga Mehmet Elshani. Çdo këngë e dy reperave, gjenezën e kishte në studion e këtij labeli nga kompozitorët e producentët Zzap and Chris.

Me “divorcin” aspak paqësor mes artistëve dhe label-it dolën në pah dhe problemet që marrëdhënia mes dy palëve kishte në vetvete. Në deklaratën e tij, drejtuesi i label-it u shpreh se askush nuk ka të drejtë të luajë këngët e dy reperave pa lejen e kompanisë sepse kjo e fundit ka të drejtat e plota për këto produkte, si dhe për imazhin e reperave. Duke shkuar akoma dhe më tej, të gjitha këngët e Mozzik dhe Getinjo janë fshirë nga YouTube përveç pak bashkëpunimeve, ku dy artistët janë të ftuar dhe jo drejtues të këtyre bashkëpunimeve. Ndërkohë, në Tidal, Spotify dhe platformat e tjera online muzikore këngët e Mozzik dhe Getinjo mund të luhen.

Kjo mund të themi se përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në atë shqiptare, por edhe në atë më gjerë.

Në tregun muzikor shqiptar nuk është hera e parë që artistët shkëputen nga marrëdhënia simbiotike me labelat, të cilët këtu në Shqipëri janë 180gradë ndryshe nga ata jashtë vendit, por ama është hera e parë që produktet muzikore fshihen dhe u jepet një “delete all”.

Era Istrefi u largua nga bashkëpunimi me menaxherin e saj, Faton Shoshi dhe label-i Nesër Music, Tuna u largua nga Babastars, Enca po ashtu nga OTR, Ronela Hajati e Young Zerka nga Max Production e të tjerë, por ama në çdo platformë muzikore mund të gjesh të gjitha produktet. Madje, as këngët e Baby G, nën logon e “On Records” nuk janë fshirë edhe pse këngëtarja nuk u largua paqësisht nga kjo kompani.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Në një label të mirëfilltë muzikor, bazuar në çfarëdolloj kontrate, të drejtat muzikore sjellin përfitime. Fillimisht, një label ka një buxhet të caktuar që mund të jetë X shifër, i cili nuk vetëm për pagesat e artistëve, kompozitorëve, tekstshkruesve, producentëve apo edhe vetë zyrtarëve të  labelit. Ka një pagesë që shkon për promocionet, për kostot e koncerteve, albumeve, lajmeve në media dhe më pas, pasi muzika dhe koncertet kanë dhënë fryte, grumbullohen para që shkojnë për të paguar kompaninë e më pas, çfarë mbetet shkon tek artistët.

Pra, nëse një label fiton nga artisti 100,000 dollarë, ky i fundit mund të marrë vetëm 10,000$ dhe kjo është kostoja që duhet për të qenë pjesë e një labeli.

Kështu funksionojnë kompani të mëdha muzikore si Columbia, Sony, Atlantic Records, Ultra e të tjerë me rradhë. Askujt nuk i intereson që një produkt të fshihet sepse në fund të ditës, të ardhurat nga ky produkt shkon për label-in e më pas të artisti. Fundja, Jay Z e kishte të vështirë të fshinte çdo këngë të Rita Orës?!

Kjo është dhe një nga arsyet pse artistë me famë ndërkombëtare nuk fokusohen vetëm në muzikë, por edhe në parfume, linjë veshjesh, dyqane, biznese, kompani shampanjash e verërash etj.

Dhe vijmë tek rasti ynë konkret, fare i freskët.

Nëse “On Records” do të kishte të drejta të plota mbi Mozzik dhe Getinjo, pse do të fshinte çdo këngë të tyren që rrjedhimisht përkthehen në të ardhura për vetë kompaninë?

Nga ana tjetër, dy reperat kanë “credits” në këngët e tyre, që do të thotë se atyre u përket një “copëz” nga keku i madh sepse nuk janë vetëm këngëtarë në produkt, por edhe tekshkruesë. Dhe një teksshkrues ka mjaftueshëm mundësi për të pasur të drejta mbi këngët, të cilëve atyre u ka shkruar tekstin. Po me dy djemtë çfarë ka ndodhur?

Një vijë logjike të çon vetëm te një përgjigje: Pas deklaratave të të dy palëve ka shumë të pavërteta dhe detaje të patreguar, që dikush po përpiqet t’i fshehë.

Blitz.al kontaktoi me menaxherin e kompanisë muzikore për të siguruar një kopje të kontratës kaq shumë të përfolur, por Elshani është shprehur se kjo kontratë është konfidenciale dhe nuk mund të jetë e aksesueshme nga media.

Jemi të sigurtë që nga proçesi i parë deri tek ai i fundit gjyqësor mes dy palëve, versionet e largimit të Mozzik dhe Getinjo do të ndryshohen herë pas here, ama ajo kontratë është “kutia e Pandorës”, e cila do të hapë edhe njëherë debate për mënyrën se si po funksionin marrëdhënia artist-label/menagment.

Deri atëhere nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim se si të dy palët do të akuzojnë njëra-tjetrën në Instagram. /Blitz.al/

Shperndaje