Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Mos u zini, mos u grini”, Brad Pitt është i … imi!

“Mos u zini, mos u grini”, Brad Pitt është i … imi!
September 23
12:14 2016

Tani që kanë kaluar më shumë se 48 orë nga ndarja më e bujshme e vitit, ajo e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, sigurisht edhe histeria e rrjeteve sociale ka filluar të bjerë dhe jemi në kërkim të ndarjes së radhës, sepse vetëm kështu këta personazhe na duken sikur janë më pranë nesh dhe dështimet tona marrin më tepër vlerë kur të njëjtën gjë bëjnë edhe këta “të famshmit”, që shpesh i konsiderojmë të përsosur e të pagabueshëm.

Duke lexuar shumë për ndarjen e tyre, shkaqet, pasojat, rrjedhën kronologjike të ngjarjeve dhe të gjitha me radhë, mund të them me bindje se e shijova. Unë, ashtu si shumë femra, të njohura e të panjohura, që ndjek dhe më ndjekin në rrjete sociale, u bëmë bashkë ashtu, me një “kontratë imagjinare” sensibilizimi, për të përfituar nga kjo ndarje e Jolie dhe Pitt duke ngritur lart në gjithë këtë histori rolin e Jennifer Aniston, gruas që u tradhtua nga Brad Pitt me gruan më të bukur në botë, Angelina Jolie, e që papritur u kthye në “dashnoren që të gjitha e urrejmë”. Shijova të gjithë paradën e “meme”-ve në Instagram, madje desha edhe vetë të postoja fotografinë e Aniston duke thënë se: “Karma ekziston!”. Por papritur, teksa lundroja në internet, i cili ishte zaptuar nga një tërbim kundrejt Angelina-s, argëtimi m’u kthye në reflektim.

U trondita se si figura e Angelia Jolie – femra më e bukur, aktorja më e mirë, femra më e fortë, nëna e përsosur, modeli i humanitares dhe një sërë atributesh si këto që ne vetë i kemi manifestuar gjithë kohës – u shuan dhe në një fraksion sekonde ajo u vesh me pamjen e dashnores, asaj që “mirë iu bë”, “do t’i vinte dita të mërzitej” dhe “kështu është kur rrëmben një dashuri”. Në këtë metamorfozë të figurës së saj nuk përktheja gjë tjetër veçse xhelozi të sëmurë femërore dhe një instinkt primitiv për t’u kolektivizuar në një opinion që vjell vrer. Pse femrat duhet të gëzohen për hidhërimin e një tjetër femre? Pse femrat duhet të çmitizojnë një femër tjetër vetëm për të mos u ndier dështake? Pse femrat duhet të mbrojnë një femër duke hedhur baltë mbi një tjetër?

Femra! Edhe pse historia ka një premisë të frikshme për t’u përsëritur dhe për të vendosur gjërat në vendin e duhur, sërish në mes të kësaj drame mbetet një femër dhe dështimi apo hidhërimi i një femre nuk duhet të jetë kurrë burim lumturie për një femër tjetër.

Ne, si femra, dashurojmë dhe dashurohemi, tradhtojmë dhe tradhtohemi, përflasim dhe na përflasin, por kurrë, asnjëherë, asnjëra prej nesh nuk meriton përçmimin, arrogancën apo ngritjen e një gishti përqeshës së një femre. Nëse që në momentin e parë vendosim me shpatulla pas muri një femër, atëherë pse ulërijmë për barazi gjinore? Nëse në momentet më delikate përbuzim një femër, atëherë pse protestojmë për të drejtën e femrës? Nëse në një situatë ku hidhërohet një femër, ne i kujtojmë karmën, atëherë pse dreqin luftojmë për sensibilizimin dhe forcën e femrave?

Ndërkohë që ne gjykojmë një femër se atë do ta ndjekë “fati i dashnores”, me siguri një mashkull është duke përkëdhelur një tjetër femër, që shumë shpejt do ta hedhim në një nga rrathët e ferrit dedikuar dashnoreve, ndërsa sërish, i njëjti mashkull, të jetë duke përgatitur një dashnore të re, gati për ne të gjitha që kemi shtizat në dorë dhe me zor presim shënjestrën e radhës, që sigurisht do të jetë femër dhe ajo gjithmonë do të cilësohet dashnore. Do të mbetet dashnore edhe kur të jetë duke lotuar, do të mbetet dashnore edhe kur të jetë e mbytur në hidhërim, do të mbetet dashnore edhe kur të krijojë familje, do të mbetet dashnore edhe kur me atë mashkull të kenë 6 fëmijë, si Angelina Jolie!

Femra: Unë, ti, Angelina Jolie, Jennifer Aniston… ne nuk kemi asnjë garë me njëra-tjetrën. Një mashkull nuk është pronë! I dashuri im nuk është prona ime, i dashuri yt nuk është prona jote, Brad Pitt nuk është prona e askujt. Një ditë ai mund të jetë i imi, i yti, i ndonjë tjetre ose i ndonjë tjetri, ndaj nuk mund të “zihemi” dhe të baltosim fytyrën e njëra-tjetrës për diçka që nuk është aspak e jona. Eja luftojmë për ide, botëkuptime, shpirt apo pasione. Por ju lutem, jo për një mashkull, as nëse ai është Brad Pitt.

S.M.

Komento
Shperndaje