Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mjeshtrat lunxhiotë që mahnitën Europën – nga Marin Mema

Mjeshtrat lunxhiotë që mahnitën Europën – nga Marin Mema
December 14
14:29 2017

Nga: Marin Mema

Historia i njeh mjeshtrat lunxhiote që në kohët më të hershme. E ky nuk është një pohim folklorik apo i mbështetur në gojëdhëna. Për ta kuptuar këtë mjafton ti referohesh një numëri të madh studiuesisht apo historianësh , të cilët kanë vënë në dukje aftësitë e rralla të mjeshtrave të ardhur nga kjo krahinë. Kjo aftësi e lunxhiotëve nuk lidhej me ndërtimin e shtëpive apo fortifikimeve, por veprave hidrike, çka e treguan edhe përtej territoreve shqiptare.

Njoftimet për ta i hasim që në shekullin e 17 , kur grupe, grupe ata udhëtonin kudo nëpër perandori duke lënë pas gjurmët e veprave të tyre. Evlija Çelebi, udhëtari i famshëm i Perandorisë Osmane i përmend në këtë periudhë për punët e tyre në Stamboll, dhe vëmendjen që kishte ndaj tyre edhe vetë sulltani. Ëilliam Martin Lik, Ami Bue e Hahn janë vetëm disa ndër studiuesit e udhëtarët e tjerë që kanë përshkruar mjeshtrinë e tyre. Kudo veprat e lunxhiotëve tregoheshin si ndër më të arrirat, e siç thonë të gjithë ata që i kanë prekur , kjo ishte një mjeshtri e mbartur kudo nepër fshatrat e kësaj krahine që ndodhet shumë pranë Gjirokastrës.

Ujësjellësit e mbështetur mbi harkada, ata nën dhe mbitoksorë ishin specialitetet kryesore të lunxhiotëve të cilët gëzonin edhe një dekret sulltanor për tu marrë me këto vepra hidrike. Sipas dokumentave që citohen nga profesor Zija Shkodra në një studim të thelluar për Lunxhërine, rezulton se nga 400 specialistë që kishte Stambolli në fillim të shekullit të 19, plot 100 prej tyre ishin nga kjo anë. Është kurioz fakti se lunxhiotët pavarësisht se ishin të njohur në realizimin e veprave ndërtimore, shtëpitë e tyre nuk i kanë ndërtuar vetë. Ato në masë dërrmuese janë ngritur nga mjeshtra të ardhur nga zona të tjera, të cilët bazuar në vizionin e sjellë nga lunxiotët e kurbetit u ngritën edhe shtëpitë .

Dora e tyre është ndjerë në ujësjellësin e Janininës, Tepelenës, Gjirokastrës, Stambollit, Prevezës, Santa Mauras, Korinthit e shumë qyteteve e zonave të tjera që ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Lunxhiotët ishin ekspertë edhe në ndërtimin e çezmave monumentale, banjove publike çisternave të ujit, kanaleve ujitëse e mjaft veprave të tjera të këtij lloji. /Blitz.al/

 

Shperndaje