Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Midis brezash…

Midis brezash…
June 27
12:09 2017

 

Nga Kozeta Kurti

… sepse gjithsecili prej nesh ndesh çdo ditë togfjalëshin “luftë brezash”, por rrallëherë fokusohemi tek analiza e brezit.

Çfarë është një brez? Asgjë më shumë përveç njerëzve të cilët kanë lindur në të njëjtën kohë, kanë thuajse të njëjtën moshë dhe jetojnë në të njëjtin kontekst social, shoqëror, historik… Kaq! Askush nuk e bën një brez më të mirë apo më të keq se një tjetër vetëm sepse ka lindur në një kohë tjetër. Mosha nuk është atribut dhe vlerë e shtuar për askënd.

Ditët e para të punës sime të re, sa herë kam ndërruar vend jam munduar të prezantohem me kolegët, për shkak se e kam konsideruar punën time si proces zinxhir, ku nëse njëra nga hallkat nuk funksionon si duhet, qëllimi final është thuajse i pamundur të arrihet.

-Përshëndetje! Unë jam Kozeta.

-Përshëndetje, unë jam filani, kam 30 vjet këtu… fisteku, kam 40 vjet këtu e kështu me radhë… Përse askush nuk tregon se çfarë ka bërë në këto 30, 40 vjet…? Përse askush nuk ofrohet të më ndihmojë me këtë arsenalin e dijeve dhe të përvojës që ka? Përse askush nuk beson dhe nuk begenis që edhe mund të përfitojë nga energjia ime, nga mosha ime…?

Përse m’i presin krahët kur mundësitë modeste që kam ua ofroj më të rinjve? Përse e paragjykojnë punën e tyre që në embrion, pa e parë… dhe dreqi e mori ku do mësojnë ata të përballen me jetën, me pasion-profesionin e tyre për muzikën, teatrin, kinemanë, televizionin, spitalin, zyrat e avokatisë… gjithçka?

Unë nuk të dua, nuk dëshiroj ta ndaj kohën time të lirë me ty, nuk dua të të kem as shok, as shoqe, hiç! Por nëse je më i miri a më e mira për atë që bën, mirë se erdhe!

Ç’kuptim ka të jem gazetare e mirë, por të kem operatorë, montazhierë e grafistë mediokër?

Ç’kuptim ka të jem regjisore e mirë, nëse punoj me një kast aktorësh mediokër?

Ç’kuptim ka të jem kompozitor i përkryer, kur kam një tekstshkrues, një orkestrues e një këngëtar të dështuar?

Ç’kuptim ka të jem kirurge e zonja, kur stafi im i ka ndërruar diplomat me dy kilogramë domate?

Ta hajë dreqi, përse pedagogët e mi, nuk e pranojnë që u është prerë filmi në mesjetë dhe pedagogjia ka ecur? Pse u vjen inat atyre që unë e kam superuar metodën e tyre të mësimdhënies për shkak të aksesit që kam në informacion dhe më ka humbur interesi për shkollën? Sigurisht që më ka humbur, sepse ata kanë mbetur liliputë, kurse unë jam rritur dhe ata s’e pranojnë.

Përse nëna ime më bën krahasime: Ju nuk jeni as për veten tuaj, sepse në kohën tonë zgjoheshim në tre të mëngjesit, mbanim radhë, rritëm fëmijë, punuam me tre turne, pritëm e përcollëm njerëzit, jetuam tri kurora në një shtëpi dhe nuk na u ndje zëri i gojës?

Nëna ime e shtrenjtë, unë ta çmoj sakrificën ty dhe gjithë heronjve e heroinave të tjera, por përse nuk duhet të fle më shumë se ty, përse duhet të punoj me tre turne, përse duhet të bëj gjithçka ke bërë ti që të konsiderohem e suksesshme?

Njerëz, secili prej nesh ka vendin dhe hapësirën e tij në tokë! Askush nuk ka ardhur në këtë botë për të marrë atë që keni ju, por atë që i takon vetë, e drejtë që i buron me jetën.  Lërini të frymojnë dhe frymoni edhe ju në hapësirat tuaja!

Shkoni me pushime, dëgjoni muzikë, pini verë, puthuni, bëni dashuri… Jetoni pra!/Blitz.al/

Share