Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Më thuaj sa e do Europën, të të them sa shqiptar je!

Më thuaj sa e do Europën, të të them sa shqiptar je!
March 23
10:51 2016

Hajria është një zonjë e moshuar në lagjen time. Si çdo pensionist, edhe ajo shqetësohet mëngjeseve nga zhurmat e makinave të atyre që shkojnë në punë. Kafen e mëngjesit preferon ta pijë me komshien moshatare, Shpresën, sepse vetëm nga ballkoni i Shpresës mund të vërehet e gjithë lagjja me lehtësi. Prej aty mund të komentohet Manjola, e cila kthehet nga vrapi i mëngjesit; Tomi, i cili vrapon për të marrë paratë e fituara në skedinën e djeshme, tek lotoja poshtë lokalit; Sonja, adoleshentja e lumtur e cila dorë për dore me një shok të sajin kanë vendosur të mos e marrin parasysh elementin “shkollë” në një ditë me diell si kjo. Pasi është kryer inventari i të gjithë banorëve të lagjes, fillon, bashkë me kthimin e filxhanëve të kafesë turke, komenti mbi telenovelat e djeshme. “Maskarai! E tradhtoi gruan për atë qelbësirën!”, “Po si moj nuk ia tha të vërtetën në sy për vrasjen, po shkoi dhe i dërgoi letër anonime?”, “Po pse ndahet ajo nga ai, ai është alamet burri, sjell gjithë ato para në shtëpi!”. Dhe pasi kanë mbaruar skenarët e përsosur e për t’u marrë shembull fillon pjesa më e bukur: diskutimi mbi aktualitetin, sidomos atë politik. “Dreqi ta hajë, me këto marifete që bëjnë këta politikanët tanë, as në qershor nuk kemi për ta marrë statusin!”. Nga ana tjetër, ndërkohë, vjen një konfirmim i pikëlluar me kokë: “Ah, ku këta tanët dhe ku Europa!” Pikërisht këtu, me këtë pesimizëm të marrjes së statusit mbaron dhe kafja e mëngjesit.

Mira është parukiere në lagjen time. Ajo e ushtron këtë profesion prej shumë vjetësh dhe është vërtet e zonja në atë që bën. Mëngjesi i nis me një kliente të përhershme, Linditën, e cila bën makijazhin çdo ditë, sepse shkon në punë e përgatitur. Lindita punon operatore në “Call Center”. Rroga e saj sigurisht ia justifikon të ardhurat në parukieri për çdo ditë. Megjithatë, pak çaste pas rënies dakord për modelin e flokëve të cilin preferon për sot, nis dhe diskutimi i radhës. Këtë herë bëhet fjalë për Mozën, atë të katit të pestë. Është e divorcuar dhe mirë kjo, por nuk ka turp dhe shoqërohet me një mashkull tjetër tanimë. Kjo nuk është asgjë fare, ta krahasosh me Laurën e katit të gjashtë, u bë tre vjet e martuar dhe nuk ka bërë ende fëmijë. Po Nikoleta? Ajo e pallatit ngjitur, ka guxuar të martohet me një të huaj, madje  gatuan edhe pjata spanjolle, meqë ai është nga Spanja. Ka harruar traditën tonë e përpiqet të shesë mend me atë spanjollen. Ndërsa ai që përbën vërtet problem është Agimi. Ky i fundit vjen ditë për ditë dhe sjell fëmijët në kopsht, a thua se i ka hije një burri me profesion avokat si ai! Po çfarë të flasësh për Agimin, mesa duket e rreh gruaja! Pas kësaj seance psikoanalize në parukieri, vjen dhe fundi i bisedës bashkë me argumentin më të fortë për të mbyllur çdo diskutim: “Ja, se nuk u futëm që nuk u futëm në Europë, s’është shtet ky i yni, jo! Politikanët tanë mendojnë vetëm për veten e tyre e na lënë edhe neve, pa Europë, si pasojë”.

Donaldi është një student në lagjen time. Ai studion për Drejtësi, ashtu sikurse të gjithë të tjerët që janë aktualisht në kafe-barin ku ndodhet ai. Ora është rreth 11:00 e paradites, faktikisht ky orar i përket seminarit, por pedagogu i lëndës është shumë i zënë tek ai universiteti privat, ngjitur me atë publikun, e nuk ka kohë mjaftueshëm. Megjithatë, edhe diskutimi në kafene frytdhënës është. Sidomos një kafe mes avokatësh të ardhshëm. Pas një debati konstruktiv se ku do të kalohet fundjava e ardhshme, në klubin X apo Y, më në fund vjen dhe diskutimi i artë, ai i përditshmi, mbi politikën, sigurisht. “Mirë që po e mbarojmë këtë shkollë, po ku do ikim më pas, o vlla?” dhe sigurisht pala tjetër më një siguri prej matematicieni: “Po do futemi në punë shteti, o burrë”. Pas kësaj përgjigjeje dhe punës tashmë të gjetur, një rehati Bahamas-i kaplon mendjet dhe trupat e të rinjve, të cilët merakosen tanimë për statusin e anëtarit të BE-së, në qershor. “Mirë do ishte të ishim fut’ në Europë, po me këta politikanë as mos e ço nëpër mend!”; “Sa të jenë këta që janë, harrojeni Europën”; “Ore, këta ku të zhvasin përvete, çfarë Europe thoni dhe ju?” Dhe fill pas argumentimit, siç u ka hije dy studentëve, juristëve të ardhshëm, zilja e telefonit ndërpret paraditen e bukur. Këtë herë është Erioni, i thërret të hanë një drekë me pedagogun e Penales, ka marrë dhe raki të mirë me vete, nuk duhet anashkaluar fakti se po vjen sezoni.

Kiara është vajza më çapkëne e lagjes time. Ajo është vetëm pesë vjeçe, por hareja që përçon  me zhurmën, imagjinatën dhe gjestet e një fëmije të jep përshtypjen sa ka qenë aty përherë. Dita e saj nis me ikjen në kopsht, pasi është veshur si idhulli i saj Lady Gaga – këngëtare, jo personazh vizatimor – dhe ka lyer vetëm pak buzët fshehurazi mamit, sa për të bërë një foto interesante për ta hedhur ne Facebook, “live”, nga kopshti duke bërë një “selfie” me shokët e shoqet atje. Në kopsht flasin mbi Europën dhe ëndrrën e madhe të integrimit atje. Fëmijët vizatojnë me përkushtim dhe zell të madh flamurin europian, hartën e Shqipërisë përbri, fishekzjarrë, ngjyra të ndezura, fytyra të lumtura njerëzish, një çlirim i madh. Vështirë se do të ekzistonte temë tjetër që do t’i ngazëllente më tepër fëmijët. Kjo duket edhe nga reagimi i edukatores së tyre, Mirelës, e cila prej kohësh po pret integrimin ne Europë, medoemos, po pret edhe ajo një fitore të madhe kolektive.
Unë jam një banore e lagjes time. Jam studente dhe e nis mëngjesin tim duke shijuar pikërisht këtë pamje. Dhe, sigurisht, në një orë të caktuar, si gjithë të tjerët, flas edhe unë për Europën. Disa fjalë i kam dëgjuar në televizor dhe përpiqem t’i riprodhoj për të ngjarë e zgjuar. Europa për mua është ëndërr e madhe, por për dreq këta politikanët tanë nuk janë të aftë sa duhet për të marrë statusin. Te gjithë kështu mendojnë. Edhe xhaxhi Berti, mekaniku i ashensorit, kështu më tha një mëngjes: “Nuk na i ka fajin Europa që nuk hyjmë dot ne, i shikon këto hekura ashensori si janë prishur? Të rregulloja këtë ashensor, në këtë gjendje në Itali, më kishin futur në burg sepse shanset e rregullimit të tij janë të pakta, por tjetër nuk mund të marrim, sigurisht, nuk paguan njeri”. E çuditshme se si mendon fiks kështu edhe Taulanti, i cili i hedh plehrat që nga kati i fundit, synon ta bëjë kosh një ditë, që më pas të ketë motiv për t’u futur në basketboll, por u bënë nja ca vite që nuk shënon në shenjë. Për inat, edhe ai mali me plehra sa vjen e rritet i ka penguar dhe fushëpamjen. Ndërsa Gimi e do Europën, sepse ka vende shumë për të parkuar. Gimi është kamionist. Çdo ditë e parkon kamionin e tij përpara hyrjes në pallat. Bllokon të gjithë qarkullimin për orë të tëra, por nuk ka faj ai, fajin e kanë këta politikanët tanë, të cilët nuk po futen që nuk po futen dot në Europë.

Të gjithë ne, banuesit e lagjes tonë, jemi shqiptarë. Njohim mirë kulturën dhe traditën e vendit tonë. E ruajmë këtë identitet dhe do të bënim gjithçka për t’u futur në Europë. Ne e meritojmë, jemi lodhur vërtet shumë. Nuk gjendet vend tjetër i dytë që flet për integrimin me kaq pasion, dinamizëm e zjarr, sa ne shqiptarët. E kemi pikë referimi të fokusit tonë, vërtitemi e vërtitemi rreth saj dhe e vetmja, po e vetmja gjë, që na pengon janë këta politikanët. Ah, sikur të mos mendonin vetëm për veten, e ta merrnim statusin! Edhe kështu po e presim integrimin si ujin e pakët. Askush nuk e di se për çfarë arsyesh, çfarë fitimesh do të kemi ne si popull nëse bëhemi pjesë e familjes europiane. Por pak rëndësi ka kjo, për aq kohë sa ne po e thërrasim me sa kemi fuqi. Dhe kur të vijë dita që do të marrim konfirmimin për hyrjen në Bashkimin Europian, pas festës së madhe do të na kaplojë trishtimi. Vallë, për çfarë do flasim mëngjeseve? Megjithatë, kot merakosemi, deri atëherë mbase do të jetë shpikur ndonjë kontinent tjetër, ku do të duam të bëhemi pjesë, politikanët që mendojnë vetëm për veten prapë do të na pengojnë, por ne do ia dalim, sepse ne kemi forcën e fjalës. Aq sa flasim ne nuk ka kontinent të mos na pranojë.
Ndërkohë që përfundoj edhe ditën e sotme, heq kryq një ditë tjetër më shumë në kalendar, në pritje të Europës; nuk e di saktësisht se çfarë duhet bërë dhe cilat janë kriteret që një vend të futet atje, por për një gjë jam e sigurt, do të vazhdojmë të diskutojmë akoma më shumë, ashtu si femrat lozonjare, do t’ia marrim mendjen Europës e ajo nuk do të ketë nga t’ia mbajë, kjo është pak por e sigurt. Ah, në të kapshim moj Europë!

 

Shperndaje