Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Me pushime… vetëm!

Me pushime… vetëm!
September 18
14:26 2016

Jo unë, unë do të nisem për pushime, por do të jem edhe me nja 5 njerëz të tjerë me vete. Ata që më kanë “friend” në Facebook do të mund të informohen vazhdimisht për itinerarin tim, për vendet ku do rri, për pjatat që do ha. Instagram-in dhe Facebook-un për çfarë e kemi tjetër?

Për çfarë e kemi tjetër, përveçse për të treguar jetën tonë në një dimension që na pëlqen që të tjerët të shikojnë, që shpesh nuk i korrespondon realitetit, por edhe kjo është diçka njerëzore. Po aq njerëzore sa të kënaqesh duke “vëzhguar” dhe hetuar mbi jetën e tjetrit, që t’i nxjerr të gjitha gjërat vetë në tabaka, s’ke nevojë më as të përgjosh nga vrima e çelësit.

Foto, foto, check-in-e pa fund. Në Turqi, në Korfuz, në Francë, në Itali, në Afrikë, Amerikë, kudo. Tashmë kemi mundësinë të lëvizim dhe të shkojmë kudo që na do kokrra e qejfit. Jo, më falni, nuk po flisja për të gjithë. Vetëm ata që kanë mundësi, ata që kanë mundësi të shkojnë në këto vende… vetëm!

Me siguri edhe ju e keni vënë re, do keni në Facebook-un tuaj ndonjë mikeshë që udhëton shpesh, shkon në vendet më të bukura, plazhe ekzotike, në vende historike, romantike dhe rreshton albumet me nga 40-50 foto, të gjitha vetëm!

Tani po bëhem pak thashethemexhije, por mos u bëni hipokritë, të gjithë e keni menduar. Kujt i buzëqesh kjo zonjushë pas aparatit? Kujt po i ngre dolli? Po atë tabelën “e rezervuar” kujt po ia tregon?

Ups, ja edhe një foto teksa darkon në një restorant shumë të shtrenjtë në Kanë, duken shishet e shampanjës në sfond, deti, një dorë me lesh dhe një orë “Rolex” në të.

Të ndalemi te kjo dora me lesh (nuk tingëllon shumë mirë, por le të ndalemi pak)! Ka një simbolikë shumë të fortë këtu.

Dhe më në fund kuptuam diçka. Kuptuam që kjo zonjushë nuk qenka edhe aq vetëm nëpër këto vende luksoze. Qenka me një dorë, me një dorë me lesh. Patjetër kjo dorë duhet të ketë edhe një portofol shumë të madh, sepse përndryshe zonjusha dhe dora nuk shijojnë dot këto ambiente ekskluzive!

Pse pronari i dorës nuk dëshiron të shfaqet nëpër foto? Nuk njohim zotërinj kaq të turpshëm. Një arsye ka dhe zakonisht është se ky pronari i dorës me “Rolex”, dorën tjetër e ka me ndonjë unazë.

Jemi në një vend të lirë dhe të gjithë kanë të drejtë të shkojnë me kë t’u teket e të bëjnë si mendojnë, sigurisht unë s’jam askush që t’u jap mend të tjerëve.

Prit njëherë, kush e shkroi këtë fjalinë e fundit? Si qenkam unë askushi? Unë jam z.digjithçka ore dhe mund t’ju jap disa mendime. Po s’i deshët, e dini ç’të bëni me to!

Tani t’i lëmë mënjanë shakatë, por të kthehem te thelbi, thelbi!

Gjithnjë e më shumë këto zonjusha frymëzojnë zonjusha të tjera që të mendojnë dhe të sillen në këtë formë. “Carpe diem” – jetojmë momentin! Pse të lodhemi nëpër punë? Kot i kemi këto cica (ndonjëherë s’i kemi, por i bëjmë), këtë trup të freskët? Pse të mos bëjmë ca pushime të hairit nëpër oksident? Pse të mos paguajë diçka ky zotëria me duar me lesh? Kot ka gjithë këtë femër ky në krah?!

Duke harruar që pas disa kohësh mund të jenë ato në vendin e asaj zonjës që ka dorën tjetër, atë dorën me unazë, ndërkohë që dora me orën “Rolex” do të vazhdojë kërkimin për “mishin e freskët”!

Jo se ka ndonjë gjë të keqe dhe askush nuk do t’i djegë në turrën e druve, por unë s’do të isha edhe aq krenare. S’do të më shijonin aq shumë ato gjërat firmato që prindërit e tyre as një të dhjetën e tyre s’do të kishin mundësi t’u ofronin, jo më t’i blinin vetë pastaj me ato 5-t e marra me mik te Shkencat Sociale!

U bëra shumë paragjykuese dhe e keqe tani, por  nëse s’më besoni mua, besojini karmës, ajo është vërtet një “bitch”.

/Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje