Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mbreti ilir i monedhës së argjendtë. (nga Marin Mema)

Mbreti ilir i monedhës së argjendtë. (nga Marin Mema)
September 16
15:31 2018

Nga Marin Mema

Asgjë nuk ndodh rastësisht sot në botën moderne, përsa kohë një fije ndonëse e padukshme e lidh thellë me lashtësinë. Ndoshta mund të duket jo fort reale të mendosh se larg në shekuj, pikërisht në të III p. e. sonë një mbret Ilir vendosi të prodhonte një monedhë argjendi me emrin e tij? Bëhet fjalë për mbretin Monun, prijësin e Dyrrahut, i cili ndër të tjera spikat pikërisht për shkak të parasë që emetoi gjatë periudhës së sundimit të tij, që daton rreth viteve 290 – 270 p.e.sonë.

Sipas të dhënave që disponohen ai ishte një mbret ilir i dinastisë së Glaukias, pasardhës i Bardhylit të Ri dhe gjatë sundimit të tij njohu për kundërshtar edhe Pirron e Epirit, dhe pikërisht kundër tij lidhi aleancë me Korkyrën dhe Trakinë. Këto pak fakte e bëjnë atë të njihet si një prijës me një rol të rëndësishëm në konfliktin e pretendentëve për fronin e Maqedonisë.

Por pavarësisht nga sa më sipër, për Prof. Neritan Cekën ndaj mbretit Monun historia është treguar e kursyer në raport me kontributin që ai i ka dhënë asaj. Ndaj, sipas tij, burimet historike shpesh mund të jenë të paplota ose jo edhe aq orientuese, nëse nuk do të plotësoheshin me dëshmitë arkeologjike. Ndaj për fat të mirë, kontributi i Prof. Cekës dhe mjaft arkeologëve të tjerë  në mjaft raste kanë dhënë mundësinë e thellimit në teza për të cilat ka pasur dyshime ose hezitim.

Burimet arkeologjike na bëjnë me dije se seria kryesore e monedhave argjendi të emetuara nga Mbreti Monun, nderojnë emrin e tij dhe kishin njëkohësisht të stampuar/gdhendur figurën e lopës dhe viçit. Me siguri ato janë dëshmi të një mbreti i cili gjatë sundimit të tij ka pasur një vizion të qartë lidhur me rritjen ekonomike. Sipas Prof. Cekës, në këtë përfundim na çojnë edhe dëshmitë arkeologjike të cilat flasin për ndërtime qytetesh gjatë sundimit të Monunit, por edhe për shkëmbim të dendur midis dy brigjeve të Adriatikut, ndërmjet qendrave ilire dhe kolonive helene etj.

E pra, me gjuhën e fakteve të sjella mes shekujsh, kur flasim për Mbretin Monun të Ilirisë duhet të kemi parasysh se ai padyshim shënjon një epokë të re në historinë ilire. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje