Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mavrova, por jo aty ku mendoni…(Nga Marin Mema)

Mavrova, por jo aty ku mendoni…(Nga Marin Mema)
November 25
19:16 2018

Ka nisur bora e parë, të cilën shumë ia dedikuan lutjeve të shpeshta për të shijuar festat që po afrojnë, në një atmosferë që pa bardhësinë nuk do të kishte kuptim.

Dhe për t’ju gëzuar festave secili padyshim zgjedh destinacionin më komod, kjo edhe për të mos e komplikuar shumë jetën… Ndaj shumica përfundojnë në Mavrovë, të Maqedonisë apo më mirë e saktë Iliridës së lashtë

Të mësuar tashmë me këtë emër që bëhet refren nga nëntori deri në shkurt, m’u kujtua Mavrova tjetër, ajo e jona, pjesë e Labërisë dhe më e rëndësishmja qytet antik ilir me emrin Olympe, për cilën me siguri nuk keni dëgjuar edhe aq, por mirë do të ishte të njihnit disa detaje.

Të dhëna të shumta dhe të qarta na jep një punim i arkeologut Burhan Dautaj, i cili mes të tjerash na njeh edhe me kalanë me të njëjtin emër.
Kurora malesh e kodrash të larta e rrethojnë Mavrovën e Labërisë, thuajse nga të gjitha anët e pasur në kullota dhe potencial për zhvillimin e blegtorisë, karakteristika këto që sëbashku me kushtet e favorshme klimaterike kanë krijuar mundësinë e popullimit të kësaj krahine, qysh në kohërat më të lashta. Madje mund të themi se kërkimet arkeologjike kanë dëshmuar për praninë në këtë vend tëpopullsisë ilire autoktone, prej epokës së bronzit e më tej. Me interes janë të dhënat që bëjnë me dije se nga fundi i shek. IV-III p.e. sonë qyteti ilir i Olympes apo Mavrovës siç quhet fshati i sotëm jeton periudhën e rritjes, fuqizimit e të lulëzimit të tij, kohë në të cilën sipërfaqja e qytetit gati dyfishohet.
Mungesa e informacionit nga autorët antikë, që thuajse heshtin për Olympian, e bën edhe me interesante historinë e saj. Ka shumë studiues që mendojnë se qyteti është pagëzuar me këtë emër në nder të vajzës së Pirros së Epirit, tezë që e hodhi i pari arkeologu Hasan Ceka. E megjithatë nuk mungojnë edhe tezat e tjera që i japin një frymë mistike këtij vendi. Qyteti mund të jetë quajtur ndryshe më herët ose ka lidhje me një figurë tjetër të rëndësishme në fillesat e tij. Misteri mbetet…
Ndërkohë, nëse kthejmë vëmendjen tek kalaja , nga të dhënat rezulton se ajo gëzonte një pozitë dominuese e të lidhur fort me qendrat e tjera ilire. Disa ekspedita janë zhvilluar, duke nisur që rreth 40 vite më parë dhe gjurmimet mbështetën faktin se kemi të bëjmë me një vendbanim të fortifikuar, me mure të fuqishme , të mjaftueshëm për ta mbrojtur qytetin nga të gjitha anët.
Përfundimet e ardhura nga studimi i monedhave të gjetura bëjnë me dije se qyteti ilir i Mavrovës ka pasur marrëdhënie tregtare më të forta me  Amantian, Apolloninë dhe Orikun.  Në të shumtën e rasteve, banorët hasin në monedha e mbetje të tjera teksa punojnë tokën apo pas shirave të rrëmbyeshëm. E gjithë zona është ende një thesar i pazbuluar.
Gjithçka më sipër është e mjaftueshme për të menduar edhe këtë vend si një destinacion të mundshëm ku historia fle me bukuritë e natyrës.  /Blitz.al/
Komento
Shperndaje