Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Marrëveshjet e farefisit, krushqisë dhe moteleve

Marrëveshjet e farefisit, krushqisë dhe moteleve
September 18
20:08 2017

Nga Kozeta Kurti

Unë ku nuk futem…për shkak të profesionit që ushtroj prej njëzet vjetësh.

Futem gjithkund e çfarë s’më dëgjojnë veshët e çfarë s’më shohin sytë…

Shkoj në Fakultetin X  dhe më thonë: ” e sheh filanin? Është djali i profesor Fistekut. Copë mishi është, por e ka futur i ati pedagog”. Më mpihen dhëmbët mua dhe ndjej keqardhje për ata studentët, sepse është e vërtetë që një pjesë e tyre as e di se në cilën degë studion, por ka të tjerë që u humbet interesi për shkollën, sepse i kanë tejkaluar bijtë e llastuar pedagogë të etërve të pushtetshmëm pedagogë që javën e parë të shkollës. Dhe heshtin…sepse nuk i bien dot murit me kokë. Nuk i besoj unë këtyre fjalëve, derisa vjen vetë  ai dhe ta përplas në fytyrë: ” Sa të kem babën unë, jam në qiell”.

Dal nga aty dhe shkoj në spital. “E sheh filanen? Është dashnorja e doktor Fistekut. Sa u bë drejtor ai, e bëri kryeinfermiere. Është e paaftë dhe dredh zinxhirin gjithë ditën”. Ku u besoj unë këtyre historive. Popull i keq,- them unë, thashethemexhi, derisa vjen biseda diku e ma përplas mua ajo në fytyrë: “Sa të kem zemrën time unë, në ajër fluturoj” .

Iki nga aty dhe them, po shkoj në salla teatrosh, shfaqjesh…Aty do gjej qetësi, se aty janë më të dukshme situatat. Për aty o je, o s’je… Dal, pyes, takoj njerëz, kritikoj hapur unë, se kështu jam mësuar! Flas për miun sa unë në këmbë që shëtit në skenë, orare pune fikse për artistët (si mund të frymëzohet një artist me detyrim përcaktim, por nejse, kjo është një tjetër çështje)  kokoshkat në Teatrin e Operës dhe Baletit,  biletat me çmim Kinostudio-Kombinat të Teatrit Kombëtar, kostumet që shqepen që në provë gjenerale, çmimet stratosferike për skenografi që edhe po t’i falën, ta kanë futur etj etj, derisa më ndalojnë dhe më pëshpërisin: “Puh, ç’na bërë. Ai aty është burri i Filanes, ajo aty është gruaja e Fisteku”.

Po mendoni që unë s’u  besoj këtyre thashethemeve dhe  jam duke pritur ndonjë situatë si ato me të përplasur në fytyrë? Nuk më duhen. I njoh prej kohësh…

Varja, po shkoj në kinema. Aty kushdo  mund të hajë kokoshka pa bezdisur njeri dhe as unë nuk rrezikoj që të më thonë: pusho se gruaja e Oliver Stone.

Qenka një film shqiptar…”Dita zë fill” i Gentian Koçit, projekti i parë i regjisorit që u mbështet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë me afro pesë milion lekë, ndërkohë që regjisorë të tjerë janë mbështetur me tre dhe katërfishin, në filmat e tyre të disatë. Sipas kësaj logjike, një person i cili merr përsipër një punë për herë të parë, me sa duket e paska më të lehtë të sigurojë fonde, krahasuar me një tjetër, i cili pas filmit të disatë, besueshmërinë për bashkëprodhme duhet ta ketë në nivele të larta.

Filmi i Gentit nuk është filmi më i mirë shqiptar që kam parë, por është një nga më të vërtetët; ndoshta më i vërteti…pa tarafe, pa qoka, pa gjoba.. . pa “më jep kaq”, “të jap kaq”, “më jep këtë”, “të të jap atë”.

Në vend që ta bëni kastin fakt të kryer poshtë batanijeve e carçafëve, shpallni një audicion të ndershëm, të pastër, se mbase  aktorët kanë fatin e Ornela Kapetanit në Festivalin e Filmit në Sarajevë, atje ku s’do t’ja dijë askush vajza, gruaja, motra, vëllai, babai, burri i kujt je.

“Dita zë fill”, është i vërtetë, sepse as nuk zbukuron dhe as përdhos realitetin e të përditshmes sonë. Një e vërtetë e shprehur artistikisht është më e vështirë të ndikojë një publik, krahasuar me një të vërtetë të manipuluar artistikisht.

Nuk ka surpiza në film…Në film nuk ndodh asgjë që nuk na ndodh çdo ditë…

Është një rrugë e përshkruar në objektiv, në më pak fjalë e më shumë imazh që na shkund  e na tregon se si Leta e Gentit që nuk përlaset dyerve të BMW-ve, për të siguruar botox e “Gucci”, por zgjedh të pastrojë jashtëqitjen e një gruaje të sëmurë, për t’i siguruar ushqimin një bebeje pak muajshe, ka plot…

Shkundemi e i biem vetes me pëllëmbë kur kujtojmë sa qënie egoiste jemi e nuk qëllojmë thuajse asnjëherë pranë atyre që na duan, fiks në kohën kur u duhemi. Të gjithë kemi një Sofie të ”Dita zë fill”, në familje, farefis, krushqi, shoqëri, e cila është e detyruar t’i ngrysë ditët e saj të fundit në duart e një kujdestareje…

Të gjithë kemi në familje, shoqëri, farefis dikë që thotë për ditën: ufff, e shtymë edhe sot dhe që tmerrohet nga filli i së nesërmes, ditës së re, ku sërish do duhet të ushqehesh, të paguash fatura, financiare, morale, sociale.

Një ditë si ato të filmit u jep mundësinë të gjithëve ta vazhdojnë idenë e Gent Koçit, sepse të gjithë sapo gdhihemi, jemi aktorët e një ditë që zë fill…deri në mbrëmje, kur nata ndan veç për pak njeriun dhe luftën që ai duhet të bëjë të nesërmen për të jetuar, për t’u përmirësuar, për t’u rritur…për t’u kapur diku e për të ecur… si vetja…si ai që duhet të marrë atë që i takon, pa qenë gruaja, dashnorja, motra , babai, vëllai e burri i askujt…si Leta, infermierja e “Dita zë fill”, biri i së cilës mbush mushkëritë me frymën e një plake të sëmurë… , vetëm sepse ajo, nëna e tij, nuk ka ende atë që meriton…si mijëra ju, mijëra ne! /Blitz.al/

Shperndaje