Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Makthe të një nate vere (profesioni: kollovarë profesionistë)

Makthe të një nate vere (profesioni: kollovarë profesionistë)
August 02
12:17 2016

Kush e di për të satën herë kësaj vere tepër të nxehtë zgjohem nga makthet e natës, i mbytur në djersë. Mezi marr frymë, edhe pse “mendimi gjenial tironc” po më rrinte mbi kokë me ventilator në dorë.

– O Zot, më vrau! – mendova me zë, në jerm e sipër.

– Zgjohu mor xhaje, se unë jom tu nejt me t’bo fresk sipër kaptinës, e ti thu më vrau. E di që kanë lafit ene pleqt në këtë mosh, po pash nerin e familjes më thuj se ça ke me gocën e me dhondrrin që m’i përmen gjithë notën?

– Ishte një tmerr i paparë ajo që përjetova gjithë natën, grua! Dhëndri na kishte mbledhur të gjithëve, natyrisht këtu, në shtëpinë tonë, dhe na mbajti një fjalëzezë të gjatë e të gjatë, por mbi të gjitha të tmerrshme!

– Do i biesh drejt e në temë ti, apo si e ke hallin? E bën kastile që mos të marr vesh gjë unë me këto hyrjet e tua të gjata…

– Po duro pra se fillova:
-Dëgjoni,– tha dhëndri. Sot, pas kaq e kaq muajsh martesë dhe bashkëjetesë me ju në të njëjtën shtëpi, pra si i thonë asaj fjalës – kollovar, dua t’ju them disa gjëra që nuk i dini.
– Në këto momente kërkuam nja dy minuta pushim ne të dy sa futëm nga një adalat në gojë, ndërsa vajza qeshte, qeshte si i bukuri shejtan. Më pas vazhdoi:
“Pra, siç edhe po thosha, ajo që nuk dini është se unë kam qenë i martuar edhe nja… dy herë të tjera. Dhe jo vetëm kaq, por të gjitha herët kam kollovaruar… Më falni, për kushtet e jashtëzakonshme që kam pasur, kam jetuar si kollovar, pra në shtëpinë e nuses”.

– I ke ditur këto thagma moj bijë e babait, që më rri ashtu duke u zgërdhirë? –pyeta gocën.

-Ahu edhe ti babi, nuk quhet e martuar ajo se kollovar ka qenë! – ma ktheu vajza.

-Ju lutem, më lini të vazhdoj e mos më ndërprisni! – foli dhëndri, duke u siguruar që ne jo vetëm ta dëgjonim me vëmendje por edhe të rrinim mirë në rresht. – Unë jam njeri për së mbari, nuk ju kërkoj gjë, përveç disa gjërave të vogla fare, që do t’i merrni vesh më vonë.

– Ju lutem, mund të flas unë? – ndërhyra unë.

– Fol more vjehërr, ti je shefi i shtëpisë! – ma ktheu.

– Po ja, shefziu ka një problem me gruan. Ne i mbajmë një muaj njëri e një muaj tjetri lekët për mbarëvajtjen e shtëpisë. Po çdo muaj grindemi, se nuk dalin të shkretat dhe i biem në qafë sho-shoqit se nuk dimë e nuk jemi të zotët për këtë punë.

– Kaq, vetëm kaq! – foli dhëndri. – Shumë e thjeshtë, e di unë se si rregullohet kjo punë. M’i dorëzoni të gjitha paratë mua tani këtu në vend dhe merrem unë me mbarëvajtjen e shtëpisë. Se mos më thoni se ju kam vënë kushte pastaj, ë?!

– Uuuu, t’u thaftë ajo gojë, – mërmërite ti në drejtimin tim. Po ç’t’u desh?

– Çfarë thatë ju, vjehrrë e dashur? – u kthye dhëndrri.

– Jo, jo! – thashë unë. – Më kërkoi të them edhe problemin tjetër që kemi me pronat.

– Prona? Çfarë pronash? – kërceu ai, duke u drejtuar nga vajza.

– Ja, ja ta them unë edhe këtë problem. Pronat e tironcve shtrihen nga Prroi i Pal Poçes deri tek Ura e Peshkatarit. Janë kaq shumë sa ne kemi frikë t’i zëmë me gojë e jo më t’i administrojmë.

Dhëndri u zverdh, u skuq, u bë jeshil, shkumë i doli nga goja dhe hipi mbi karrigen nga ku deri më tani po na fliste i ulur me puro në gojë.

– Hëëëë!” – hungëriti ai. “Kjo është gjëja më thjeshtë në këtë botë. Dëgjo vjehërr, ashtu si edhe mbarëvajtjen e parave të shtëpisë, që sot e tutje edhe këtë punën e pronave e marr unë përsipër. Ti vjehërr, për të mirën e tokave tona, do të flesh në një kasolle të ndërtuar nga unë tek Ura e Peshkatarit, si dhe të shpall pronar të patjetërsueshëm të saj. Ti vjehrrë e dashur do të flesh te Përroi i Pal Poçes, te një tendë si ajo e “nënë Hajmes” dhe të shpall pronare të patjetërsueshme të saj. Ndërsa unë me vajzën tuaj një herë për një herë do të flemë në shtëpi.

– Nuk të kuptoj, ç’do të thotë një herë për një herë? – i thashë i mekur unë.

– Ah, i dashur vjehërr, se harrova të të them. Kjo që do të bëjmë ne quhet politikë. E ke dëgjuar atë shprehjen “Për të bërë shtet, duhet të rrezikojmë edhe pushtet”? Jam i sigurt që jo. Prandaj ju rrezikova juve duke ju ndarë në cepa të ndryshëm të pronës, prandaj po rrezikoj edhe unë, që edhe pse do të fle përkohësisht në shtëpi, për sakrificën që po bëj do të jem me gjithë vëllezërit e mi, pronari legjitim i tërë pronës. E pasi të shitet, edhe i lekëve, përveç dy skajeve të pronave tuaja. Kjo është zgjidhje si ajo e Venecias, edhe pse shtëpia jonë, domethënë e juaja, ndodhet shumë afër Lanës. Ah, se mos harroj. Nëse të thotë gjë ndonjë shok për këtë që biseduam, i thuaj të rrijë urtë, se është i painformuar!

– O ty të mbiftë dreqi në bark, më keq se të ka mbirë! – m’u drejtove përsëri ti.

– Dhe se mos thoni pastaj se ju kam vënë kushte! Nuk ka zgjidhje më të mirë se kjo. Keni gjë tjetër për të zgjidhur? Se për këtë punë jam unë këtu, kollovar profesionist,- tha dhëndri.

– Ja grua, kjo ishte e gjitha ajo që përjetova këtë natë.

– I fortë paske qenë, të isha unë s’do isha ngritë mo.

– E di çfarë mendoj, grua? Na duhet ta nxjerrim urgjentisht gocën nga shtëpia, bashkë me dhëndrin. Ata duhet të marrin një shtëpi me qira, të cilën ta paguajnë vetë me djersën e ballit të tyre, të hanë, të vishen e të jetojnë si të gjithë ne. Më dëgjove, grua? Në qoftë se ne nuk e bëjmë këtë gjë një orë e më parë, më mirë të heqim dorë nga pushteti ynë si prindër se nuk bëjmë dot shtet në shtëpinë tonë. Përndryshe rrezikojmë që deri sa të jemi gjallë ne, të na martohet vajza edhe nja 5-6 herë të tjera me kollovarë profesionistë! /Blitz.al/

Artan Selenica

 

Komento
Shperndaje