Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Madhështia e artit nuk buron nga fama dhe pak rreshta për piktorin Dastid Miluka (nga Kozeta Kurti)

Madhështia e artit nuk buron nga fama dhe pak rreshta për piktorin Dastid Miluka (nga Kozeta Kurti)
July 30
15:29 2018

Ishte viti 2001 kur e takova për herë të parë, nëpërmjet një miku të përbashkët, në një nga mjediset më origjinale të shërbimit dikur, pranë rrugës “Myslym Shyri”. Isha shumë e re, e vogël për të marrë guximin për të folur e për të marrë pjesë lirisht në biseda. Doja vetëm të dëgjoja, të mbushja kokën, të përfitoja nga informacioni, njohuria, ndjesia, emocioni, por pavarësisht padijes, intuita nuk më gaboi. Shqipëria i rrinte ngushtë piktorit Dastid Miluka, dikur, kur e njoha, pjesë e stafit të Televizionit Klan, deri kur vendosi të ikte. Që prej vitit 2003 jeton dhe punon ne Bruksel, Belgjikë. Eksperienca shumëvjeçare i ka shërbyer në rritjen dhe krijimin e një individualiteti artistik të spikatur. Punët e Dastid Milukës tashmë janë pjesë e koleksionistëve dhe koleksioneve të rëndësishme në shumë vende të botës. Dastid Miluka vjen nga shkolla shqiptare e artit. Është diplomuar në vitin 2000 në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), në fakultetin e Artit Skenik, me titullin Skenograf/Kostumograf. Unë nuk jam ndonjë person aktiv në komente në rrejte sociale, por jam vëzhguese e kujdesshme e tyre. E ndiqja Dastin (miqtë kështu e thërrisnin shkurt) në Instagram dhe vetëm më befasonte çdo postim i tij, me përmbajtjen e asaj që “fshihej” përtej asaj që dukej, me ngjyrat e forta dhe thoja me vete, gati-gati duke e marrë inat: pse nuk vjen  në Shqipëri ky të ekspozojë? Pse këta njerëz kur ikin nga Shqipëria, i kthejnë kurizin dhe s’duan t’ja shohin më bojën? Pse kur kanë sukses jashtë zhduken nga “habitati” ku janë lindur, ku janë rritur, ku kanë mësuar gjithçka për herë të parë? Por u tërhoqa me turp nga gjithë ky paragjykim disa ditë më parë, kur mësova se Miluka do ekspozonte punët e tij të dy vjetëve të fundit në një mjedis shërbimi në Tiranë, nga më të suksesshmit, me një punë të kuruar për dashamirësit, me asnjë lloj presioni për konsum në mjediset e biznesit privat, por pavarësisht kësaj, ajo nuk është një galeri e mirëfilltë. Flas për Galeri Kombëtare, që artistë si Dastidi duhet t’i luste për të ekspozuar në Tiranë. Nuk e di ç’ka ndodhur. S’e kanë ftuar? Apo ai s’ka pranuar? Është e vërtetë që artistët e arteve pamore kryesisht zgjedhin të kenë një profil të ulët publik, por nuk besoj se është rasti, pasi jam dëshmitare që Dasti iu përgjigj kërkesës sime për informacion të detajuar për këtë artikull, në kohë rekord. Që të jem e sinqertë, jo se Galeria do kujdesej më shumë për ekspozimin e punëve aristiske, as nuk do t’i kuronte më shumë, por do kishte tjetër lloj përfitimi të madh, sepse lexuesve, dëgjuesve, shikuesve, publikut ja thua serbes lokacionin, kurse në rastet e mjediseve private, është kryesisht kohë e humbur kot dhe pa rezultat, sepse është kaq e vështirë t’i mbushësh mendjen pronarëve, administratorëve të mediave që në raste si ky, nuk i bën nder biznesit (reklamë), por i bën mirë dhe nder një pjese sado të vogël të popullsisë së planetit, shqiptarëve, duke i ftuar të “kullosin” sytë së pari dhe pastaj të ndreqin shijet e tyre estetikisht të përdhunuara, të marra n’qafë. Punët e Dastit duhet me i pa’ sepse ai luan me personazhe të cilët evoluojnë ashtu si në një lojë “kukafshehti”, midis realitetit dhe fantazisë.
Një paradë botësh të kundërta, ngjyrash të harlisura, drite dhe lëvizjeje. Krijimet e tij eksplorojnë një teatër njerëzish dhe vendesh imagjinare, të cilat bashkëjetojnë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.
E rëndësishme është që Dastid Miluka e gjeti mënyrën për të mos e harruar “habitatin” ku kaloi një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tij: Shipërinë, Tiranën dhe ka ofruar para pak ditësh mudësinë për t’u përballur me publikun shqiptar nëpërmjet ekspozitës “Habitati dhe Hapësirat  Ndërmjet” (kush do ta shohë dhe shpenzon vetëm dy sekonda kohë duke kërkuar, e gjen edhe mundësinë). Habitati, nuk ka rëndësi sa shqipe standarde është apo jo, por s’ka njeri që nuk e ndjen sigurinë në habitatin e vet, si për të thënë që brenda tij, secili noton në ujërat e veta dhe nuk rrezikon mbytjen.  Ne zbuluam hapësirat dhe u përshtatëm për të jetuar në to. Krijuam hapësirat tona të banimit duke i ndërtuar ato. Iu përshtatëm atyre dhe me kalimin e kohës, këto hapësira na shndërruan edhe ne. Vendi ku jetojmë, jemi ne dhe ne jemi vendi ku jetojmë. Ne qëndrojmë nëpër këto hapësira.
Ne i banojmë keto hapësira. Ne jetojmë nëpër keto hapësira.
Quajmë habitat mjedisin ku jeta gjallon. Mund të jetë toka. Mund të jetë deti. Mund të jetë qielli. Por habitati s’mund të jetë vetëm një vend apo një mjedis natyror. “Ky mund të jetë gjithashtu një qenie tjetër”, – përshkruan autori i 21 punëve të ekspozuara në Tiranë.
“Një person që simbolizon një vend ose një kohë të caktuar. Një person, në zemrën e të cilit ti strehohesh. Sikurse një person që mund të gjej strehë në zemrën tënde.”
Mund të jetë një person tjetër por ky mund të jesh dhe ti. Ti mund të gjesh strehë brenda vetes tënde. Kjo menyre jetese mund t’i hapë udhë meditimit dhe ndjenjave, duke e marrë këtë dimension të vecantë si një shenjë të vërtetë dashurie. Dashuri per një person. Dashuri për shtëpinë. Dashuri për veten”
Habitati është hapësira fizike, mendore dhe shpirtërore.
Habitati mund të jetë hapësira. Habitati mund të jetë koha. Habitati mund të jetë shtëpia. Habitati mund të jetë gjithcka.
Habitati mund të jemi ne dhe hapësirat ndëmjet nesh.  Pyetja është: “Si me gjet’ e me marrë pak kohë për ta zbuluar?” /Blitz.al/

Komento
Shperndaje