Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Lorik, kthe lekët që u ke vjedhur shqiptarëve!

Lorik, kthe lekët që u ke vjedhur shqiptarëve!
September 04
22:10 2016

Nga Fatmir Bardhoci, sportist.

Njeriu që thotë të vërtetën është i dënuar të urrehet nga të gjithë ata që pëlqejnë mashtrimin, vjedhjen, korrupsionin, padrejtësitë, fyerjet, sharjet.

Kjo mua më pëlqen, se kështu i identifikoj ata.

Nuk mund të rri pa bërë një koment që lidhet me figurën e shenjtë të Nënë Terezës e cila u vra, u persekutua, u injorua, u sha dhe çfarë nuk iu bë familjarisht nga shteti i saj, Mëmëdheu që ajo kurrë nuk e harroi, përkundrazi e mbrojti dhe luftoi me paqe e politikë derisa i dha pavarësinë tokës ku lindi.

Atë e respektoi e gjithë bota, e nderoi me çmimin më të lartë Nobel, kur ndërkohë shteti i saj mëmë nuk la gjë pa shpifur kundër saj. E dënoi për të mos shkelur kurrë në tokën e saj, as për të parë të gjallë njerëzit më të dashur.

Ajo çfarë pashë dje në Vatikan ishte një skandal, edhe pse dëshira ishte e mirë.

Pashë të ftuar politikanë që s’duhej të ishin aty. Pashë ata që ia ulën imazhin vendit tim dhe nuk pashë ambasadorë të vërtetë të kombit shqiptar, sportistë që arritën majat më të larta të Olimpit botëror. Pashë politikanë që kanë arritur majat e Olimpit të tyre me paratë e vjedhura nga shqiptarët e varfër, pëe të cilët Nënë Tereza thurrte vargje e plane se si t’i ndihmonte.

Me gjithë respektin për kontributin që ka dhënë Lorik Cana në sportin e futbollit për Shqipërinë, do doja të shkruaja vetëm kaq: ke bërë vetëm detyrën! Ashtu siç duhet ta bëjë çdo shqiptar.

Por ti je ai që ke fituar më shumë nga futbolli e jo futbolli nga ti. Ti ke fituar më shumë nga Shqipëria,  jo Shqipëria nga ti.

Ti nuk ke bërë asgjë më shumë seç kanë bërë paraardhësit e tu që kanë përfaqësuar Shqipërinë me barkun bosh, që në vitet ’30.

Ti ke marrë miliona vetëm pse ke qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar.

Nuk je ti ai që e dërgoi ekipin shqiptar në Europian, por ishte akti heroik i Ismail Morinës.

Ishin pazaret që bëtë bashkë me De Biasin duke shitur ndeshjet me Portugalinë e Serbinë dhe duke blerë ndeshjen e fundit.

Ti nuk e meritoje të ishe fare i ftuar në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës!

E di pse?

Ti, bashkë me ata mjekroshët e tjerë e të gjithë ata që e quajnë veten të pastër duke u falur para Allahut, jeni hajdutë! Ju vodhët pa pikën e turpit, të paktën 1 milion euro, nga buxheti i shtetit, nga të varfrit që Nënë Tereza ushqente me fondacionin e saj, duke kërkuar në dyert e botës.

Me ç’të drejtë?

E di se jua dhanë, por nuk duhej t’i pranonit paratë e vjedhura nga një kryeministër, i cili i ligjëroi vjedhjet me vendim të Këshillit të  Ministrave.

Ju nuk i meritonit! Për çfarë i morët? Se shkuat në Europian dhe u kthyet si humbës? Është akt i jashtëligjshëm dhe si i tillë duhet të dënohet.

Sapo të ndryshojë sistemi në drejtësi, nëse nuk e ka bërë dikush tjetër para meje, do t’ju takoj në bankën e të akuzuarve, para ligjit.

Ju nuk ishit medalistë, siç e parashikon ligji për sportin, i cili u ka caktuar kampionëve 40 mijë euro afërsisht, por ju morët dyfishin pa fituar asnjë raund. Në bazë të cilit ligj? Ligjet i miraton kuvendi dhe i ndryshon Këshilli i Ministrave, por nuk mund të marrë vendime kundër ligjit. Kjo ndodh vetëm në Shqipërinë tonë të bukur, të krimbur nga brenda, me hajdutë dhe kriminelë pozitë-opozitë.

Kthejani paratë të varfërve, ish-kapiten!

Pastroje figurën tënde që të mos mbahesh mend ndër breza si hajdut.

Shqipëria të ka dhënë shumë më shumë.

Ti nuk mund të drejtoje një event të tillë.

Duhej të të vriste ndërgjegjja, sepse ke marrë paratë e të varfërve. Je kundër Nënë Terezës dhe misionit të saj.

Ti nuk ke kapacitetin as moral, as intelektual, as të drejtë për të qenë aty ku duhej të ishin ambasadorët e vërtetë të kombit shqiptar, kampionët e vërtetë, më të mëdhenjtë e historisë në sport, art, shkencë etj., si medalisti olimpik në boks, Azis Salihi, që po lufton me vdekjen në spital, i pambështetur nga askush. Apo edhe kampionja olimpike Majlinda Kelmendi, Luiza Gega, Azem Maksutaj, Enver Idrizi e shumë e shumë sportistë të tjerë që nuk po i përmend.

Ai spektakël duhej të drejtohej nga dikush tjetër, nga një humanist/e, nga një profesionist orator, folës i shkëlqyer i gjuhës shqipe dhe angleze, nga një që ka dhënë për kombin, nga një që ka kapacitet e krenari për të qenë aty.

Dhe te siguroj, ty dhe atyre maskarenjve politikanë që kanë ndërhyrë që ti të ishe aty, për të të bërë pjesë të partive të tyre politike, se Shqipëria dhe Kosova ka shumë të tillë.

Kërkoi falje Nënë Terezës dhe ktheja të varfërve paratë e tyre, që u more bashkë me ekipin.

Jeto i lirë në shpirtin tënd, jeto me nder tani në pension dhe mos harro se:

Që të bëhesh njeri i mirë duhet të punosh me ndershmëri dhe përkushtim të madh një jetë të tërë, por të bëhesh njeri i keq të duhet vetëm një minutë! /Blitz.al/

Shperndaje