Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Letër vetes time 10 vjeç (nga unë 24 vjeçari…)

Letër vetes time 10 vjeç (nga unë 24 vjeçari…)
January 18
15:37 2019

Nga Kejvin Kalo

Para disa kohësh lexova një letër që Hillary Clinton i kishte dërguar vetes së saj në moshë të re. Teksa kaloja në rreshtat e kësaj letre, mendova se çfarë mund t’i thoja unë vetes sime, ja ta zemë në moshën 10 vjeçare. Sigurisht ndryshe nga Hillary nuk mund t’i thoja që një ditë kandidova për presidencën e SHBA-ve, por kisha disa gjëra për të thënë kështu që u bëra mbarë dhe ja ku është:

“I dashur Kejvin 10 vjeç…

E di që je në një kohë shumë konfuze në jetën tënde, kështu që do përpiqem mos të të mundoj me shumë informacione që ndoshta as nuk do t’i kuptosh. Por gjërat kryesore do të t’i them, çfarë kanë ndodhur këto 14 vjet, edhe disa këshilla pse jo. Të fillojmë nga më e rëndësishmja. Je në klasë të katërt tani, pra jo dhe aq i vogël dhe nëse sheh disa nga gocat e klasës që kthejnë kokën dhe të shohin, do të thotë që të kanë qejf. Dmth unë e mora vesh disa kohë më vonë se ma thanë vetë ato, por unë kam qenë “idiot”, ti duhet të bësh diçka. Po gjithsesi edhe sikur akoma të jesh i ndrojtur, mos ki merak. Gjatë viteve në vazhdim do kesh histori sa të duash me gocat dhe do përjetosh emocione pafund. Për puthjen e parë mos mendo shume, do vi natyrshëm fare dhe do jetë njësoj sikur e ke praktikuar prej kohësh, kështu që pa stres. Do kesh të dashurën e parë, me kalimin e kohës do kuptosh pse femrat kanë gjithmonë të drejtë në një lidhje dhe pse ti duhet të thuash gjithmonë “po”. Do të të thyhet zemra, dhe që atëherë në vend të saj do kesh një copë akull, kjo do bëjë që t’i thyesh zemrën dikujt tjetër. Dhe bonus: me dashurinë tënde të parë do përfundosh pas shumë vitesh,kështu që mos fillo të dëgjosh këngë melankolike se do na mallëngjesh, amon.

Ndërkohë me shkollën do të të shkojë shumë mirë, për këtë t’i thuash faleminderit mamit dhe babit, që bën të mundur edukimin tënd dhe të bëjnë të kuptosh pse është i rëndësishëm edukimi. Kur të mbarosh gjimnazin, ata do të të thonë të vazhdosh stomatologjinë. Do mërzitesh pak në fillim, sepse shpirti yt kreativ do të shkruajë dhe do ta bëjë këtë dhe për profesion,por jo. Falenderoi ata 100 herë për shkollën që “zgjodhën” për ty, më beso. Por nga ana tjetër, një nga ëndrrat e tua më të mëdha do të realizohet, do shkruash këngë, më saktë do shkruash ndjenjat e tua. Madje do kesh dhe një super punë nga e cila po të shkruaj tani, dhe ti do jesh shumë mirënjohës për ata që e bën të mundur këtë dhe i falenderon çdo ditë po më mirë mos ta dinë se i rritet mendja.

 Do të të paralajmëroj që përgjatë viteve të adoleshencës së hershme, mund të biesh dhe pre e asaj që tani e quajnë “bullizëm”. Kjo për shkak të natyrës tënde si njeri i qetë dhe mbipeshës natyrisht. Por kjo nuk është detyrimisht gjë e keqe. Pasi ti do e kuptosh se “bullizmi” mund të luftohet fuqishëm nga grushtat, shqelmat dhe sarkazma. Kjo e fundit dhe ironia që do zhvillosh përgjatë viteve do jetë “arma” më e fortë që do kesh, sidomos për t’i bërë përshtypje gocave sepse do vazhdosh të jesh mbipeshë dhe fiziku nuk do jetë pika jote e fortë. Përfitoj nga rasti të të kërkoj ta vazhdosh palestrën dhe basketbollin, faleminderit. Për të ta demostruar me shembuj, diku nga klasa e shtatë dikush do të thotë: “Sa e ke numrin e gjoksit?” për shkak të peshës dhe ti do i thuash “Më të madh se tëndin” sepse ajo nuk ishte dhe aq e zhvilluar, ky do jetë fillimi i rrugës së mrekulleshme të ironisë në karakterin tënd. Ju që u mërzitet me grushtat që përmenda, mendojeni çdo grusht që kam lëshuar si një goditje ndaj bullizmit.

Ti je 10 vjeç, kështu që i bie të jetë viti 2005. Është koha kur të gjithë bërtasin “Nano ik”, për Fatos Nanon. Më vonë do e kuptosh që të gjithë ata që bërtasin kështu nuk dinë çfarë flasin, sepse ai është politikani më i mirë që kemi pasur deri tani. Në 2013 të gjithë do dalin rrugëve dhe do festojnë sikur kemi çuar dikë në Hënë, për ardhjen e Edi Ramës në pushtet. Mos e bëj atë gabim, të lutem! Fundi i 2018-ës dhe fillimi i 2019-ës do shënojë një nga gjërat më të bukura që ke parë në jetën tënde, protesta e studentëve. Kështu që e ardhmja ka dhe gjëra të mira, edhe pse shqiptarët pak do ndryshojnë nga ata që njeh ti tani. Por le ta kalojmë këtë pjesë se fatmirësisht do jesh i zgjuar mjaftueshëm që t’i shikosh gjithnjë gjërat ashtu siç janë.

Mos hiq dorë kurrë nga librat, filmat, serialet dhe muzika. Pavarësisht çfarë thonë të tjerët, kultura nuk mësohet në shkollë, por pikërisht nga këto forma të artit. Dhe më pëlqen të mendoj  që tani je bërë një njeri goxha i kulturuar,por ke akoma shume per te mesuar. Gjithashtu librat dhe serialet janë shoku më i mirë që mund të kesh në momente të vështira, e ke parasysh kur njerëzit nuk janë shokë të mirë mjaftueshëm. A po, që tani ty ka filluar mos të të pëlqejë vëmendja, prandaj dhe ditëlindjet nuk i ke qejf. Asnjëherë s’do i kesh, madje te kjo e këtij viti, kur ishte ora 12-të prite sa të të uronin njerëzit që kanë më shumë rëndësi për ty. Familja dhe ish e dashura, sepse nuk është ditëlindje nëse nuk të uron ish e dashura. Gjithmonë kaq kërko dhe do jesh i lumtur.

Do përjetosh dhe disa “drama”, do jesh pjesë e ngjarjeve apo skenave të cilat ke menduar se nuk do t’i kalosh ndonjëherë, por do përfundojnë mirë pothuajse të gjitha, gjithçka rregullohet me kalimin e kohës. Të lutem ndalo së menduari më shumë se ç’duhet të mendosh dhe mos u mërzit nga gjëra që nuk kanë vlerë. Do konsumosh shpirtin dhe trurin, prandaj të kanë ngelur në sasi kaq të vogël tani. Ji falenderues sa më shumë, në çdo kohë dhe asnjëherë mos ndalo së besuari në Zot. Çdo gjë që do kalosh, e mirë apo e keqe do jetë një eksperiencë dhe një mësim që do të të hyjë në punë në një fazë tjetër.

Pikërisht për këtë arsye unë kurrë nuk do ta nis këtë letër. Sepse do të të lejoj të përjetosh çdo gjë, nga zhgënjimet dhe lëndimet do fillosh të bësh poezi, nga gëzimet do mësosh të qeshësh, nga ngacmimet do mësosh ironinë, nga koha e vështirë në shkollë do bëhesh i aftë për veten tënde dhe nga familja jote do mesosh te bëhesh një njeri i mirë. Vetëm nëse shpiket një makineri kohe dhe do më japë mundësinë ta çoj letrën, atëhere po, sepse ti e di që nuk mund t’i themi jo një makine kohe.”

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje