Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Lepujt me kostum luani…

Lepujt me kostum luani…
May 27
09:47 2017

Nga Kozeta Kurti

Prej disa orësh, që pas mesnate jam në kërkim të këpucës që më humbi në një ballo me princër dhe princesha. E gjej veten të zhveshur nga rrobat borxh a me qira që kam marrë në dyqanet më në zë të Tiranës dhe shkëlqimin e tyre e kanë zënë ca bluza pambuku që i kam blerë te H&M. Ëndërroj për yllin e mbrëmjes, me të cilin rasti e deshi të shkëmbej një shikim dhe pres që ai të vijë të më marrë me kalin e tij të bardhë ose me një “roll roys”, çfarë do që të jetë, por ndërsa ka zbardhur, jam dehidratuar e po vdes për ujë, kuptoj se nuk paska qenë përrallë. Thjesht e kam humbur këpucën se kam qenë ca e dehur.

Sot, nuk ma paska qejfi fare të kthehem në realitet. Në të vërtetë, unë as e kam idenë se cili është realiteti im, sepse unë vdes për realitetin e Beyonce-s, vetëm se atë nuk e lë njeri në mes të skenës, nga paaftësia, padituria a si të doni ju, si me qenë në shfaqje parashkollorësh, me kalamaj qaramanë që fshihen pas fustanit të mamit se nuk e thanë vjershën mirë.

Dreqi e mori! Më mirë të fle! Sa bukur është këtu në gjumë! E shoh veten në tapetin e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”. Ja ku po vijnë të gjithë shokët e mi, Justin Bieber, Adele, Rihanna… se çfarë po thonë këtu…po flitet për Iggy Pop, Korn, Radiohead, por varja këtyre. Këta nuk i njoh! Këngë nuk kam, por fustanin e kam firmato. Fundja, çfarë më duhet. Fotot janë ato që na hyjnë në punë. Ta marrë vesh gjithë dynjaja që jam në “Grammy”. Oh, dreqin, s’kam bateri dhe këtu s’po tërheq vëmendjen e asnjë fotografi… Në fakt, nga ta dinë këta se kush jam unë; se mos kanë ardhur ndonjëherë këta në skenat-kioska ku këndoj unë! Më mbulojnë djersë të ftohta ngaqë nuk bëj dot foto dhe më del gjumi… T’ëmën! Paska qenë ëndërr dreqi!

Është më mirë të bëj një dush. Mbase më kthjellon. Shkoj në banjë, zhvishem, bëhem gati, hap grupin, por asnjë pikë nuk derdhet. Mos, nuk kam paguar dritat dhe m’i kanë prerë? Dreqin! Tani e gjeti? Varja, po shkoj andej nga shoqja C. Ta marr një herë në celular se mbase ka dalë: “Krediti juaj nuk mjafton për kryerjen e kësaj telefonate”.

O Zot, paska mbaruar oferta! Sot e gjetën të gjitha? Më mirë po ia fus gjumit edhe një herë. Do Zoti shoh ëndrra prapë. Ato pa lekë i kemi.

Ja tek shfaqet një tjetër tapet i madh, i kuq, ku parakalojnë njerëz. Pres nga momenti në moment që të më thërrasin emrin: fitues në kategorinë e muzikës alternative, është: Ups, prit se ngatërrova ëndrrën. Është Festivali i Kanës. Se ku e dëgjova që janë afro pesëdhjetë filma të përzgjedhur  nga më shumë se një mijë e nëntëqind që janë prezantuar në fillim. Sa regjisorë janë në garë për “Palmën e Artë? Mua po më pyesni?

Po ku di gjë unë? Pse për këtë kam ardhur unë deri këtu? Aktore nuk jam, regjisore jo, skenariste jo, producente jo e jo. E çfarë më duhet mua se flitet për filma këtu? Për fat të mirë, e kam telefonin plot me bateri se nuk do t’ia falja dot vetes që shoqja B të mos e merrte vesh që edhe unë jam këtu. Këtu jemi të gjithë, por thuajse nuk jemi parë fare se secili ka “konekshënat” e vet. Si? Çfarë kam arritur unë me këtë? O gjumë, dil se nuk di ç’përgjigje të jap! Nuk mjafton vetëm: për qejf, për dëshirë, për kuriozitet… Duhet të shpik një gjë për “konekshën”, por s’më bie asgjë ndërmend dreqin tani.

Gjumi del dhunshëm, por unë kam frikë të besoj se jam në dhomën time dhe i mbyll sytë nxitimthi, me shpresën se do shoh të tjera vegime që do kënaqin egon time, në garë me nuk e di as vetë kë dhe përse…

Ja tek shfaqet xhungla, me të gjitha kafshët që jetojnë atje sipas rregullave që kanë vendosur vetë… e gjej veten në majë të një froni, duke tundur një spektër të artë, me zbukurime gurësh të çmuar, me dhjetëra kujdestarë që më vijnë rrotull e më bëjnë fresk me gjethe të stërmëdha, me zogj që stërmundohen të kombinojnë zërat e tyre për të më argëtuar mua…

Papritur një putër e stërmadhe më godet fytyrën dhe vë re se paskam parë ëndërr brenda ëndrrës… Nuk qenkam luani, por një lepur i vockël, që kam filluar ta besoj edhe vetë se PO: sapunin ndonjëherë mund ta ha edhe për djathë!

Tani që u zgjova, po karikohem si duhet. Fundjava ka trokitur dhe sot në kryeqytet ka një party me shampanjë dhe fishekzjarrë. Duhet të bëhem gati. Duhet të ruaj ”konekshënat” e mi.

Komento
Shperndaje