Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Laçi tjetër…

Laçi tjetër…
November 20
16:48 2016

Qyteti i Laçit dhe historia e tij është lidhur gjithmonë me periudhën komuniste, si shumë qendra të tjera industriale që u ngritën në atë periudhë në të gjithë vendin. E megjithatë, ky qytet ka gjurmët e tij të fshehura, të cilat sjellin një tjetër realitet.

Në kodrën ngjitur me kishën e famshme të Shën Ndoit ngrihet Kalaja e Laçit. Shumëkujt kjo mund t’i bëjë çudi, sepse për të jo vetëm që nuk është folur kurrë, por edhe studimet e kanë prekur në mënyrë të përciptë.

Sipas arkeologëve, rrënjët e saj shkojnë që në shekujt IV – III para Krishtit. Në një mbishkrim të shekullit I e të publikuar në veprën e përbashkët të arkeologëve Myzafer Korkuti, Apollon Baçe dhe Neritan Ceka, nën drejtimin e Pierre Cabanes, përmendet emri Lupus, Parthinius ex Latio. Kjo tregon se emri Laç jo thjesht nuk është i rastësishëm, por edhe nuk ka asnjë lidhje me periudhën e komunizmit.

Kjo kala, ku janë edhe rrënjët e qytetit, mendohet se ka lindur si pikë kontrolli përgjatë rrugës që lidhte Dyrrahun, Lisusin e Shkodrën. Sipas të dhënave, në shekujt e parë jeta zbret në fushë, por kthehet sërish në të katërtin sipër në kodrën e njohur të Shën Antonit, ku sipas arkeologëve të sipërpërmendur ngrihet një kështjellë tjetër e më pas edhe kisha e famshme.

Pavarësisht historisë, realiteti i sotëm nuk është aq rozë, përkundrazi. Kalaja është në gjendje të mjeruar, pasi një pjesë e mureve rrezikojnë të bien nga mungesa e mirëmbajtjes. Muret e tjerë janë anuar nga erozioni e disa pjesë as nuk dallohen si pasojë e bimësisë.

Çfarë fsheh nëntoka e këtij vendi që nuk është eksploruar kurrë siç duhet? Arkeologu i njohur Skënder Muçaj u referohet të dhënave që flasin se në Sebastë (emër me të cilin njihet më shumë kalaja) kuvendi i etërve observantë ka pasur kishën e Shën Marisë të shuguruar në 1557-n nga Gjon Bruno, kryepeshkop i Tivarit.

Ky është vetëm një element, një e dhënë, një fragment i vogël historie, por sa shumë të tilla mund të ketë këtu? Legjendat pleksen me të vërtetat e ndoshta kjo e bën edhe më mistik këtë vend.

Besimtarë të pafundmë ikin e vijnë nga e gjithë Shqipëria në kishën e Shën Ndoit, ku besimi, mrekullitë e historia pleksen në të njëjtin vend. Pse të mos shtohej edhe ky destinacion i jashtëzakonshëm për ta? Pse të mos krijohet mundësia për rritjen e mëtejshme të turistëve që e vizitojnë këtë vend?

Një nga problemet më të mëdha që mund të hasësh sot në të gjithë Shqipërinë është njohja e kufizuar që kemi për historinë, për të shkuarën, për të vërtetat që ajo ofron. Mes tyre edhe për Laçin, të cilin nga sot duhet ta konsiderojmë siç është, një qendër të dikurshme ilire. /Blitz.al/

marin-mema-1

marin-mema-2

Komento
Shperndaje