Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kush po i grabit shqiptarët ?!

April 15
16:17 2018

Nga Marin Mema

Në Shqipëri u bë 20 e kusur vite që flitet për varfërinë, me politikanë që akuzojnë njëri tjetrin, që çirren, e bëhen idhtarë të të pamundurve vetëm kur zbresin nga pushteti. Pikërisht këtu qëndron thelbi. Askush nuk kujtohet për njerëzit e thjeshtë sa herë fundshpinën e ka ngrohtë në poltronë, por vetëm kur ata i duhen për vota e për t’u rikthyer në pushtet. Shikoni me kujdes kush janë më të zellshmit në çështje të tilla, ata që janë nginjur, që kanë mundësi ekonomike për të ndihmuar, por kurrë s’ndihmojnë. Janë ata që nuk kanë bërë kurrë njëherë këpucët me baltë, e që palltot, xhaketat e takat e larta u kushtojnë sa të ardhurat pesë vjeçare të familjeve normale shqiptare.

E sigurisht shumica e tyre nuk janë pasuruar nga puna e ndershme kjo ndoshta është pjesa më e lehtë për tu kuptuar dhe më e dhimbshmja për t’u pranuar. Më e lehta sepse pavarësisht historive të ndryshme, në një pikë të gjithë bashkohen, paratë apo pasuritë e patundshme u kanë mbirë nga hiçi dikujt përmes dhuratave, dikujt përmes konsulencave e zyrave juridike, e dikujt prej “aftësive” në organizmat ndërkombëtare apo në biznes. Thuajse të gjithë pasanikët e parlamentin kanë patur një fat të tillë.

E më pas pjesa më e vështirë për t’u pranuar është se ky takëm nuk do t’ja dijë për asgjë, e në të njëjtën kohë të shet broçkulla e teatro sikur po mbrojnë kauza që lidhen me ekonominë e shqiptarëve. Sa turp, sa e pështirë dhe e ndyrë , kur në opozitë përdoret një maskë, ndërsa në pushtet fytyra e vërtetë. Këtë dyfytyrsi nuk është e vështirë ta dallosh, sepse ata janë gjithmonë të parët ne rreshtin e të prekurve, e atyre që qajnë e mërmërijnë për problemet sociale, por që vetë jetojnë në luksin e parave të grabitura, e fondeve të përvetësuara.

Në fund asgjë nuk ndryshon. Këta rizgjidhen të emëruar nga kryetarët, ndërsa shqiptarët shohin qeverinë e dikurshme t’u thotë sesi do t’i shpëtojë e ndërtojë një të ardhme më të mirë. Ironike apo jo, ky është realiteti, kjo është Shqipëria, këta janë të fryrët që na drejtojnë, e këta jemi ne që vazhdojmë e vazhdojmë e vazhdojmë t’u besojmë, pa i zënë kurrë me kërbaç siç në fakt do të duhej.

Komento
Shperndaje