Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kush kërkon ta shuajë shqiponjën e shqiptarëve … ?! (nga Marin Mema)

Kush kërkon ta shuajë shqiponjën e shqiptarëve … ?! (nga Marin Mema)
December 02
19:03 2018

Situata të ngjashme apo pse jo të njëjta i ndodhën Xhakës në botëror, po kështu edhe Shaqirit, Mustafit, Kasamit, atletit Izmir Smajlaj, por edhe këngëtarëve Era Istrefi, Rita Ora, Eleni Foureira e shumë të tjerëve… Të gjithë janë gjendur shpesh ballë akuzave e një presioni të çuditshëm pasi kanë bërë shqiponjën për të festuar rezulatet apo sukseset e tyre. Vuçiç e ka quajtur provokim, mediat greke kanë mbajtur shpesh të njëjtin qëndrim, Federata Zvicerane dënoi dy shqiptarët, e po kështu shumë media të tjera europiane kanë rënë shpesh pre e një mendësië të mbrapshtë pa ditur e kuptuar atë që në vërtetë përfaqëson për shqiptarët ky simbol.

Pavarësisht debatit shkencor që përfaqësohet nga mendime të ndryshme në lidhje me historinë e shqiponjës, fakti që përbashkon të gjithë mbetet se ajo është një simbol që nuk ka asnjë lidhje me mendësitë ekstreme. Për shqiptarët shqiponja është një shenjë identifikuese, një formë për të treguar identitetin e tyre shekullor, historinë, traditën e gjithçka që i lidh e nuk mundet t’i ndajë. Përmes kësaj simbolike, asnjëherë përgjatë historisë, shqiptarët nuk kanë sulmuar një komb tjetër dhe aq më pak kanë bërë thirrje kundër tyre. Nuk ka asnjë dokument që të tregojë diçka të tillë, sepse flamuri shqiptar e shqiponja e tij kanë kryesuar vetëm mbrojtjet që i janë bërë territoreve të vendit e jo sulmet ndaj hapësirave të vendeve fqinje.

Janë pikërisht serbët e grekët që në të njëjtin vit 1844, kanë shpalosur zyrtarisht në njërin krah Megalidenë e në tjetrin Naçertanjën, pra e thënë më thjesht idenë e Greqisë dhe Serbisë së madhe. Nën këto thirrje janë vrarë e masakruar shqiptarë në veri e në jug, nëna, baballarë, fëmijë të lindur apo ende në barkun e nënës. Shqiptarët nuk e kanë bërë kurrë diçka të tillë dhe as e kanë përdorur flamurin apo shqiponjën e tyre në emër të këtyre batërdive të përbindshme.

E nga krahu tjetër ky është i njëjti flamur me të njëjtin simbol shqiponje që e mbajti Gjergj Kastrioti, arbërori që sot ka monumente në kryeqytete e qytete Europiane e shumë më tej siç janë Brukseli, Londra, Roma, Gjeneva, e deri në Shtetet e Bashkuara. Pa rolin e tij edhe vetë Europa nuk do të ishte e tillë. Ndaj sot është komplet pa kuptim absurdi i atyre që ndihen të provokuar nga shqiponja dhe përfaqësimi i saj.

Thënë këto të vërteta duhet kuptuar se simboli i shqiponjës shqetëson vetëm ekstremistët, ata që sot e kësaj dite shohin ëndrra me pushtime territoresh, me zgjerime kufijsh, me çarje e përçarje mesjetare. Janë të njëjtët që duan mohimin e historisë, gjurmëve, e mbi të gjitha shkelmimin e bashkëjetesës, lirisë e hapësirës së të shprehurit të simboleve kombëtare pa cënuar askënd tjetër. Pikërisht ky presion ndaj atyre që bëjnë shqiponjën është i rrezikshëm, sepse i jep krahë e forcë këtyre grupeve ekstreme. E pikërisht bota perendimore duhet më çdo kusht të refuzojë këtë mendësi që sot kërkon të hiqet shqiponja, të fshihet identiteti, e nesër pse jo mund të kërkojë të shuajë edhe flamurin, si formë për të zhdukur shqiptarët.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje