Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Kur t’i pyesni VIP-at pse e mbajnë të fshehtë jetën private, kujtoni Norën dhe Robertin

Kur t’i pyesni VIP-at pse e mbajnë të fshehtë jetën private, kujtoni Norën dhe Robertin
August 27
19:49 2019

Kryefjala e mediave dhe rrjeteve sociale që prej ditës së dielë ka qenë ndarja e Nora Istrefit dhe Robert Berishës. Një çift që me dashamirësinë dhe respektin për ndjekësit vendosi që në një farë mënyre “t’i sqaronte” për çdo aludim që ishte bërë kohët e fundit.Dhe kjo duhet vlerësuar. Por vetëm kaq. Gjithçka ndodhi më pas, më bindi dhe njëherë se sa të drejtë kanë personazhet e njohur kur thonë që jetën private duan ta mbajnë larg syrit të publikut.

Sepse çdokush, qoftë edhe pa një identitet apo një mendje për të logjikuar, mendoi se kishte të drejtë ta komentonte gjerë e gjatë. Të shante e të ofendonte, të gjente gabimet e tij e të saj, ta quante ndarjen turp pasi shpjegonte konceptin e familjes që më shumë i ngjan mënyrës si mendohej nga njerëzit para lindjes së Krishtit. Të tjerë më pas menduan të organizojnë dhe një “protestë” qesharake, sikur kjo të ishte shakaja e radhës në internet.

Pastaj sigurisht në krahë të një ngjarjeje jo dhe aq të bukur, lloj lloj portalesh bëjnë lloj lloj artikujsh. Disa me burimet e tyre “ekskluzive” (i thënçin) nxjerrin versionet e reja të historisë, apo “të vërtetat shokuese”. Të tjerë zbulojnë arsyet, të tjerë gërmojnë në të shkuarën për detaje familjare. Edhe pse detyra e medias dhe portaleve është të informojë mbi çdo gjë që ndodh, ka dy gjëra që duhen mbajtur mendur: vërtetësia dhe kodi i etikës, sidomos kur flitet për çështje delikate.

Prandaj kur VIP-at të thonë se duan ta mbajnë të fshehtë jetën private, kuptojini. Ndoshta nuk duan që e gjithë bota të mendojë se ka të drejtë të kontribuojë në vendimet që marrin, në hallet e shtëpisë, apo kush do e mbajë fëmijën. Ndoshta nuk i intereson të marrin leksione morali nga njerëz që mendjen e kanë mbyllur brenda 4 mureve. Ndoshta vërtet duan t’i përballojnë lidhjet, lumturinë, ndarjet, trishtimin e çdo gjë tjetër pa miliona sy që argëtohen me këtë.

Mendoni pak: po të ishit ju në vendin e tyre si do kishit reaguar? Pikërisht!

Me shpresën se cudia më e madhe 3 ditë zgjat, komentet e shqiptarëve 4, urojmë që Nora dhe Roberti, apo cdo individ tjetër të jetë i lumtur, cilado zgjedhje i bën të tillë. /Blitz.al/

Nga A.L

Share