Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kur ëndrrat i udhëheq dashuria… (nga Kozeta Kurti)

Kur ëndrrat i udhëheq dashuria… (nga Kozeta Kurti)
October 29
12:26 2018

Kur ëndrrat i udhëheq dashuria…

…dhe bëhen realitet falë saj, dashurisë!  Sepse ëndrrat, ndryshe nga të brendshmet, nuk mbahen në sirtar, por për to duhet kohë për të menduar, për të planifikuar, vepruar e në fund për t’i realizuar! “At’ Sergi” i Tolstoyt ishte një ëndërr imja e vjetër, shumë vjeçare, një ambicie shumë më e madhe se sa thjesht një projekt artistik teatral; një ambicie për t’u treguar të gjithëve se nuk është e pamundur të bësh një grup njerëzish bashkë për t’i dhënë jetë një mendimi të një njeriu të vetëm. Unë kam menduar për vite se nëpërmjet kësaj vepre, mund të bëja dikë të lumtur, vetëm një çast, një njeri të vetëm, rrethanat e jetës të së cilit, e shpunë larg dëshirave të veta, ëndrrave e planeve të thurura, por vetëm nuk do të mundesha kurrë. Një nga detyrat e artit është edhe kjo: të bëjë njerëz të lumtur, sikur edhe vetëm një njeri, ta ngrejë peshë, ta pushtojë nga emocionet, t’i dhembë trupi e shpirti e mendja, njëlloj si atij që është në skenë, t’i qeshë buza njëlloj si atij që është në skenë. Ky ekran i ftohtë që kam përballë, nuk është dhoma ime e rrëfimit, as një qënie e gjallë, së cilës mund t’i besoj, por është mjeti me të cilin, mund t’u shpreh të gjithëve se “At’ Sergi” ndoshta nuk është vepra më e mirë e Tolstoyt, as “At’ Sergi” ynë në teatër mund të mos jetë më i miri, por ama është i pari; Nuk kemi nevojë as për regjisorë, as për dramaturgë dhe as për aktorë për të lexuar Tolstoyn, as për ta kuptuar atë. Kemi nevojë të eksplorojmë e të zbulojmë aktualitete të kohës dhe të kuptojmë se njeriu i sotshëm nuk është më i mirë se ai i djeshmi dhe as më i keq se ai i nesërmi; kemi nevojë të çmitizojmë mitet e të ulemi me këmbët në tokë; i duam shfaqjet e teatrit (dhe jo vetëm), për t’u ballafaquar me veten, me tjetrin, i duam për të zbehur komplekset, i duam për të pranuar të vërtetat, i duam për të shkëmbyer përvoja e të dalim nga uji i ndenjur, në të cilin zhysim kryet e bëhemi qelbur çdo ditë, në mendje e në zemër.

Fatos Berisha mund të mos jetë regjisori më i mirë në planet, mund të mos ishte fare as anëtar i Akademisë Europiane të Filmit, as bashkë themelues i Prishtina Film Festival, as fitues i dhjetra çmimeve në festivale, por është njeriu që ndërtoi një shfaqje për njeriun dhe këtu e mbështeti gjithçka në skuadrën që mori në dorë nga “hiçi”, sepse asnjërin nuk njihte, me askënd nuk kishte punuar më parë. Kasti i “At’ Sergit” për dikë tjetër mund të kishte qenë ndryshe, por ne këtu nuk kemi vetëm aktorë; kemi NJERËZ që u kujdesën për njëri-tjetrin për ditë me rradhë, e po vazhdojnë ende, sepse kemi shumë rrugë për të bërë sëbashku; kemi aktorë që rrëmbyen vështrimin e kujdesshëm të partnerëve të skenës dhe po, kemi njerëz që s’e tretën vështrimin ndaj tjetrit edhe në prapa skenë, edhe në korridoret e teatrit, edhe në oborrin e pasmë të tij, edhe në orët e vona të kaluara cilësisht në Pedonalen e Tiranës, aty ku gëlon shpesh thashethemi në vend të kritikës, intriga në vend të mbështetjes. A ka shkuar gjithçka vaj që në fillim? Do të gënjeja po të pohoja dhe do të shqetësohesha po të ndodhte, sepse e urrej mungesën e presionit dhe nervit në ngjarje që aspirojnë të përcjellin emocion. Gjatë këtyre ditëve nuk kam qenë e lirë të shprehem si kam dashur, sepse për shkak të përfshirjes sime personale, e kam konsideruar jo etike, ndërsa sot mundem, sepse jam zot i lirisë sime. Në sallë kam parë njerëz që kanë qeshur,

pastaj janë mpirë, janë përlotur, kanë duatrokitur gjatë e jo thjesht për mirësjellje, që na kanë shkruar se: “pashë një shfaqje për njeriun, qënien perfekte gabimplotë, të quajtur NJERI. Unë nuk besoj në zot prej kohësh, ama besoj në njeri dhe imperfeksionin njerëzor”.

Por kam parë edhe njerëz (me kokrra për fat) që janë çuar nga karrigia, sepse nuk pranojnë dot seksin teatral, që buron nga dashuria, pasioni, tradhëtia, nevoja njerëzore, ndërkohë që jashtë ose janë të dhunuar, të mashtruar, të tradhëtuar, ose dëgjojnë përditë histori reale nga i afërmi, miku e fqinji e bashkëjetojnë qetësisht; janë çuar nga karrigia, sepse nuk u duket afër mendsh që një prift i vetmuar, i dorëhequr nga bota mund të vrasë një perandor të fuqishëm. Është e vështirë të pranohet kjo në një shoqëri që pushteti dhe i forti janë “gogoli”. Gjithçka përmendet kur flitet për njeriun: profesioni, të ardhurat, stili i jetesës, familja, kurse për ndjenjat: sa rrallë flitet për to. Por bota prandaj është bukur, sepse siç shprehet edhe në një monolog të shfaqjes: “…Ne jemi vetëm një pikë e kaltërt e zbehtë në kozmos… Bota jonë. Shtëpia jonë. Ne. E në të, të gjithë ne, të gjithë, çdo njeri i gjallë që ndonjëherë ka jetuar, ka jetuar mbi të. Mbi këtë tokë. Me të gjitha bashkë, vuajtjet, mijëra religjione, ideologji e doktrina, çdo hero e frikacak, çdo çift i dashuruar, çdo mbret e çdo varfanjak, çdo fëmijë, çdo nënë e babë, çdo mësues i moralit e politikan i korruptuar, çdo superstar, lider, çdo i shenjtë e çdo mëkatar… kanë jetu këtu, në këtë grimcë pluhuri, të quajtur tokë: në këtë pikë me ngjyrë t’kaltërt, t’zbehtë… Për qënien njerëzore. Të dua. Për dashurinë. Për dashurinë! Të dua…” Dikur, “At’ Sergin” e mora në dorë në një fundjavë të ftohtë nëntori, shoqëruar disa orë më vonë me një mesazh: “As baleti i Nurejevit nuk do ta ndalte vallëzimin e syve të tu në këtë natë pub-esh”

Më shumë se një vit e gjysmë më parë e dorëzova në disa fletë formati ngjyrë rozë; jo nëpër zyra, as nëpër kafene, por në shtëpi, aty nga ku buron zgjatja e dorës dhe dashuria, duke kërkuar një shfaqje për dashurinë që sot e përgjithmonë, t’u them atyre të nëntëve në skenë e të tjerëve jashtë saj: “as baleti i Nurejevit nuk e ndali dot vallëzimin e syve tuaj në dhjetëra orë provash e një fundjavë pub-esh”.

…sepse shfaqja e pendesës dhe falja, është përqafimi për të cilin kemi nevojë! Sa ja ka vlejt’ ky përqafim, të cilin mësuam ta zgjasim më shumë nga skena deri jashtë saj!

Komento
Shperndaje