Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kulti i gjarprit dhe shqiptarët

Kulti i gjarprit dhe shqiptarët
November 22
16:46 2016

Nga Marin Mema

Kulti i gjarprit ka tërhequr të parët tanë që në kohët më të hershme. Jo më kot kemi mjaft të dhëna për hyjnizimin e tij që në periudhën ilire. Ai konsiderohej si element i rëndësishëm që kishte të bënte me pjellorinë e tokës e të gruas, por edhe me vatrën familjare. Në veprën e tij “Mitologjia ndër shqiptarë”, autori Mark Tirta citon legjendën e fenikasit Kadm dhe gruas së tij Armonia, të cilët, pasi erdhën tek ilirët, ku edhe vdiqën, vijuan të jetojnë pas vdekjes në formë gjarpërinjsh.

Në tregime të ndryshme të Greqisë antike thuhet se Iliri ishte gjarpri e fiset e ndryshme ilire ishin bijtë e bijat e tij. Edhe Plutarku, historian dhe filozof grek i antikitetit, na sjell një legjendë që e konsideron Aleksandrin e Madh si të lindur në Epir nga nëna Olimpi dhe një gjarpër.

Përtej mitologjisë dhe legjendave, elemente të prekshme janë gjetur në gërmime të ndryshme të kryera në site arkeologjike në territoret ku shtriheshin fiset ilire, siç janë p.sh. ato të Selcës së Poshtme, Dimalit, në kalanë e Hollmit në Kolonjë dhe deri te monedhat e fisit ilir të Labeatëve, të përdorura në Bylis, Dyrrah, Amantia etj.

Por kultin e gjarprit nuk e gjejmë vetëm në periudhën ilire. Edhe sot, në shumë treva shqiptare ruhet ende kujtimi i gjarprit të shtëpisë. Diku e bëjnë me brirë, diku me disa qime, diku më të gjatë, por pavarësisht formave në të cilat ai paraqitet fakt është se nga jugu në veri, gjarpri është pjesë e besimeve popullore.

Në mitologjinë shqiptare ai paraqitet edhe si fatsjellës apo mbrojtës nga syri i keq. Mark Tirta e bazon këtë element te fakti se në shumë zona të Shqipërisë, lëkura e gjarprit përdorej si hajmali ndaj sëmundjes së tokës.

Kulti i gjarprit gjendet mjaft edhe në zbukurimet popullore, në tavanet e vjetra, zbukurimet e orendive të ndryshme shtëpiake dhe te dyert e shtëpive. Ky i fundit është një element që haset kudo, nga jugu në veri, dhe është mbartur brez pas brezi si faktor mbrojtës nga e keqja.

Mjafton që të tregoheni më të kujdesshëm kur shikoni portat e vjetra me harqe, sepse në shumë prej tyre do të kuptoni formën e stërzgjatur e të përdredhur të tij, që qartazi dallohet mbi ose anash saj. Nëse shkon më thellë atë e ndeshim edhe në toponime, por edhe në prozën e poezinë popullore.

Gjarpri në formën e kultit haset edhe te mjaft popuj të tjerë që e konsiderojnë si hyjni të nëntokës, burimeve, por edhe të forcave shkatërruese e fuqisë së natyrës./Blitz.al/

roman-history1559-3

jj jjj

Komento
Shperndaje