Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kujdes, televizioni i ka “këmbët e shkurtra”!

Kujdes, televizioni i ka “këmbët e shkurtra”!
April 12
13:18 2016

Televizioni është bërë një ndër armët më të fuqishme të shoqërisë. Nëpërmjet tij mund të jepen mendime, mund të fillojnë dhe mbarojnë luftëra, mund të shkaktohen vdekje, skandale, ulje, ngritje e të gjitha këto sipas gustos së një grupi minoren mediokrish që guxojnë dhe nëpërkëmbin nevojën individuale për informim. Nëpërmjet televizionit sot, gënjeshtra mund të veshë lëkurën e së vërtetës dhe e vërteta mund të humbasë nëpër labirintet e studiove superluksoze e të mos gjendet kurrë. Shumë njerëz këtë mbrëmje do të kenë “ngulur” vështrimin (e ndonjëherë fatkeqësisht edhe shpresën e tyre) te kjo kuti magjike e prodhuar diku në Kinë për të mësuar të vërtetën. E imagjinoje ndonjëherë se do të ishe bërë kaq papritur e dukshëm qesharak? A e kishe menduar ndonjëherë se dy nga thesaret e tua më të çmuara, ndërgjegjja dhe shpresa, do të burgoseshin kaq lehtë nga një kuti 50x50cm? Dhe e gjithë kjo sepse të vërtetën e kërkojmë në mënyrë dhe në vend aq të gabuar, saqë nëse nuk përmendemi do të na shkaktojë një hidhërim të pamasë për periudhën e errët që po vjen. Në opinionin e shumë gazetarëve dhe specialistëve të medias vizive ekziston mendimi se kur ne shohim një lajm në televizion, në mënyrë të vetvetishme, mendojmë se ajo që po shohim është diçka që lidhet me realitetin. Aksioma “besojmë atë që shohim me sy” është skalitur diku në nënvetëdijen tonë, si produkt i qindra viteve besëtytni dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse i qëndrojmë besnik kësaj aksiome gjithmonë e më shumë. Nuk përpiqemi as ta ndalim dhe as ta vlerësojmë me një sy kritik, përkundrazi i referohemi si gjetjes më të madhe të njerëzimit duke i dhënë kështu atribute, të cilat faktikisht televizioni, jo vetëm nuk i meriton, por edhe i përdor në të kundërtën tonë, gjithmonë në heshtje, gjithmonë duke mos dalë në sipërfaqe.

Së pari, televizioni që në zanafillë të krijimit të tij është krijuar për arsye tepër personale e në nëndukje tepër egoiste. Është përpjekur medoemos të iluminojë njerëzit mbi të vërtetën, mbi atë çka duhet të besojnë, mbi atë çka është e mirë dhe e keqe, mbi atë çka duhet të dinë. Kudo ka depërtuar duke na diktuar “atë çka duhet”. Por fundja, nuk pyeti dikush: “Nga ta dijë televizioni se çfarë më duhet mua? Televizioni, që është kaq universal, që është një mjet për të depërtuar te çdokush, si do mundet vallë të depërtojë në individualitetin tim, kur ky i fundit është krejt i ndryshëm nga ai i të tjerëve?”. Në mungesë të kësaj pyetjeje, televizioni ka bërë çfarë ka dashur gjatë gjithë kohës. Mjafton t’i kthehemi regjimeve totalitare dhe të vërejmë se si televizioni është veçse një mjet i rrotulluar në grushtet e atyre që duan të imponojnë, duan të diktojnë “të vërtetat”. Regjimet totalitare e përdorën televizionin si aleatin më të denjë të transmetimit të një fasade të bukur e të krimbur nën të. Ndërkohë që televizioni nuk ndalej së iluminuari, njerëzit nuk ndaleshin së thithuri “oksigjen të pastër”, nuk ndaleshin së mbyturi veten me tym të maskuar. Por edhe pasi këto regjime për një arsye apo tjetër u rrëzuan, e vetmja që nuk u rrëzua ishte “tirania e televizionit”. Ai pati krijuar tashmë një tempull, një Olimp, të cilin e shikonte të përsosej. Duke nënshtruar vazhdimisht njerëz e duke iu rregulluar padijen e tyre për tema të ndryshme aktuale ose jo, televizioni u kthye në burimin kryesor të realitetit të gënjeshtërt.

Gjithashtu, televizioni është milje larg planetit tonë. Duket sikur është një copëz qiell i vendosur larg prej horizontit të realitetit. Spektakli, dramat, të papriturat, surprizat televizive nuk janë gjë tjetër veçse pickuese të realitetit të hidhur. Madje shumë herë marrin dhe rolin e argëtimit të shikuesve, paturpësisht argëtojnë nëpërmjet gënjeshtrës. Një publik i cili robtohet çdo ditë për të ardhura materiale vëren se si duke bërë qesharakun në botën e spektaklit të mirat materiale vijnë kaq lehtë. Jo rastësisht njerëzit e spektaklit dhe televizionit janë gjithmonë shumë të lumtur, shumë të bukur, shumë të talentuar; jeta e tyre është kaq e përsosur, sikur të jetonin në brendi të filmave e në brendi të ëndrrave. Për “banorët” e televizionit nuk ka të nesërme, gjithçka është e realizueshme sot, nuk ka vuajtje, nuk ka taksa, nuk ka fatura energjetike, dritat vezullojnë më shumë për ta, siç shkëlqejnë veshjet disa mijëra dollarëshe, të blera patjetër në firmat e kompanitë më luksoze e më në trend të momentit. Ky reklamim bëhet pa arsye të veçantë, bëhet krejt rastësisht duke i lënë publikut të kuptojë se kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, këtë lloj mundësie mund ta ketë çdokush. Dhe sa demoralizuese është kur publiku dhe opinioni publik sa vjen e më pak të prekshme i sheh mundësitë e mëdha që kanë njerëzit e televizionit. Publiku ndihet inferior, ndihet i pavlerë dhe totalisht i diferencuar. Në këtë stad jo vetëm i diferencuar për sa u përket mundësive, por edhe i diferencuar nga pjesëmarrja, nga vlerësimi i opinionit të tij nëse gjithmonë ekziston një opinion publik pasi vihet në dyshim shpeshherë.

Për më tepër, televizioni mbetet pista strategjike e të pushtetshmëve. E atyre që kanë një reputacion për të mbajtur e ngritur, atyre që qëndrojnë padyshim më lart dhe e gjithë kjo bëhet duke pasur parasysh një luftë të madhe mediatike. Konkurrenca midis televizioneve të ndryshme, midis prodhuesve të spektaklit, midis të dukshmëve është kthyer mendoj unë, në nivelin më të lartë të luftës së nënzëshme. Një “Luftë e ftohtë” për zona ndikimi, për territor, për vëmendje. Oraret e përcaktuara të lajmeve, emisioneve të ndryshme televizive janë vërtet qesharake. Televizionet përdorin fanatizmin e korrektësisë për të informuar e për të edukuar publikun e gjerë me lajmet e ditës në orën 7:30 të mbrëmjes zakonisht dhe çuditërisht të gjitha në të njëjtën kohë; a thua se gjysmë ore më shpejt apo më vonë do të bënte diferencën në informimin dhe “iluminimin” e publikut. Gjithë kjo korrektesë, e gënjeshtërt sigurisht, nuk është gjë tjetër veçse një abuzim me pushtetin që ne vetë u kemi dhënë.

Në një analizë të hollë; televizioni nuk qëndron shumë larg politikës. Janë kaq të ndërlidhura me njëra-tjetrën; përdorin të njëjtat filozofi, ideologji, përdorin sigurisht të njëjtin qëllim: interesat personale, qëndrojnë në krye të interesave të të tjerëve e për të shkuar deri këtu përdoret çdo mjet i mundshëm, madje dhe gënjeshtra e thellë. Televizioni krijon elita dhe nuk ka asgjë të keqe me krijimin e tyre për aq kohë sa kriter përdoret meritokracia, por bota e televizionit në të shumtën e rasteve dëshmon të kundërtën e për hir të kësaj publiku mësohet me idenë se pushteti, fama, admirimi, piedestalet e larta e të paprekshme u përkasin atyre që s’e meritojnë, atyre që më pak kanë luftuar për këtë pjesë. Por në vijimësi të gënjeshtrës ka edhe nga ato më të paturpshmet. Spektakle të tëra me gjasme “spontanitet” dhe kreativitet të lirë të krijuesve të tyre janë veçse ca dokrra më tepër në të përditshmen e secilit. Grupe opinionistësh, të cilët bëhen për gjak në studiot televizive dhe nga ana tjetër bëhen sërish për gjak se cili prej tyre do të paguajë faturën e tavolinës ku të gjithë bashkë kanë pirë dhe kanë festuar luftën e bërë pak më parë në televizion. Dhe publiku ndërkohë vazhdon e mban kahe, vazhdon admiron njërin dhe kritikon tjetrin, duke harruar se ata janë po të njëjtët. E njëjta gjë vlen për emisionet politike, artistike e kulturore, ku të ftuar janë ato personalitete që ne aq shumë “admirojmë”. Publiku bie pre e provokimeve televizive, e bisedave gjasme të përgatitura në moment dhe e përgjigjeve të artikuluara më së miri. Nga ana tjetër ato provokime televizive të menduara gjerë e gjatë paraprakisht, biseda dhe përgjigje të mësuara përmendësh prej ditësh me radhë janë e vërteta e madhe përtej kësaj turbullire të gënjeshtërt.

Si përfundim, përpos disa aspekteve pozitive, televizioni nuk duhet të merret shumë seriozisht. Nuk duhet absolutisht të bëhesh pre e t’i nënshtrohesh kësaj “tiranie” të ngritur lart prej nesh. Sikurse çdo gjë tjetër që përpiqet të të udhëzojë mbi rrugën e drejtë ka përtej kësaj një interes tjetër. Televizioni është mësuar tashmë me termin “prapaskenë”. Për të është kthyer në praktikë pune. Televizioni reklamohet, admirohet, manifestohet e ngrihet gjithmonë e më shumë në shkallë të “përfaqësimit”. Televizioni është politikë, është objekt i përdorur në duart e të pushtetshmëve, është diktator, është “kujdestar” i mendimeve tona, është “rregullues” ndërgjegjesh, thyen tabu, zhvendos mendime të lira e spontane e tymos të vërteta. Televizioni jeton në një planet paralel, por aspak të ngjashëm. Sa vjen e gjithmonë i largohet realitetit, ngrihet në qiell vazhdimisht duke krijuar një hendek të madh midis tij dhe opinionit publik. Televizioni pretendon të jetë zhdukësi i stereotipeve e në të njëjtën kohë është krijuesi më i madh i tyre. Duke vendosur në plan të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të shëmtuarën, ai nuk të lë hapësirë që t’i gjesh vetë përkufizimin gjithçkaje. Televizioni ngordh individualitetet dhe bashkë me to subjektivizmin e secilit.

Por, gjithsesi, televizioni mbetet pika jonë e referimit. Na duket sikur televizioni i paraprin gjithçkaje e prek të ardhmen më shpejt se të gjithë. Ajo çka ne bëjmë nesër është ajo çka televizioni bëri dje. Jemi kopjues të mrekullueshëm, gjithçka e thithim shumë shpejt, sidomos kur bëhet fjalë për një copëz televizion. Televizioni i ka kthyer njerëzit nga disa forca të papërmbajtshme, në disa objekte të paluajtshme, e ndërkohë vazhdojmë në kërkim të së vërtetës, atë të cilën asnjëherë nuk do e gjejmë nëse vazhdojmë rrënojmë brenda televizionit dhe botës së spektaklit. Aty ka veç mjegull, turbullirë dhe përdhunim me dashje e paramendim të plotë të botës sonë shpirtërore.

 

Etiketimet
Shperndaje