Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

KUJDES! “Pronari pa b*le” që bën sulm në rrjete sociale, në të vërtetë mund të jetë një VIP Instagram-i

KUJDES! “Pronari pa b*le” që bën sulm në rrjete sociale, në të vërtetë mund të jetë një VIP Instagram-i
June 04
17:35 2018

Pak ditë më parë isha prezente në një konkurs letrar për të rinjtë. Pjesëmarrja e tyre ishte e madhe dhe secili kishte punuar shumë për të fituar një nga çmimet që do të ndaheshin. Njëri prej tyre ishte dhe çmimi i publikut. Një nga anëtarët e jurisë, kur do të shpallte këtë çmim u shpreh se ishte më i vështiri që i duhej të jepte, pasi duke qenë se vlerësoheshin nga pëlqimet dhe komentet që kishin marrë punët e tyre në rrjete sociale kishte vënë re që në morinë e “like”-eve kishte shumë turq, arabë, kinezë apo pakistanezë e adresa fallco, të cilat u kishin hapur shumë punë në verdiktin përfundimtar.

Këtë shembull e hasa edhe në disa raste të tjera brenda një jave; në klikimet e blera të një kënge, në profilin i një VIP-i me 40% ndjekës të një shteti që s’ja ka haberin se ai/ajo ekziston… Në rregull, i kuptojmë të rinjtë që dëshirojnë medoemos të fitojnë një çmim modest, por kur këto adresa hapen për qëllime të shëmtuara atëherë kjo gjë kthehet në shqetësim.

Është shumë e rëndësishme që gjërat të përparojnë me kohën, të përmirësohet komunikimi, gjë për të cilën mund të themi se është diçka në të cilën njerëzimi ka përparuar. E teksa njeriu përpiqet që të avancojë me teknologjinë, është kthyer në një problem të madh ndjesia e të qenurit njeri, human, njerëzor, një qenie me një personalitet.

Nëse ka një gjë “kancerogjene” që e bën shoqërinë shqiptare të zihet në kurth e të ecë me hapat e breshkës drejt civilizimit, janë pikërisht personat që ndjejnë kënaqësi duke sulmuar tjetrin “skuthçe”, e konkretisht me adresa false në rrjete sociale.

Mund t’i ketë ndodhur kujtdo që dikush t’i ketë shkruar nga një adresë “pa pronar me b*le” duke e kërcënuar, duke e sharë, duke i numëruar të njëqindtat e dynjasë: “do të të bëj këtë e atë”, pa pasur as minimumin e arsyes përse të shpërthejë, aq më pak nëse nuk e njeh fare personin të cilit po i shkruan.

Kjo gjë u ndodh rëndom VIP-ave. Fansa të tyre (ose jo) hapin adresa false për t’i sulmuar, për t’i bullizuar, për t’i kërcënuar thjesht dhe vetëm sepse poshtë një emri “fake” në Instagram apo Facebook të “pronarit pa b*le”, gjithçka i duket më e lehtë dhe e bukur, e kënaqësia se i bëre dikujt keq mbetet nën anonimat.

Gati 90% e personave që preferojnë të hapin adresa false për t’i bërë keq dikujt tjetër, janë persona që nuk kanë një jetë sociale të shëndoshë, janë të trembur nga karakteri i vobektë i tyre, nuk ndjejnë kënaqësi në jetë dhe pëlqejnë të komentojnë negativisht gjërat që 100% nuk do munden t’i kenë kurrë në jetë.

Për të thënë këtë nuk të duhet të kesh aspak një diplomë psikologjie. Le t’u rikthehemi pak VIP-ave në këtë rast sepse fenomeni është mëse i përhapur tashmë. Sa herë që zhvillohet një spektakël televiziv ku brenda tij ka konkurrencë, në profilet e personazheve që marrin pjesë rritet numri i ndjekësve, kjo sepse momentalisht ata janë në qendër të vëmendjes. Deri këtu jemi në rregull, ama kur shumica e këtyre “fansave” vijnë për të të sharë me shpatë në dorë duke të të quajtur “shtrigë, plehrë, s’ke surrat, i/e pavlerë” etj., atëherë lind dyshimi mbi një lloj fenomeni “alien” që ka pushtuar showbiz-in tonë dhe popullin në përgjithësi:

“Pronari masiv pa b*le” që bën sulm në grup, në të vërtetë mund të jetë një VIP Instagram-i.”

Ka dy lloje njerëzish: ata që hapin adresa false për të bërë tifo për veten dhe ata që hapin adresa false për të sulmuar kundërshtarin. E pikërisht kjo e fundit është ajo konkurrenca e shëmtuar që do apo nuk do, e has edhe nëse je një përdorues i thjeshtë Instagram-i.

Po, ka shumë emra të njohur të ekranit shqiptar që krijojnë adresa të tilla dhe hiqen si fanse për të rritur vlerat e vetes, për shembull të komentojnë në fotot e tyre në Instagram. Kjo padiskutim që është diçka e pakuptimtë, por le të themi se deri këtu e kuptojmë dëshirën e tyre për të qenë në qendër të vëmendjes. I kuptojmë edhe grupet në të cilat gjendemi një ditë çuditërisht për t’i bërë “like” një fotoje. I kuptojmë edhe fotot apo videot alla paparaci që bëjnë “MU” që nuk i ka bërë ndonjë paparac. Por ajo që nuk mund të konceptohet është strategjia që shpesh VIP-at përdorin; të sulmojnë tjetrin që ai të dalë keq. Kjo gjë padiskutim që ndodh kur kanë inate me njëri-tjetrin, por ka ndodhur sidomos gjatë kompeticioneve të rëndësishme televizive, siç mund të ketë qenë “Big Brother”, “The Voice”, “Eurovizion”, “Dancing With The Stars”, “Dance With Me” apo çfarëdolloj kompeticioni tjetër. Komentet janë tërësisht alarmuese, duke nisur që nga ato idiote e deri tek mallkimet, ofendimet e pacipa apo kërcënimet e një “pronari adrese fantazmë”. Ja që në fakt ky fantazma, besojeni apo jo, ka prapa vetes një njeri të “kullandrisur”, të pispillosur që fytyrën e tij të vërtetë e ka shumë të vështirë t’ja tregojë masës, pasi i duhet të mbajë në këmbë një reputacion.

Është pak e vështirë që t’ua shpjegosh jo vetëm këtyre “pronarëve pa b*le të pispillosur” por edhe atyre të shtirur në Instagram, që një taktikë e tillë është shumë “old fashion” dhe ka vite që qarkullon, aq sa sot dallohet menjëherë dora e një komentuesi “ziliqar”, e atij që vërtet ka një opinion jo pozitiv për ty dhe e “skuthit” që merr emra të ndryshëm në Instagram.

Padiskutim që komente të tilla dashakeqe rëndojnë në psikologjinë e atij që i pëson, që kërcënohet e bullizohet ama alarmante dhe për të vënë duart në kokë është fakti se sa i ligë mund të bëhet njeriu përballë konkurrencës. Ajo që duhet të mësojnë jo vetëm këta njerëz, por çdo person që i duket se ka në dorë botën prapa një ekrani kompjuteri me një emër  të vjedhur nga telenovelat është se pafytyrësia nuk ia ka parë hajrin kësaj bote, të lë në vend zero, nuk të fal asgjë më shumë se sa 2 minuta emocion dhe intrigë. “Pronari pa b*le” nuk merr dot hua asnjë atribut, ja përse jo të gjithë bëjnë hajër në këtë botë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje