Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryeministri na krahasoi me organin gjenital dhe të gjithë e miratuam në heshtje!

Kryeministri na krahasoi me organin gjenital dhe të gjithë e miratuam në heshtje!
March 30
18:47 2018

Nga Andi Vrapi

 

Mjafton të ulesh me dikë në tavolinë apo edhe të ecësh për nja 3 minuta mund të kuptosh që nuk mund të bësh asnjë bisedë tjetër përveçse: “Është bërë keq puna!”, “Nuk po kemi lekë të paguajmë taksat, jo më pushime!”, “Ore, po dritat pse më vijnë prap shtrenjtë?”, “Po tani që na u shtua edhe taksa e pronës si do ja bëjmë?”, “S’më del rroga për asgjë!”, “Kam probleme për [x gjë], po më sorollasin kot nëpër bashkira, ministrira, drejtorira” etj.

Shumëkush që po më lexon e ka gjetur të paktën një herë në një situatë të atillë dhe kur bashkëbiseduesit i pyesim, pse nuk kundërshton, proteston, ngre zërin, përgjigja është njësoj te të gjithë: “Po pse të ngrihem vetëm unë? Ka dhe të tjerë…!”.

Mirë, është kuptuar tashmë që ne si popull apo si shoqëri çalojmë te kultura politike [dhe kultura politike nuk është kahu apo bindja politike] sepse edhe kur qeveria na prek në kallo sërish nuk ngremë dot zërin sepse i marrim çështjet individuale dhe kurrë s’duam të jemi nismëtar të një aktiviteti, lëvizje.

Ama, edhe kur ofendohemi, shahemi, përbuzemi, injorohemi, nënvlerësohemi publikisht dhe masivisht sërish, po sërish bëjmë ASGJË.

Seancën e djeshme parlamentare, kryeministri Rama u shpreh tekstualisht para opozitarëve: “… dhe për më tepër, kur fillojnë këto kërcënimet, jo po shiko këtu se do ngrihen këta, do ngrihen ata. Kjo e ngritjes është thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokulur s’të përgjigjet dot. është poezi që e di doktori këtu, pyeteni se e di mirë ai këtë punë”.

Pra, nëse dikush nuk e kuptoi, ata që ngrihen jemi ne, “populli”, por në poezi ai që nuk ngrihet është organi gjenital mashkullor që nuk eksitohet dot sepse është impotent. Shkurt, qartë dhe pastër, në sytë e kryeministrit dhe qeverisë jemi thjesht, të gjithë bashkë një penis që nuk ngrihet dot.

Në një vend tjetër, kudo nëpër botë kjo qeveri dhe ai kryeministër nuk do ta zgjasnin as 24 orë dhe jo më të vazhdonte rrugën normalisht dhe të lexonte kërkesat e komentuesve për t’u uruar ditëlindjen.

Në një vend tjetër, do të kishin shkuar të gjithë bashkë te dera dhe do e kishin nxjerrë jo prej veshësh dhe prej hunde, por prej… epo, kuptohet besoj!

Por ne nuk jemi një vend tjetër sepse ne jemi mësuar të heshtim dhe sigurisht, po heshtim është këtë herë. Kështu që, po e pranojmë me shumë dashuri sërish edhe këtë deklaratë. Ashtu siç pranuam taksa, kulla, gjoba, tarifa etj, etj.

Po aman, të paktën të mos na kishte bërë impotentë… fundja, të bënim atë punë saktë, se punët e tjera dihet që nuk qullosim gjë! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje