Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kronikë e një rinie të varur nga rrjetet sociale! (nga Aulona Musta)

Kronikë e një rinie të varur nga rrjetet sociale! (nga Aulona Musta)
January 28
17:53 2019

Prej kohësh jam përpjekur që në forma të ndryshme, fillimisht duke “përdorur” profesionin tim si gazetare, si njeri i medias, duke përdorur burime të ndryshme mediatike, e së fundmi edhe si një influencer, si një personazh me ndikim në rrjetet sociale, të përcjell mesazhe të ndryshme, që në pikëpamjen time janë të rëndësishme, sidomos për rininë dhe vajzat/gratë.

Jo se kam diçka me burrat, përkundrazi, por vazhdoj të mendoj që vajzat dhe gratë janë pjesa më delikate e shoqërisë sonë, e në të njëjtën kohë pjesa më e rëndësishme sa i përket edukimit të brezave të rinj.
Unë mendoj se të rinjtë në Shqipëri kanë shumë nevojë për hapësira, mundësi dhe mënyra alternative për t’u shprehur. Nuk dua të paragjykoj, por realisht më dhemb kur mendoj (dhe ajo çka mendoj vjen si pasojë e asaj që shoh), që një pjesë e madhe e të rinjve në vendin tonë, mënyrën e vetme dhe më të rëndësishme që kanë për t’u shprehur, për t’u argëtuar, për të mësuar, lexuar, informuar, kanë internetin dhe rrjetet sociale. Nuk kam asgjë ndaj rrjeteve sociale, s’ka se si të kem, përsa kohë jam një person i rrjeteve sociale, por ato nuk mund të jenë gjithë dita dhe jeta e të rinjve sot. Nuk mjafton një celular apo një laptop për të mbushur kohën tuaj, sepse koha e shpenzuar me shumicë në rrjetet sociale është në të vërtetë një kohë shterpë, bosh, një kohë pa produktivitet. Ndërkohë që të rinjtë, ju, jeni në kulmin e moshës për të bërë gjëra të bukura, për të gjetur alternativa jo se si ta vrisni kohën, por sesi ta mbushni atë, duke bërë gjëra të bukura, duke bërë gjëra që ju argëtojnë, që ju mësojnë, që ju ndihmojnë për të ardhmen tuaj.
Jo më kot, unë shpesh në rrjetet e mia sociale i “bëj thirrje” të rinjve (por jo vetëm) që më ndjekin, që të minimizojnë kohën e kaluar në kafe, kohën e kaluar para celularit dhe ta zëvendësojnë duke bërë gjëra që i bëjnë mirë atyre. Absolutisht që kafet, takimi me shoqërinë, jeta e natës, janë shumë cool dhe ju duhet t’i bëni.

Unë kam dalë shumë në rininë time (ja kam “luajtur fenë”), është pikërisht koha ideale për t’u argëtuar, por në të njëjtën kohë duhet të investoni seriozisht për veten tuaj.
Më vjen shumë keq që në Shqipëri të rinjtë nuk kanë hobi. Në një “vox pop” të pak kohëve më parë, të cilin po e ndiqja në një nga ekranet shqiptare, pyetjet se cili është hobi juaj, drejtuar të rinjve, pjesa më e madhe ju përgjigjen: “Të kaloj kohën në internet.”

Sa e trishtë! Duhet të gjeni një ose dy hobi, dy gjëra që ju keni shumë qejf t’i bëni, që ju mbushin shpirtërish dhe duhet t’i dedikoni atyre kohë nga dita juaj. Për dikë mund të jetë një sport apo leximi. Për dikë tjetër mund të jetë kërcimi dhe piktura. Dikush ka hobi zgjidhjen e problemeve te matematikes (po, më besoni që ka njerëz të tillë, kam njohur njerëz që në kohën e lirë, për t’u çplodhur zgjidhin probleme matematike). Zoti qoftë me ta! Gjithësesi, përtej shakave, ka dhjetra e qindra alternativa, me anë të të cilave të rinjtë mund të mbushin kohën e tyre, e duke mbushur kohën mbushin shpirtin dhe mendjen.
Është një kohë shumë më cilësore ajo që ju kaloni me veten tuaj, vetëm ju, me një libër në dorë, apo përballë një telajoje; duke shkruar, apo duke bërë vrap, alternativa ka shumë, e gjeni ju cila ju pëlqen më shumë dhe cila është më e mira, që ju përshtatet më shumë ju, se sa duke ndenjur para ekranit të celularit e duke pritur që një X person, thuajse i panjohur për ju, t’ju bëjë “like”, apo që ai personazhi që ju e keni qejf të bëjë postimin e radhës.

Jeni në kulmin e moshës! Mos rrini për asnjë moment kot. Mos e lini kohën tuaj të zbrazët. Mbusheni atë me çfarë të keni mundësi, merrni pjesë në aktivitete jashtëshkollore, regjistrohuni në kurse të ndryshme arti, muzikë, balet, pikturë, fotografi, sport, ka pafund të tilla, që kur të vijë darka dhe të shtriheni për të fjetur, të mendoni për gjithë gjërat që keni bërë gjatë ditës e të thoni: “Wow, unë i bëra të gjitha këto? Unë kaq i ri/e re bëra gjithë këto gjëra?”, dhe të ndiheni krenarë për veten.

Ah, se nuk dua ta harroj pasi për mua është shumë e rëndësishme; punoni part-time (nuk ka kënaqësi më të madhe se sa ajo ndjesia e pavarësisë që të jep ajo rroga që merr në fund të muajit, sado e vogël qoftë ajo, por janë hapat e parë drejt të qenurit i pavarur.) Mos harroni: Mësoni të jeni të pavarur, nga prindërit tuaj në radhë të parë mos prisni gjithçka nga ata. Jepini vetes kënaqësinë e të bërit dhe arriturit të gjërave vet. Duke investuar për pavarësinë tuaj që në moshë të re, do ta keni shumë të vështirë më vonë të pranoni të vareni nga dikush tjetër. Dhe më besoni, e përsëris, nuk ka lumturi më të madhe në jetë, se sa ajo e të qenurit i pavarur, sepse kur je i pavarur, je i lirë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje