Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kriminelët nuk mbijnë nga hiçi

Kriminelët nuk mbijnë nga hiçi
August 03
09:50 2017

Nga Kozeta Kurti

 

Atë mbrëmje, para se të ikje ti përgjithmonë, më zuri gjumi duke parë një video të takimit historik midis dy prej njerëzve më të fuqishëm dhe influentë të planetit për kohën, siç ishin Lady Diana dhe Michael Jackson.  Ata që kishin frymëzuar miliona njerëz në botë ishin aty, përballë njëri-tjetrit, më njerëzorë se kurrë, më modestë se kurrë, më të prekshëm se askush tjetër. Më zuri gjumi me mendimet e zymta, të zeza sterrë, për çdo ndyrësi që po i bëjmë njëri-tjetrit, sado të vegjël e mikroskopikë që jemi; për të gjitha ditët e papuna e netët e pagjuma që i kalojmë duke u rrotulluar e përpëlitur në poltronë e shtretër, si t’ia bëjmë gropën njëri-tjetrit, si të përfitojmë, si të zhvatim, si t’ia fusim, si t’ia zhysim, si të rrahim, si të godasim, si të presim, si të vrasim, fizikisht, shpirtërisht, mendërisht…Si të lëndojmë e të bëjmë dëm në emër të ambicies, egoizmit, fuqisë, forcës…

Këto mendime të poshtra, shpresëmbytëse, varrosëse të optimizmit, por të kohës, do t’i konsideroja ëndrra paqeje, festa me këngë e valle, vetëm të mos gdhihesha atë mëngjes  e të ndeshesha me fytyrën tënde në lajmet e çdo ekrani a gazete.

Të shihja me admirim si model kopertine revistash, jo si viktimë agresioni torturues e kriminal të ca bashkëmoshatarëve të tu. Ç’kallo paska shkelur ky djalë, – mendova e mbytur në lot, – që paska provokuar kaq makabritet! Nuk m’u desh ikja jote për të kuptuar se ç’vlerë ka jeta në këtë vend; as fjalët e shkëlqyera që thanë për ty mësuesit, shokët, njerëzit e tu të afërt, sepse prej kohësh, jetët në këtë vend janë këputur për një: “ç’a ke që m’shef?”.

Nuk pikoi veç zemra jote gjak, derisa pushoi së rrahuri…as vetëm e prindërve të tu që nuk do t’u thahet loti kurrë, por e të gjithëve ne që po rrisim fëmijë, nipër e mbesa në këtë vend, sepse kriminelët, të aftët për të marrë jetën e tjetrit, nuk mbijnë ashtu kot, nga hiçi.

Ata janë produkte të mjediseve ku kanë jetuar e jetojnë; janë ata që nuk kanë ndierë dashuri, përkujdesje e përkushtim, sepse prindërit e tyre kanë rendur gjithnjë pas biznesit, karrierës; ata janë rritur në mjedise e familje ku babai i ka çarë nënës kafkën me shishe birre  dhe njollat e gjakut për fëmijë të tillë nuk përbëjnë problem kur ata rriten; ata kanë shkuar në shkolla ku askush nuk i ka mësuar se mësuesja “nuk shahet nga robt” dhe mbi të gjitha t’i bëhet presion ta qepë se ndryshe ia tërheqin vajzën a djalin zvarrë në ndonjë cep; ata janë produkte të lajmeve me vrasje e therje, ku askush nuk dënohet sa e meriton për veprën që ka kryer; janë produkte të krijimit të miteve kinematografike me grabitje bankash, pengmarrje e bomba; janë produkte të muzikës me “laca”, “bardhoshe” e kartëmonedha “viola”. E di që pas këtyre rreshtave njerëzit do të ndahen  në dy kampe: ata që do ma mbështesin  mua këtë qasje e të tjerë që do të thonë: Ç’faj ka prindi për veprimet e fëmijëve? Prindërit rropaten gjithë ditën në punë për t’i mbijetuar urisë në këtë vend dhe kjo bën teori! Është e vërtetë, po mundohen shumë, por provoni të pyesni një fëmijë, cili mëngjes u shijon më shumë:  ai me trahana që ha me prindërit, apo ai me proshuta, djathëra e më the e të thashë që ha me dadon.

Ikja jote Marv, më kujtoi që pavarësisht jetës sonë të fasadave, me celularë, veshje të shtrenjta, makina e pije me çmime katër e pesë shifrorëshe, ne jemi ca fundërrina të palumtura që edhe po s’të therëm me thikë, të therim shpirtërisht; ne s’kemi asgjë për të bërë në jetën tonë, se po ta kishim treguar sa të fuqishëm jemi, në shkollë a në punë a në ndonjë talent, nuk do të kishim kohë për ta treguar forcën, trimërinë a burrërinë në një karikues plastik a gomë.

Ikja jote Marv më kujtoi se ne vërtet ikim në Europë pa viza, por vazhdojmë të jemi piratë plaçkitës e të pagdhendur që dreqi e mori, edhe ata kishin rregullat e kodet e veta. Unë s’dua t’ia di për Europën nëse ajo nuk lejon ndëshkimin e atyre që të çuan në botën tjetër ty.

Ikja jote Marv  më kujtoi që nuk mjaftoka të jesh I MIRË!

Pushofsh në paqe e shpirti yt fluturoftë në një botë pa dhunë, pa vrasje, pa gjak, pa lot!

@copyright  /Blitz.al/

Shperndaje