Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Komb kosovar? Mos u bëni qesharakë!

Komb kosovar? Mos u bëni qesharakë!
October 19
12:23 2016

Ndodh që nga një çështje, qoftë kjo politike, sociale, ekonomike, të kalohet në disa çështje të tjera më pak të rëndësishme e të lëna pas.

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, pak ditë më parë, ndezi një “revoltë” të paparë ndonjëherë kundër një kryeministri në Kosovën fqinje. Fjala e kryeministrit të Shqipërisë mbi çështjen e Trepçës u interpretua si tejkalim i kompetencave të Ramës dhe “thyerje” e sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Kjo i dha shkak [përsëri] ngritjes së zërave pro të ashtuquajturit “komb kosovar” nga intelektualë me emër në Kosovë, të cilët shpreheshin thjesht, qartë, pastër dhe shkurt: “Kryeministri i Shqipërisë, mos prek kombin kosovar!”
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që hapet një diskutim lidhur me kombin kosovar, pasi edhe vite më parë është ngritur një debat i tillë edhe këtu, në Tiranë, edhe në Prishtinë.

Problemi këtu qëndron te fakti se politikanë, analistë e intelektualë, pra ata që supozohen të kenë një nivel kulturor të lartë, janë ata që mbështesin idenë e krijimit të një kombi të ri kosovar, të ndarë nga ai shqiptar. Faktet mbi të cilat kjo pjesë e shoqërisë mbështetet janë të thjeshta:
Kosova ka qenë e ndarë nga Shqipëria që në 1913-n.
Kosova ka shtetin e saj, kushtetutën dhe institucionet e saj, ndarë nga shteti shqiptar.

Mjafton të shfletosh literaturën shqiptare dhe atë të huaj për të kuptuar se kombi është një term sa i thjeshtë, aq edhe i komplikuar.
Komb: “Tërësia e individëve apo popujve që kanë gjuhë, tradita, histori, kulturë të përbashkët dhe që zënë një territor të caktuar”.
Ç’ka nënkupton se kombi nuk barazohet me shtetin. Ç’ka do të thotë gjithashtu se kombi nuk formohet as në 100 vite, as në 30 vjet, por për një kohë shumë të gjatë.

Po marr një shembull shumë të thjeshtë: kombin rus dhe Bjellorusinë.
Paçka se Bjellorusia është shtet më vete, me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë një shtet modern, ai nuk formon një komb. Por përkundrazi, është pjesë e kombit rus.

E njëjta gjë është edhe me Kosovën dhe kombin shqiptar.

Nëse do ta marrim nga ana historike, atëherë do të na duhet të ndalemi pak.

Historia e Kosovës ka qenë gjithmonë e bashkuar me atë të Shqipërisë që nga zanafilla, deri në ditët e sotme. Madje, ajo nuk është cilësuar kurrë si territor më vete, por si krahinë e Shqipërisë.
Kjo mund të kuptohet mjaft qartë nga vendimet e marra në konferenca e mbledhje të ndryshme ndërkombëtare si ajo e Shën Stefanit – 1878, Kongresi i Berlinit – 1878, Konferenca e Ambasadorëve etj. ku territori që shkëputej nga Shqipëria cilësohej “krahina” e Kosovës.
Nga ana tjetër, në vitin 1941-shin, pushtimi italian mundësoi bashkimin e trevës së Kosovës me atë të Shqipërisë në një shtet të vetëm, por që nuk jetoi gjatë sepse pas pushtimit gjerman, gjërat u kthyen në normalitet dhe trupat serbe u rikthyen në territorin e Kosovës.

Më pas, një nga marrëveshjet më të rëndësishme mes forcave politike shqiptare ishte ajo e Mukjes më 2 gusht 1943, ku Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste u bënë bashkë kundër pushtuesit dhe hartuan një plan se si do të procedohej pas luftës. Një nga pikat kryesore të planit ishte bashkimi kombëtar në një shtet të vetëm mëmë pas Luftës II Botërore. Marrëveshja u prish pak ditë më pas, si pasojë e trysnisë nga Partia Komuniste Jugosllave.

Pra, ajo që duhet të them me këto fakte të thjeshta historike, që mësohen lehtësisht në klasën e 9-të, është se Kosova është cilësuar gjithmonë pjesë a krahinë e Shqipërisë dhe asnjëherë vend apo territor më vete dhe ka pasur vazhdimisht tentativa nga Shqipëria për të arritur një bashkim kombëtar ndër shekuj (mos të harrojmë përpjekjet dhe peticionet e rilindësve e kërkesat për një bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë). Kjo hedh poshtë tezën e kombit kosovar, sepse një popull e një komb, që është përpjekur gjithmonë të bëhet një, ashtu siç ka qenë shekuj më parë, që në procesin e gjenezës, nuk mund të jetë kurrë në dy të ndryshëm.
Pastaj kalojmë te pavarësia.
Të gjithë e dimë se kërkesa e parë e Kosovës ka qenë bashkim me Shqipërinë, autonomi e më pas pavarësi. Dhe pas përpjekjeve të shumta të luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, situata në rajon dhe në botë diktonte një politikë anti-bashkim. Zgjidhja më e mirë dhe e vetmja për këtë ishte shteti i pavarur. Pra, qartë dhe shkurt: ose pavarësi, ose pavarësi. Nëse do të bashkohej me Shqipërinë, problemet në Ballkan do të çonin në shpërthim lufte, ku do të përfshiheshin edhe shtete të tjera europiane dhe jashtë kontinentit. Ndërkohë, qëndrimi nën Serbinë do të ishte vetëvrasës. Është një shprehje, ndër të këqijat më të mëdha, zgjidh atë më të voglën…

Nëse në të vërtetë do të ishte një komb kosovar, atëherë askush nuk do të kishte kërkuar ndonjëherë bashkim gjatë epokave të ndryshme të historisë dhe fundja, traditat, gjuha, kultura e vendi që zëmë në histori nuk do të ishin këto që kemi edhe sot e kësaj dite. Nëse do të kishim një komb kosovar, atëherë pse nuk përmendet nga historianët si një popull pasardhës i arbërve, ilirëve dhe pellazgëve? Nëse do të kishim një komb me të vërtetë kosovar, atëherë pse emra shqiptarë do t’u vendoseshin foshnjave në Kosovë? Nëse ka një komb kosovar, atëherë shqiptarët e Preshevës, cilës kombësi i përkasin? Nëse ka një kombësi kosovare, atëherë nëse nesër apo pas një shekulli, Çamëria fiton pavarësinë, mos do të vetëquhet komb çam?
Përgjigjet janë të thjeshta!
Nuk ka pasur e as nuk do të ketë një komb kosovar, por vetëm një: ai shqiptar.
Për sa kohë në të dyja anët e kufirit do të flitet shqip, do të kenë një fillesë të përbashkët, do të kenë tradita të përbashkëta, do të kenë histori që ndërthuren nyje me njëra-tjetrën, do të ketë vetëm një komb shqiptar, i cili është i njëjtë si në skajin më të lartë të Mitrovicës, deri në fundin Shqipërisë.
Për sa kohë një komb, ky komb, të jetojë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, problemet e shqiptarëve të Kosovës do të jenë problemet e shqiptarëve të Shqipërisë e anasjelltas dhe, si pasojë, kryeministri i Shqipërisë e ka për obligim dhe detyrim ligjor të përgjigjet dhe interesohet për gjendjen e shqiptarëve kudo që janë, qofshin këta edhe brenda Kosovës. Domethënë, të dashur analistë e gazetarë përtej kufirit, nëse kryeministri i Shqipërisë, qoftë Rama apo kushdo tjetër, flet për çështje që prekin shqiptarët e Kosovës, është e drejta e tij kushtetuese dhe nuk ju cënon aspak, ashtu sikurse nuk cënon as shqiptarët e Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Për ta mbyllur, pse nuk mund të përpiqemi të punojmë së bashku për të mbyllur plagët e së shkuarës e ato që hap e tashmja, në vend që të hapim të tjera, të cilat, në fund të fundit, janë në interesin e të tretëve e aspak në interesin tonë?
Të gjithë e dimë se Kosova e dashur ka më shumë probleme se çështja e kombësisë. Si thoni për infrastrukturën, ekonominë, politikën e jashtme, marrëdhëniet miqësore me fqinjët, politikat sociale, qeverisjen, korrupsionin…?
Historia ka treguar se kur shqiptarët kanë dashur diçka, ia kanë dalë mbanë. Atëherë le t’ia dalim edhe me krijimin e dy shteteve demokratike e në harmoni me njëra-tjetrën.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar!

Andi Vrapi

Shperndaje